Ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë sot se nuk ka rëndësi kush i ka nxjerrë të dhënat e udhëtimeve të Edi Ramës, iranianët apo Erion Veliaj. I pyetur më tej nga gazetarët për këtë deklaratë, Berisha u shpreh se Erion Veliaj është i vetmi politikan me lidhje në Teheran.
Pyetje: Ju deklaruat se nuk ka rëndësi se kush i nxorri të dhënat e udhëtimeve të zotit Rama, iranianët apo Erion Veliaj. Ju keni informacion se zoti Veliaj po punon kundër zotit Rama edhe në rastin e fundit, për nxjerrjen e të dhënave të TIMS?
Sali Berisha: Politikani i vetëm në Shqipëri me lidhje iraniane është Erion Veliaj. Kur unë e kam denoncuar, ju mesa kujtoj unë nuk e mbajtët shënim. Udhëtimet e Erion Velisë në Teheran gjatë kohës që unë kam qenë kryeministër, kanë qenë frekuente.
Cila ishte lidhja e Erion Velisë me Teheranin, unë nuk mund ta zbuloj. Di që një udhëtim e ka bërë dhe Edi Rama, por në atë rast ka qenë një mbledhje e Internacionales Socialiste dhe janë mbledhur atje. Se çfarë dimensioni kanë lidhjet e Erion Velisë, a janë lidhje biznesi apo lidhje të tjera, këtë nuk e di.
Di që bënte udhëtime, ishte politikani i vetëm shqiptar që bënte udhëtime frekuente në Teheran. Unë nuk kam asnjë të dhënë, se gazetarët filluan që dje që ia ka bërë Erion Velia.