UKRAINA – KUJT IU DESH LUFTA?

0
Biden-Zelensky

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Rusia pa Ukrainën, pushon të jetë perandori, ndërsa me një Ukrainë, në fillim proruse, pastaj të nënshtruar, automatikisht bëhet perandori – Zbignjev Bzhezhinski

Me rënien e murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, u shpërbë edhe Bashkimi Sovjetik. Doli prej tij një Rusi e pakonsoliduar. Në vitin 1991 Traktati i Varshavës (Pakti i Varshavës) u shpërbë, por jo edhe NATO-ja. Pas këtyre proceseve historike, në rrethana të reja pasojnë do procese të tjera:

– NATO-ja fillon të shtrihet në lindje të Evropës, duke i përfshirë në radhët e veta ish-shtetet, anëtare të Traktatit të Varshavës, që e përbënin kampin socialist;

– Moska mendon se me shtrirjen e NATO-s në lindje të kontinentit, ShBA-ja synon t’u afrohet kufijve të Rusisë, përkatësisht ta rrethojë atë;

– Kryetari i Rusisë, Vladimir Putin (1952-) synon t’ia rikthejë Rusisë autoritetin që kishte dikur Bashkimi Sovjetik dhe konsiderohej si një prej dy superfuqive globale;

Ndaj shteteve ku ka minoritet rus, Moska ndërmerr veprime ushtarake:

  1. Në nëntor të vitit 1990 shpërthen konflikti në Pridnestrovie (Transnistria) të Moldavisë, i njohur si luftë moldavo-ruse, 1991-1992;
  2. Në vitin 2008 Rusia ndërhyn ushtarakisht kundër Gjeorgjisë. Pushton Osetinë Jugore dhe Abhazinë. Më 26 gusht 2008, Rusia njeh pavarësinë e Abhazisë dhe të Osetisë Jugore, e cila po ashtu u shkëput nga Gjeorgjia;
  3. Në vitin 2014 Rusia pushton gadishullin e Krimesë, e anekson atë dhe ia bashkëngjit Rusisë. Deri atëherë, Krimea ishte pjesë e Ukrainës;
  4. Në prill të viti 2014 fillon konflikti në dy rajonet e Ukrainës lindore, Donjeck dhe Lugansk, që bashkërisht quhen Donbas*. Moska i mbështet separatistët prorusë. Në gusht të vitit 2014 Rusia ndërhyn edhe ushtarakisht dhe këto dy rajone i shpall republika të pavarura. Që nga viti 2014, këto dy rajone gjithnjë më tepër i kontrollonte Rusai. Në pranverë të vitit 2014 u krijuan të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luganskës. Në këto rajone ka qenë tejet e zhvilluar industria e qymyrit dhe e çelikut. Para agresionit rus në Ukrainë, Dombasi ka pasur gjashtë deri shtatë milionë banorë.

*   *   *

Pushtimet e sipërthëna, shpeshherë Moska i ka arsyetuar me çlirimin e Kosovës në vitin 1999 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mbështetur nga ShBA-ja.

Shënim:

  1. Në fund të vitit 2013, në sheshin Majdan të Kievit shpërthyen protesta masive kundër kryetarit prorus të Ukrainës, Viktor Janukoviç (Viktor Yanukovych, 1950-) që njihen si revolucioni Euromajdan. Janukoviçi ra. Erdhën në pushtet politikanët properëndimorë, në krye me Petro Poroshenkon (1965-) dhe Ardenie Jacenjuk (1974-) – ushtrues detyre i kryeministrit në vitet 2014-20116. Pushtetarët e rinj të Ukrainës, e kufizojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës ruse në Dombas.
  2. Zbignjev Bzhezhinski (Zbigniew Kazimierz Brzezinski, Varshavë, 1928 – Fols Çerç, Virgjinia, ShBA, 2017) – politolog polak-amerikan dhe gjeostrateg (strateg i gjeopolitikës), këshilltar i presidentit Lindon Xhonson (Lyndon Baines Johnson, 1908-1973) dhe këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Xhimi Karter (James Earl “Jimmy” Carter, Jr., 1924 -).

