U arrestuan 2 arkitektë në Tiranë pasi falsifikuan dokumentat për leje ndërtimi, sekuestrohen 5 prona

0

Armando Prelezi dhe Klevis Bregu, dy arkitektët u arrestuan me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Ata kanë përdorur të dhëna të rreme në aplikimin që kanë kryer për leje ndërtimi për llogari të shtetasve, Manush Teqia, Abaz Tegja, Florian Zela, Arblin Harizi, Dorina Dushku, Gani Moka, Tefta Vishi dhe Mehmet Durishti, të gjithë në hetim për ndërtim të paligjshëm.

Prokuroria tregoi se nga verifikimi i thjeshtë i koordinatave nëpërmjet aplikacionit ‘Google Maps’, del se të dhënat e pasqyruara në relacione nga Arkitektët Armando Prelezi dhe Klevis Bregu, tregojnë vendndodhje të ndryshme krahasuar me vendndodhjen reale të objekteve të konstatuara nga vetëdeklarimet e bëra pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Sipas prokurorisë, objektet janë ndërtuar në ngastrat e ekonomive pyjore 1/a dhe 2/a, në juridiskionin e Bashkisë Tiranë.

Nga ana tjetër, njëri nga personat në hetim, Gani Moka, administrator dhe ortak i i kompanisë Certi VV South Balkans, ka lidhur kontratë qiraje në datën 14 prill 2021 me Agjencinë e Parqeve dhe rekreacionit për sipërfaqen 2000 m2, e cila është pjesë e fondit pyjor, ngastra 1/a, ku në fakt janë ngritur ndërtimet me të dhënat e rreme.

Gjatë përpilimit të akteve përkatëse, është konstatuar se disa prej strukturave me hekur dhe beton si dhe muri rrethues janë të pozicionuara në një sipërfaqe të fondit pyjor e cila është dhënë në përdorim. Kjo skemë veprimi, sipas prokurorisë ka ndodhur si pasojë e përdorimit të të dhënave të rreme nga arkitektët Armando Prelezi dhe Klevis Bregu nëpërmjet sistemit E-leje.

Si rezultat i hetimit, prokuroria ka sekuestruar tri sipërfaqe nga 370 metër katror secila, në emër të Manush Teqes, Florian Zelës, Abaz Teqes e Arblin Harizit dhe një sipërfaqe 360 metër katror të Dorina Dushkut. Njëri nga personat në hetim, Gani Moka, pronar i kompanisë Certi VV South Balkans në 21 maj 2021 u dhunua nga shtetasit Seit Manahasa dhe Kreshnik Manahasa të cilët i kërkuan që t’u paguante 20 mijë euro.

Autorët mbajtën peng Mokën dhe një punonjëse të tij pasi i zhveshën dhe i filmuan duke i kërcënuar se pamjet do ti bënin publike nëse nuk paguante 20 mijë euro. Moka dhe punonjësja e tij janë lënë të lirë vetëm pasi autorët u morën 12 mijë lekë  të reja dhe u premtuan se nuk do ta denonconin ngjarjen në polici. Një ditë pas ngjarjes, RENEA arrestoi 38-vjeçarin Seit Manahasën dhe shpalli në kërkim kushëririn e tij 37-vjeç, Kreshnik Manahasa.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu