Të mërkurën nis greva e urisë, pedagogët dy ditë afat Qeverisë: Pritëm tre vite, nuk pati asnjë reagim për kërkesat tona

0

Pedagogët kanë njoftuar sot përshkallëzimin e protestës së tyre disa javore. Në tubimin sotëm para korpusit të Universitetit Politeknik, Sindikata ka njoftuar se të mërkurën në orën 16.00 do të nisë greva e urisë nëse qeveria nuk reagon.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi është shprehur se lëvizja e tyre nuk financohet nga rublat ruse, siç thotë kryeministri Edi Rama, por kanë tre vite që bëjnë kërkesa të vazhdueshme dhe askush nuk i ka marrë parasysh.

“Lëvizje e pastër, nuk është e mbështetur as nga rublat ruse, por as nga lirat turke, as nga paratë  e pistave që kanë kapur politikën. Këtë betejë e kemi nisur prej tre vitesh, por është intensifikuar prej dy muajsh, kur dërguam peticionin, shoqëruar me 6 javë protesta, 2 javë bojkot të procesit mësimor për një arsim të lartë publik cilësor.

Qeveria ka treguar se nuk ka gojë për të reaguar për zgjidhjen e çështjeve themelore, por ofron zgjidhje kozmetike.

Në këto kushte pas një diskutimi është propozuar që të kalohet në trajtën e grevës së urisë apo ngujimit, si e vetmja formë, që e lejon ligji, që mund të bëjë efekt për të detyruar qeverinë që të vërë arsimin si prioritet kombëtar. Pasi e pritëm tre vite, i  lëmë qeverisë dy ditë kohë deri të mërkurën përndryshe, të mërkurën, ora 16:00 të gjithë jemi në shesh”, tha Kovaçi.

 

Protesta e pedagogeve kete te hene, 31 tetor 2022

Qeveria të vetmin reagim deri tani e ka bërë në fillim të protestave, kur ka njoftuar rritjen e pagave të pedagogëve dhe stafeve të tjera akademike me 15%, duke u ndarë në 7% mbështetje nga shteti dhe 8% nga vetë universitetet.

Kërkesat që i ka bërë Sindikata e Pedagogëve Qeverisë shqiptare:

  • Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
  • Rritja e financimit për kërkimin shkencor
  • Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëmshmëri shëndeti në punë’
  • Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
  • Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
  • Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore
  • Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
  • Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
  • Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu