Sponsorët e terrorit në Kosovë!

0

Shkruan Prof. Doc. Enver Bytyçi

Kosova para një javë u vu nën terror. Në fakt në këtë gjendje ajo është prej dekadash. Pikat kulmore të terrorit serb ishin ngjarjet e 17-18 marsit 2004, vrasja e policit Enver Zymberi, trazirat e pas shpalljes së pavarësisë dhe vrasja e një ushtari të KFOR-it, si dhe më vonë,kur në pushtet erdhën Vjosa Osmani e Albin Kurti, barrikadat e shumta, bojkoti i institucioneve dhe zgjedhjeve e deri te akti terrorit i 24 shtatorit të kaluar!

Ajo që ndodhi më 24 shtator dha mesazhin se terrori, dhuna, policia, xhandarmëria e madje as ushtria serbe nuk kalojnë në Kosovë! Prej të dielës së fundit të shtatorit 2023 bota kuptoi se shqiptarët janë të aftë të mbrohen edhe vetëm. Kjo nuk do të thotë se KFOR-i nuk do ketë rol. Qoftë dhe si simbol i forcës KFOR-i është instrumenti kryesor i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perendimor! Por asnjë ushtar i NATO-s nuk është i gatshëm të japë jetën për Kosovën. Mbrojtja që bëri policia e Kosovës para 7-8 ditësh, provon se vetëm shqiptarët në polici, ushtri, FSK, në forcat speciale etj, janë të gatshëm ta mbrojnë edhe me jetë atdheun e tyre, Kosovën. Jam i sigurt se edhe veteranët e UÇK-së janë të gatshëm të luftojnë për Kosovën. Por para sublimitetit në mbrojtje të saj atyre u duhet të shkëputen nga hajnat, të cilët e keqpërdorën gjithashtu luftën çlirimtare!

Si kudo në botë, edhe në Kosovë, terrorizmi ka sponsorët e tij. Sponsor i akteve terroriste në veri të Mitrovicës është Serbia. Këtë e dëshmojnë prova pa fund, të cilat i deklaron çdo ditë ministri i Brendshëm, Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit! Pra, Serbia në tërësinë e saj! Të gjitha strukturat e shtetit dhe të shoqrisë serbe mbështesin dhe sponsorizojnë terrorin në Kosovë. Kisha dhe patriarkana e Beogradit, sinodi i saj, shumica e akademikëve, artistëve, sportistëve, përfshirë Gjokoviç, shumica e organizatave jo-qeveritare, partitë politike në tërësinë e tyre, me përjashtime të vogla. Sponsori kryesor serb është qeveria dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç! Këta komandojnë strukturat e tjera të shtetit të Serbisë, me qëllim ushtrimin e terrorit në Kosovë. Në këto struktura bëjnë pjesë ushtria dhe policia, xhandarmëria dhe forcat speciale komando, paraushtarakët dhe organizatat e tyre, shtabi i përgjithshëm, shërbimi sekret i Aleksandër Vulin, diplomacia dhe ushtria e propagandistëve ultra-nacionalistë në medie, grupet e tifozëve të sportit, shoqatat kulturore dhe eksponentët e tyre si Goran Bogdanoviç e të tjera segmente.

Fëmijët në Serbi edukohen, injektohen dhe indoktrinohen me sëmundjen e nacionalizmit ekstrem, me thirrjet “vdekjen” e shqiptarëve! Të gjitha këto rrethana dhe aktorë sponsorizojnë terrorizmin në Serbi. Një terrorizëm që drejtohet kundër popujve të tjerë, sidomos kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve. Ky lloj terrorizmi është municioni më i madh shpërthimeve në rajonin tonë. Ndërkaq diplomatë perëndimorë “besojnë” se Serbia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe thuajse të gjithë në Europë besojnë se shteti e shoqëria serbe është e gatshme të bëhet anëtare e Bashkimit Europian.

Me ose pavetëdije, jo pak politikanë e diplomatë perëndimorë, duke përkrahur Serbinë dhe Aleksandër Vuçiç, janë bërë sponsorë të terrorizmit serb në Kosovë e përtej Kosovës. Endërrimtarët e kthesës serbe drejt perendimit mësuan më në fund më 23 shtator, se kjo nuk do të ndodh. Akti terrorist në Zveçan ua kthjelloi kokën, nëse një gjë e tillë ka ndodhur vërtet! Por deri sa e kuptuan e disa derisa ta kuptojnë këtë, edhe këta kanë sponsorizuar qoftë dhe pa vetëdije terrorizmin serb në Kosovë. Madje një pjesë e madhe duke e ditur se presidenti i Serbisë mban lidhje të ngushta me Moskën dhe mbështetet te njerëzit e Putin e Lavrov në Beograd.

Sponsorë të tjerë të terrorit serb në Kosovë janë gjithashtu politikanë shqiptarë, analistë, gazetarë, medie dhe organizata jo qeveritare që kanë shërbyer për t[ia ndërruar imazhin Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandër Vuçiç. Më aktivi dhe më arroganti ndër këta ishte dhe mbetet “kryeministri më i mirë i Serbisë (në Shqipëri) që nga koha e Nikolla Pashiq”, nëse i referohemi përcaktimit të gazetarit gjerman të FAZ, Martens.

Një paralele: – A do të akuzoheshin ata që do të mbështesnin PKK për rol e sponsorizim të aktit të sotëm terrorist në Ankara?! Sigurisht që po. Në Serbi qeveria e presidenti i Serbisë në rastin e aktit terrorist në Zveçan kundër poliicisë së Kosovës janë në rolin e PKK-së. Pra sponsorët shpirtërorë, në logjistikë dhe mjete financiare të aktit terrorist në Kosovë. Janë urdhërdhënësit e terrorit! Q[ do të thotë se të gjithë ata që mbrojtën dhe mbrojnë Vuçiçin sponsorizojnë terrorin. Të tillë ka fatkeqësisht jo pak edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut etj. Shqiptarë që mbështesin strukturat e shtetit e të shoqërisë serbe, të cilat sponsorizojnë terrorin në Kosovë. Shqiptarë që mbështesin e sponsorizojnë sponsorët e terrorizmit në Kosovë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu