Shkruan Zef Ndreka
Shkarkimi i Erion Veliajt krijoi një vakum politik të rrallë në kryeqytet, duke hapur rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme që mund të shërbejnë si barometër për gjithë vendin. Por ndërsa mazhoranca lëvizi shpejt për të gjetur pasuesin, opozita po humbet kohë me debate të brendshme.
Ky është avantazhi i dukshëm i mazhorancës.
Partia Socialiste ka strukturë të konsoliduar dhe përvojë elektorale në Tiranë. Çdo ditë pa një sfidant të qartë i lejon asaj të kontrollojë narrativën, të testojë emra dhe të mobilizojë elektoratin.
Ndërkohë shohim një opozitë në pritje.
Përçarjet mes fraksioneve të PD-së dhe aleatëve e bëjnë të vështirë daljen me një figurë konsensuale. Pa një kandidat të vetëm, fushata rrezikon të kthehet në garë simbolike dhe jo reale.
Kështu, opozita rrezikon humbjen e momentit.
Elektorati gri kërkon zgjidhje praktike, kërkon transport urban, hapësira publike, çmimet më të ulëta të banesave.
Vonesa në paraqitjen e një programi e bën opozitën të duket më shumë reaktive se alternative.
Kush mbetët çelësi i garës?
Si gjithnjë, nevojitët një kandidat qytetar, i papërlyer nga konfliktet partiake, me profil menaxherial dhe vizion urban. Kjo mbetet shpresa e vetme për një garë të balancuar. Pa këtë, zgjedhjet rrezikojnë të kthehen në një formalitet që thjesht konfirmon dominimin e mazhorancës.
Kjo situatë është mjaft domethënëse për klimën politike në Tiranë dhe në rang kombëtar. Sepse dinamika pas shkarkimit të Veliajt në kryeqytet është ngjarje e rrallë dhe i jep opozitës një shans të artë për të sfiduar shumicën.
Teorikisht, kjo do të duhej t’i mobilizonte menjëherë për të dalë me një emër dhe program bindës.
Lind pyetja: Pse vonon opozita?!
Sepse vonesat vijnë për shkak të fraksioneve të brendshme. PD dhe aleatët e saj janë ende të përçarë mes grupimeve. Përzgjedhja e kandidatit po bëhet një test force midis tyre.
Gjithashtu ndikojnë kalkulimet elektorale. Opozita mund të presë sondazhet e para për të parë se cili profil ka më shumë shanse përballë kandidates që propozoj mazhoranca.
Por çdo orë apo ditë që kalon, ka mbi supe pasojat e vonesës.
Çdo ditë pa një emër të qartë i jep avantazh PS-së për të forcuar narrativën, për të mobilizuar strukturat dhe për të vendosur kandidatin e vet në qendër të vëmendjes. Dhe elektorati i pavendosur mund të humbasë besimin te opozita si alternativë serioze.