*   *   *

Sulmi i Rusisë ndaj Krimesë është shembulli më tipik i agresionit gjatë kohës së paqes në Evropë, që nga koha kur Gjermania naziste e pushtoi Sudetin në vitin 1938. Ishte e pafalshme shpërfillja e leksionit të Munihut, kur kryeministri britanik Artur Nevil Çemberlen (Arthur Neville Chamberlain, 1869-1940) dhe kryeministri francez Eduard Daladie (Ḗdouard Daladier, 1884-1970) e qetësonin diktatorin gjerman Adolf Hitlerin (1889-1945), duke lëshuar pe para kërkesave të tij në Çekosllovaki.

Kur Çemberleni është kthyer nga Munihu në Londër, Uinston Çerçili (Winston Churchill, 1874-1965) i ka thënë: “Keni mundur të zgjidhni midis luftës dhe turpit. Ju paskeni zgjedhur turpin. Tani priteni luftën”.   

*   *   *

Në vitin 1994 Ukraina i dorëzoi armët bërthamore të veta. Tërësinë tokësore të saj do ta garantonin ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia.

Në vitet 2010-2014 Ukraina kishte një qeveri proruse. Pas rënies së kryetarit prorus Viktor Janukoviç, vijnë në fuqi pushtetarë dhe qeveritarë Në zgjedhjet e fundit, në Ukrainë erdhi në pushtet Volodimir Zelenski, njeri me prejardhje hebraike. Ky ishte properëndimor dhe synonte ta anëtarësojë Ukrainën në organizmat euroatlantikë.

Për Moskën, ardhja në pushtet në Ukrainë, e një personi me prejardhje hebraike, është skenar i paramenduar nga Uashingtoni, me qëllim që ky vend të anëtarësohet në NATO.

Agresionin në Ukrainë, Moska e arsyeton duke thënë: “Rusia ndërhyn ushtarakisht, për ta parandaluar anëtarësimin e këtij vendi në NATO”.

A është e arsyeshme të shkaktohet një luftë apo një tragjedi e këtyre përmasave, me dhjetëra mijë të vrarë dhe të plagosur, midis tyre edhe fëmijë, me fëmijë të mbetur bonjakë, me zhvendosje dhe shpërngulje të popullsisë, me dëme të mëdha materiale, me qytete të rrënuara, me infrastrukturë të shkatërruar – për t’u anëtarësuar në NATO?!

Apo do të kishte qenë më e arsyeshme që Ukraina, midis perëndimit, në një anë dhe Rusisë, në anën tjetër – të kishte mbetur asnjanëse.

Mariupoli u rrafshua prej raketave të ariut të veriut, ndërsa qytetarët e kontinentit përcjellin këngët e Eurovisionit dhe shikojnë ndeshjet e Ligës së kampionëve.

Moska nuk e ka analizuar drejt dhe saktë reagimin e ShBA-së, të NATO-s dhe të shteteve, anëtare të BE-së që do të pasonte pas sulmit rus në Ukrainë. Moska nuk e ka pritur një reagim aq të ashpër të Perëndimit ndaj invadimit rus në Ukrainë.

Ndërhyja ushtarake e Rusisë në Ukrainë:

– cenoi autoritetin e ShBA-së, si superfuqi globale;
– cenoi autoritetin e NATO-s, si dhe
– vuri në dyshim prestigjin e BE-së.

Por, Uashingtoni dhe Brukseli nuk i lejuan dhe nuk i mundësuan Rusisë të luajë, të shpërfillë dhe të nëpërkëmbë autoritetin dhe epërsinë politike, ekonomike dhe ushtarake të botës perëndimore.

