Sulmi kibernetik i Iranit në Shqipëri, publikohen të dhënat sensitive të ‘MEMEX , sistemi me informacionet për kriminelët shqiptarë

0

Grupi kriminal i  financuar nga Irani që i bëri sulm kibernetik Shqipërisë ka publikuar ditën e sotme të dhëna sensitive të sistemit MEMEX, i cili përmban listën e personave të dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale.

“Homeland Justice”, në vijim të veprimeve kriminale, ka publikuar obline një material prej 1.7 giga byte, 49 file ku janë të dhënat e rreth 100 mijë personave të skeduar në sistemin policor. MEMEX njihet edhe si Sistemi i Menaxhimit të Informacionit Kriminal dhe është mjeti kryesore në punën e Policisë së Shtetit. MEMEX mban të dhëna sekrete të policisë mbi çdo eksponent kriminal. Ky sistem shërben për marrjen dhe transmetimin e njoftimeve për ngjarjen kriminale të ndodhur, informacionit policor si dhe të dhënave për personat e implikuar në këto ngjarje apo informacione.

Informacionet e publikuar sot nga grupi kriminal i hakerave vjen si vijimësi të disa publikimeve të dokumenteve që janë marrë nga sulmi mbi sistemet qeveritare dixhitale shqiptare. Më parë janë publikuar edhe informacione të marra nga emaili zyrtar të ish drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano.

Kujtojmë se para pak ditësh Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA) kanë publikuar një aratë të përbashkët dekl, ku kanë dhënë detaje për sulmet kibernetike të Iranit kundër Shqipërisë.

Në deklaratë thuhet se qeveria iraniane, e identifikuar me ‘Homeland Justice’ nisi sulmin në korrik të 2022 kundër portaleve qeveritare shqiptare duke bllokuar përkohësisht shërbimet online. Sipas deklaratës, hakerët iranianë kanë pasur akses në rrjetin e shërbimeve shqiptare afërsisht 14 muaj përpara se të fillonte sulmin keqdashës kibernetik. Hakerët iranianë kanë mbajtur akses të vazhdueshëm në faqet shqiptare përafërsisht një vit, akses i cili përfshinte një kodues skedarësh të stilit ransomware dhe një malware që fshinte disqet. Hakerët kishin mundësi të shfrytëzonin periodikisht të dhënat e qeverisë shqiptare në portalet online.

Midis majit dhe qershorit 2022, hakerët iranianë kryen sulmin e parë ndaj portaleve qeveritare shqiptare, duke nxjerrë të dhënat e qytetarëve. Më pas në korrik 2022 hakerët goditën sërish portalin qeveritar shqiptar, duke lënë edhe një mesazh për muxhaedinët që Shqipëria ka strehuar në Durrës.

Në qershor 2022, HomeLand Justice krijoi një faqe interneti dhe profile të shumta të mediave sociale që postonin mesazhe anti-MEK. Më 18 korrik 2022, Homeland Justice pranoi sulmin kibernetik ndaj portaleve qeveritare shqiptare. Më 23 korrik 2022, postoi HomeLand Justice video të sulmit kibernetik në faqen e tyre të internetit.

Nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit 2022, llogaritë e mediave sociale të lidhura me HomeLand Justice filluan të publikonin të dhënat e qytetarëve dhe qeverisë shqiptare online. Në shtator 2022, hakerat iranianë nisën një tjetër sulm kibernetike kundër Qeverisë së Shqipërisë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu