Ylli Manjani, në një shënim në Facebook ka dhënë një këshillë, të cilën e cilëson si ndoshta të fundit për demokratët dhe Sali Berishën.
Në përgjigje të shqetësimit të shumë votuesve demokratë që nuk pranojnë të votojnë Partinë e Lirisë, Manjani thotë se Sali Berisha dhe grupi i deputetëve që janë opozitë duhet të shpallin mbylljen në muze të Partisë Demokratike. Sipas tij, kjo parti e kreu misionin e saj për kohën. Lidhur me vulën, Manjani thotë se “është e blerë në treg të zi” nga qeveria.
Në këtë mënyrë, Manjani kërkon themelimin e një partie të re, jo thjesht logo e re, por një program i ri, imazh i ri dhe organizim i ri dhe që Sali Berisha duhet të jetë president i nderit të partisë së re. Kjo e fundit duhet të ketë sa më parë ekipin e ri. Emrat e deputetëve, qeverisë dhe të kryeministrit të ri.
Shkrim i plotë i Manjanit:
Që ditën e parë pas zgjedhjeve kam thënë që kjo është koha që burrnisht të merren përgjegjësi. Zgjedhjet, përtej vjedhjeve dhe presionit masiv, janë humbur.
Duhet pranuar kjo gjë burrnisht.
Padyshim duhen ekspozuar edhe parregullsitë dhe vjedhjet e bëra. Por votuesi opozitar kërkon vendime të mëdha politike që të vijojë të besojë se ka të ardhme. Duke thënë që “na vodhën”, nuk ka shpresë por humbje shprese, sepse zgjedhjet do vidhen prapë.
Përtej kësaj qasje, nëse do më dëgjonin, demokratëve dhe Berishës do t’u sugjeroja si vijon:
1. Menjëherë, pa asnjë ekuivok dhe në përgjigje të shqetësimit të shumë votuesve demokratë që nuk pranojnë të votojnë PL apo parti të tjera, Sali Berisha dhe grupi i deputetëve që janë opozitë duhet të shpallin mbylljen në muze të Partisë Demokratike. Kjo parti e kreu misionin e saj për kohën. Vula që ende qarkullon në mixhlis është e blerë në treg të zi nga qeveria moniste.
Ndaj sa në parë themelohet një parti e re. Jepuni mundësinë votuesve t’u votojnë pa asnjë pishmanllëk!
Urgjentisht një parti e re, jo thjesht logo e re, por një program i ri, imazh i ri dhe organizim i ri.
2. Sali Berisha duhet të jetë president i nderit të partisë së re. Kjo e fundit duhet të ketë sa më parë ekipin e ri. Emrat e deputetëve, qeverisë dhe të kryeministrit të ri.
Duhet ta bëjë tani, sa më parë këtë gjë.
Kujdes, emrat e rinj janë atë që ofrojnë përfaqësim, ide, pastërti dhe komunikim të denjë me shqiptarët e sotëm dhe të së ardhmes.
Programi politik duhet të jetë alternativa e Shqipërisë.
3. Prezantimi i ideve të reja politike që përfaqësojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si banorë të Europës dhe jo si ballkanas të prapambetur.
Prona private; ekonomia e lirë dhe konkurruese; shteti i drejtë; demokraci bazuar në zgjedhje dhe; familja solide dhe; i dividi me liri e të drejta të pamohueshme duhet të jenë thelbi i ekzistencës së një partie të re.
Kaq për momentin dhe nuk është pak.
Kërkohen lëvizje politike jo më gërrmërre me të shkuarën dhe në të shkuarën.
Nuk ndërtohet e ardhmja ne gërrmërre ik ti të rikthehem unë. E ardhmja ndërtohet me ide, organizim, qasje të reja politike.
Sali Berisha, për shkak të përvojës dhe mbështetjes që ka,duhet të jetë i pari që e kupton më së miri këtë gjë.
Rithemelimi i PD, nuk mjafton më!
Duhet diçka e re. Duhet tani jo më vonë, përpara se të jetë shumë vonë.