Nga invadimi i Rusinë në Ukrainë, mund të konstatohet:

– Ushtria e Ukrainës rezultoi e përgatitur për luftë dhe për t’i bërë ballë një fuqie të madhe;

– Populli ukrainas rezultoi si popull atdhetar, patriotik, i gatshëm për të mbrojtur pavarësinë e vendit, dinjitetin dhe identitetin kombëtar;

– Potenciali ushtarak i Rusisë, rezultoi shumë më i vogël se ajo që ka menduar bota;

– Ukrainën e kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin me të gjitha mjetet, ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar;

– ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar nuk varen nga gazi natyror dhe nga nafta ruse;

*   *   *

Lidhur me agresionin e Rusisë në Ukrainë, u duk sikur në radhët e NATO-s dhe të BE-së, mbizotëroi një unitet i plotë. Por, kohezioni i këtij uniteti midis Fuqive të Mëdha të Perëndimit, mbase është i diskutueshëm:

– Lufta në Ukrainë, pavarësisht nga shkaqet dhe preteksti, nuk mirëpritet nga Gjermania dhe nga Franca;

– Gjermania varet nga gazi natyror dhe nga nafta ruse, për dallim nga Mbretëria e Bashkuar apo ShBA-ja, të cilat në këtë pikëpamje, pothuajse fare nuk varen.

27 % të naftës dhe 40 % të gazit natyror, vendet e BE-së e sigurojnë prej Rusisë.

*   *   *

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës çrregullon proceset ekonomike në shkallë globale, për arsye se Rusia i eksporton Evropës dhe vendeve të tjera gaz natyror, naftë, qymyr, grurë etj.   Çrregullimi i ekonomisë gjermane, si pasojë e mungesës së gazit natyror dhe të naftës ruse, çrregullon ekonominë botërore, për arsye se Gjermania është fuqi e katërt ekonomike në botë. Ukraina është një prej hambarëve të Evropës dhe më gjerë, për arsye se është një prej eksportuesve më të mëdha të grurit apo të lulediellit. Çrregullimi i ekonomisë botërore, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, mund të shkaktojë ngritje çmimesh të artikujve ushqimorë si dhe uri në përmasa globale.

Gjermania, e sidomos Franca janë për një Evropë, me më pak Amerikë në të. Këto dy Fuqi të Mëdha të kontinentit janë për një Evropë më të pavarur nga ShBA-ja. Në anën tjetër, Uashingtoni thotë se pa Amerikën, Evropa nuk mund të mbrohet nga rreziku rus. Pa Amerikën, as Ukraina nuk do të mund t’i bënte ballë sulmit rus.

Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy, 1978-) duket sikur është i vetëdijshëm se politika e tij e pabaraspeshuar midis Perëndimit, në një anë dhe Rusisë, në anën tjetër, u mor si pretekst nga Moska për të kryer agresion ndaj Ukrainës. ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar i dërgojnë Ukrainës armë, artikuj ushqimorë, mjete financiare dhe barna, por është Ukraina ajo e cila agresionit rus i bën ballë me gjak.

*   *   *

Paqja midis Ukrainës dhe Rusisë do të arrihet vetëm atëherë kur të thotë Uashingtoni. Është utopi dhe iluzion të mendohet se mund të arrihet paqe midis palëve ndërluftuese, pa pëlqimin dhe pa miratimin e Amerikës. Zvarritja apo zgjatja e luftës në Ukrainë nuk shkon në favor të Rusisë. Çdo ditë e luftës shkon në dëm të saj. Vazhdimi i luftës në Ukrainë i shkakton Rusisë shpenzime të mëdha dhe e dobëson atë. Është akt i pamoralshëm dhe johuman të thuhet se kjo shkon në favor të Amerikës.

Nga embargoja e vendeve të Perëndimit ndaj Rusisë, humbin të dyja palët. Humbin si Rusia, ashtu edhe shumë vende të kontinentit. Humbja është e ndërsjellë. As Perëndimi mund të gjejë rrugë alternative të volitshme për t’u furnizuar me gaz natyror apo me naftë, as Rusia ka ku shet më mirë se në Perëndim gazin natyror, naftën, qymyrin dhe grurin.

