Shkruan Zef Ndreka
Që treni i PD-së zyrtare është ndalur, duket shumë qartë. Sepse po mungojnë aksionet reale politike, idetë dhe projektet politike.
Kjo ndodh pikërisht prej fushës së lirë të lënë ndoshta enkas për Berishën dhe foltorën, për ta mbajtur të faktorizuar në politikë e për ti krijuar shance shpëtimi si lider i opozitës. Në këtë lojë që ju shkon për shtat trëkëndëshit të Bermudës, po ndihmon edhe PD-ja me heshtjen e saj.
Treni i PD-së me mbi 104 mijë vota, jo vetëm është ndaluar në një stacion të humbur, por edhe më keq, është fshehur!
Kjo fshehje, apo më saktë shmangia nga përballjet politike në Kuvend apo në sheshet e vendit, shpreh frikë, nuk ngjall shpresë për shqiptarët për tu shfaqur si alternativë pushteti.
Pra përse hesht PD-ja?!
Përse mjaftohet vetëm me disa takime me anëtarë dhe pak simpatizantë, apo dalje të thata që nuk ngjisin në elektorat?!
A ofron shance kështu për bashkimin e opozitës një qëndrim i tillë duke u fshehur, duke heshtur apo me keq duke pritur të korrë fitore nga puna e të tjerëve, konkretisht, nga SPAK-u dhe politika amerikane?
Përse ka frikë Lulzim Basha të përballet, të flasë hapur për mëkatet e PD-së që na kanë dërguar në këtë gjendje?
Përse i mungon kurajo të flasë siç flasim disa nga ne, apo më troç si Kadilli që i bën radiografinë e qartë opozitës dhe foltorës në veçanti?
A mund të na sqaroje Basha për deklaratën e Argitës si shtrese e mesme që është, a ka ndonjë fjalë për të?!
A do të dalë Basha me një opinion të hapur kritike për Berishën dhe berishizmin, apo ka zgjedhur të rrij fshehur si Sheleg i butë i frikësuar se do ta shqyejnë pastaj nga të katër anët?!
Ja, për këto qëndrime që kurrsesi nuk të çojnë në fitore, as në bashkim , as në forcim të PD-së, mendoj se treni i ndezur nga Alibeaj në fushatën e 14 Majit, nuk do ishte ndalur, jo më të fshihej, siç po fshihet tani, së bashku me shpresën e shqiptarëve ndaj këtyre grupimeve politike të ish PD-së.
Më kot po i mbajnë me thonj Berisha-foltorën, Basha PD-në zyrtare, Bardhi-grupin e deputetëve, dhe deputetët e heshtur njëri-tjetrin.
Duket qartë kriza e lidershipit të opozitës.
Grupimet e PD-së, duhet të gjejnë kohë e ti japin mundësi programit të ri dhe votës së anëtarësisë për të zgjidhur krizën, për të nxjerrë trenin në shina, sepse 2025 është në prag…