SPAK hap dosjen e parë për Berishën, Aldo Bumçi merret në pyetje për Gërdecin, përveç ish-ministrit ja kush janë pushtetarët e tjerë të lartë të rrezikuar në përfshirjen e aferës së armëve

0

Pas 15 vitesh nga tragjedia e Gërdecit, mesa duket hetimi nga drejtësia e re e mbështetur fuqishëm nga amerikanët do të shkojë dhe tek familja kryeministrore që ka lidhje me këtë krim të rëndë ekonomik e njerëzor. Ish-kryeministri Berisha, që në emër të qeverisë pranoi dhe firmosi hapjen e fabrikës së demontimit, por as djali i tij, i cili tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht e privatisht nga dëshmitë e shumë bashkëpunëtorëve të tij në këtë biznes si kontrollues dhe përfitues kryesor prej këtij biznesi vrasës, nuk janë thirrur e nuk janë detyruar të ulen në tavolinën e drejtësisë, as për t’u pyetur. Deri më tani, Berisha ka qenë i paprekshëm pasi çdo çështje kundër tij është mbyllur. Por Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rihapur dje hetimet për tragjedinë e “Gërdecit”. Pas shumë kohësh, Aldo Bumçi, ish ministër drejtësie në qeverisjen e Sali Berishës gjatë kohës që shpërtheu Gërdeci është marrë ditën e djeshme në pyetje nga SPAK. Për më shumë se 1 orë, Bumçi ka dhënë sqarime mbi hetimet për tragjedinë, mes të cilave edhe për shkresën zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në cep të së cilës shkruhej “për Shkëlzen Berishën”. Pas 15 vjetësh, Bumçi është kujtuar të tregojë se nuk e ka shkruar ai shkresën, por që kemi të bëjmë me një falsifikim.

Bumçi tregon çfarë dëshmoi në SPAK

Ish-ministri i Drejtësisë tregoi disa detaje nga mbledhjet e qeverisë, duke thënë se vendimi i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes për Gërdecin nuk është miratuar pasi ka pasur disa vërejtje nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. “Qëndrimet e ministrisë së Drejtësisë dhe të miat si ministër Drejtësie janë të dokumentuara në qëndrimet publike që kemi mbajtur në atë kohë. Në mbledhjen e parë të qeverisë, vendimi i propozuar nga Ministra e Mbrojtës për Gërdecin nuk miratohet. Ministria e Drejtësisë kishte një sërë vërejtjesh dhe nuk miratohet. Vendoset kontakti mes dy ministrive që ato të merrnin parasysh vërejtjet ligjore që ne kishim. Pas pasqyrimit të këtyre vërejtjeve ministria e Drejtësisë nuk kishte më vërejtje, sepse u morën parasysh vërejtjet tona. Siç e ka ministria e Drejtësisë, e Mbrojtjes, e qeverisë përgjigja e dërguar nga ne nuk ka asnjë shënim të tillë. Kjo është me datë dhe numër protokolli. Vendimi është trajtuar në dy mbledhje dhe jo në një. Pasi i kemi çuar Ministria e Mbrojtjes qëndrimin tonë zyrtar se nuk kishim vërejtje, sepse ata i kishin marrë parasysh vërejtjet e një mbledhje më parë, del një shkresë që ka një shënim në anë për zotin Shkëlzen Berisha. Kjo shkresë është e falsifikuar dhe nuk i qëndron asnjë testi të thjeshtë logjik”, tha ai.

Ish-ministri përmend Shkëlzen Berishën

Në argumentin e tij, Bumçi thotë se për të folur me Shkëlzen Berishën nuk kishte nevojë që të dërgonte fax nëpërmjet ministrisë së Mbrojtjes me Fatmir Mediun, por fare mirë mund të komunikonte në celular. Në këtë mënyrë, Bumçi thotë se ka qenë një manipulim që erdhi pak para zgjedhjeve të 2009 me qëllim që të implikohej Sali Berisha, nëpërmjet të birit. “Ministria e Mbrojtjes e kishte përgjigjen tonë disa ditë më parë sesa shkresa që kishte shënimin e Shkëlzen Berishës. Nuk kishte nevojë për një shkresë tjetër në Ministrinë e Mbrojtjes. Nëse unë do kisha nevojë të komunikojë me zotin Shkëlzen Berisha do e bëja këta me faks nga Ministria e Mbrojtjes, për ti thënë që çfarë? Që nuk kemi vërejtje. Këtë mund ta bësh me telefon, me mesazh, po ti nuk ke nevojë të çosh Fax në Ministrinë e Mbrojtjes për zotin Shkëlzen Berisha”, tha ndër të tjera Bumçi.

Përveç Bumçit, të rrezikuar edhe persona të tjerë

Por me rinisjen e hetimeve për çështjen “Gërdeci”, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit do të zhvillojë veprime hetimore shtesë. Kjo do të thotë se përveç Aldo Bumçit të rrezikuar edhe persona të tjerë të përfshirë në aferën e armëve në Gërdec. Pra në kuadër të hetimeve të reja për ish-ministrin Mediu, mund të ketë surpriza, pasi mund të dalin edhe emra të përfshirë në aferën e Gërdecit sa i takon demontimit të armëve, trafikut të armëve dhe jo vetëm. Kujtojmë që në shpërthimin e Gërdecit më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona, ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. Hetimet për tragjedinë e 26 të vdekurve e qindra të plagosurve e një dëmi miliarda lekë, janë kryer nga 2008-2009, asokohe nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë Apeli i GJKKO në muajin shator të këtij viti mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durdaj.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu