Shkruan Elisa Spiropali
Rindodhi sot, por kishte ndodhur edhe një ditë më parë. Do të ndodhë edhe javës tjetër dhe nuk i dihet se deri kur do të vazhdojë e njëjta histori. Opozita bllokoi parlamentin dhe përdhosi solemnitetin që duhet të ketë normalisht ajo sallë. E shndërruan sallën në një arenë sherri e dhune, rrëmuje e bolorije qesharake, tragjike e komike njëherësh. Në vend të forcës së fjalës, ata i dhanë fjalën dhunës kuturu. Kësaj të enjteje, të enjten e Doktorit, siç e quante dikur Ilir Meta, pati shumë protagonistë; deputetët e opozitës si personazhe dhe karriget e deputetëve të shumicës, si rekuizitë.
Karriget u përdorën si barrikadë për të penguar instrumentin e punës së Parlamentit që është pikërisht fjala. Kjo e enjte pati dhe një risi. Ajo çfarë ndodhi realisht ishte krejt ndryshe nga ajo çfarë u pa në sallë dhe u transmetua në media. Tymuesen e mbajti në dorë Salianji, por tymi dilte nga koka e Saliut! Njeriu që ka ndezur zjarr nëpër Shqipëri për hir të jorganit vetjak, solli tymin në sallën e seancave plenare si kërcënim për çfarë do të donte të bënte sërish për të gjithë vendin.
Sali Berisha është në dyert e SPAK-ut. Kjo është arsyeja pse, Doktori i ka shndërruar dhe do të vazhdojë t’i mbajë të shndërruar deputetët e tij në një togë pushtuese të institucionit duke kërkuar ta marrë atë peng, duke penguar zhvillimin normal të veprimtarisë së tij në kundërshtim me çdo ligj, kod e moral. Berisha është frymëzuesi i sulmit të së mërkurës mbi dyert e Kryesisë së Kuvendit dhe bllokimin e veprimtarisë së komisioneve parlamentare dhe sulmit bis në sallën e seancave plenare.
Duke shkelmuar ato dyer, ai kërkon të shqyejë dyert në të cilat normalisht do të duhet të shkojë si çdo qytetar i këtij vendi, për të ballafaqur të vërtetën e tij vetjake me akuzën penale publike. Një akuzë, e cila jo për koicindencë, ngjan me vendimin fatal të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili konsideronte se në cilësinë e kryeministrit, Berisha ka pasuruar familjen e tij dhe se me retorikën e tij kishte shmangur llogaridhënien përpara drejtësisë. Kështu ka firmosur Sekretari Blinken dy vjet më parë në Washington, dhe kështu dyshon SPAK-u në Tiranë dy vjet më pas për atë çfarë Berisha ish-kryeministër ka bërë dikur në pjesën e parë dhe po vazhdon ta bëjë sot e gjithë ditën në pjesën e saj të dytë.
Është dëshpëruese kur shihen njerëz të votuar si përfaqësues të popullit të bëhen barrikadë njerëzore për hallet vetjake të një individi të vetëm. Është një tunel në të cilin ata kanë futur veten, ku askush nuk mundet t’i ndihmojë të dalin në dritë. Është gjithashtu dëshpëruese të shohësh një njeri i cili ka qenë qeramarrës i zyrës më të lartë të shtetit si president i republikës dhe më pas, edhe kryeministër i vendit, që të ndodhet në një pozicion të tillë.
Edhe pse jam pjesë e pamunguar e akuzës politike dhe publike mbi të, ndjej keqardhje për Berishën si individ, por besoj fort se e vetmja mënyrë e tij për të dalë si politikan nga kjo situatë, është ballafaqimi me akuzën. Ai që është sjellë për tre dekada si burri i fortë i politikës, kryeakuzatori politik i gjithkujt, duhet të gjejë forcën për të ballafaquar veten me akuzën publike. Nëse zgjedh të vazhdojë revolucionin e karrigeve, në rastin më të keq, ai mund të shkaktojë të tjera fraktura në kohë, por fati i tij është i ndarë prej kohësh me fatin e vendit.
Sa më shpejt ta kuptojë një gjë të tillë edhe toga e tij e sulmit me imunitet parlamentar, aq më mirë do të jetë për të gjithë. Për Berishën të parin. Duke kursyer kështu njolla të tjera në duart e deputetëve, të cilat nuk mund të fshihen me delikatesën e shamive prej letre.