Sanksionet që ia janë vendosur Rusisë janë të papërballueshme për Moskën. Askush s’e di se kur do të hiqen ato. Heqjen e sanksioneve dhe të embargos ndaj Rusisë, ShBA-ja do ta kushtëzojë duke i kërkuar asaj:

– T’i tërheqë trupat ushtarake nga tërë territori i Ukrainës;
– T’i paguajë Ukrainës reparacion lufte;
– Të përgjigjet për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit; mbi 4000 civilë janë vrarë; ndërsa 4730 janë plagosur; ndër të vrarët dhe të plagosurit ka edhe shumë fëmijë.

*   *   *

Evropa sot, s’ka filozofë dhe shkrimtarë të mëdhenj si dikur, që do ta ngrinin zërin e protestës kundër agresionit rus dhe ndërthurjes së interesave të Fuqive të Mëdha apo të perandorive. Brenda në Rusi ka diktaturë dhe tirani, kështu që askush s’guxon të mendojë ndryshe për ekspeditën pushtuese të Vladimir Putinit.

*   *   *

Politika e Gjermanisë dhe e Francës ndaj Rusisë në tri dekadat e fundit, i ka shërbyer Moskës për t’u militarizuar dhe për t’i pushtuar viset, zonat apo rajonet e banuara me rusë, të shteteve përreth. Ish-kancelari gjerman Gerhard Shreder (Gerhard Schröder, 1944-) ka qenë shumë i afërt me Putinin. Ai ishte kancelar në vitet 1944-2005. E afërt me Putinin ka qenë edhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (1954-). Ajo shpesh është takuar me Putinin. Mbase rregullisht kanë komunikuar edhe me mjete të komunikimit.

Po kështu edhe presidenti i Francës Emanuel Makron (Emmanuel Macron, 1977-) ka pasur kontakte të shpeshta me Putinin. I afërt me kryetarin rus ka qenë edhe ish-kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni (Silvio Berlusconi, 1936-). Para pushtimeve dhe agresioneve të Putinit, Shrederi, Merkeli dhe Makroni i mbyllnin sytë. Agresioni rus në Ukrainë është edhe pasojë e politikës indiferente të Berlinit dhe të Parisit ndaj hegjemonizmit dhe ekspansionizmit rus në fqinjësi. Ukraina sot e paguan çmimin e pasivitetit të Fuqive të perëndimit. Perandoria e Putinit dhe përmasat e aventurizmit të tij nuk frenohen me politikën e baraspeshësAngela Merkelit.

Shënim: Gerhard Shreder, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore i angazhoi forcat ushtarake gjermane gjatë ndërhyrjes së NATO-s, kundër ushtrisë jugosllave, në vitin 1999. Me këtë rast ai deklaroi: ”Gjenocidit në Jugosllavi nuk mund t’i përgjigjemi me pacifizëm. Gjermania medoemos t’i mbrojë shqiptarët etnikë, viktima të dëbimit, të përdhunimit dhe të vrasjeve”. Por, më 24 prill 2017 Gerhard Shrederi shkon në Beograd për të mbështetur Aleksandar Vuçiqin (1970-) gjatë fushatës parazgjedhore.

*   *   *

Pas përfundimit të luftës në Ukrainë, nuk duket i mundur një takim ndërmjet presidentit amerikan Xhozef “Xho” Bajden, i Riu (Joseph Robinette Biden, Jr., 1942-) dhe Vladimir Putinit. Do të ishte e udhës që me Putinin të mos takohet asnjë kryetar apo kryeministër i cilitdo shtet, anëtar i NATO-s apo i BE-së. Ai duhet të izolohet nga çdo vend i Perëndimit. Për krimet e kryera të ushtrisë ruso-çeçene në Ukraninë, Putini do të duhej të përballet me drejtësinë ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

*   *   *

Lufta çlirimtare e Ukrainës kundër agresionit rus gjithsesi duhet të mbështetet, por nuk është mençuri që kjo të bëhet deri te ukrainasi i fundit. Duhet të kërkohen rrugët që kjo luftë të ndalet sa më parë. Është e pamundur të jenë shterur shtigjet që shpijnë në paqe. Kur të mëdhenjtë ndeshen, pëson bari. Në këtë rast nuk pëson bari, por vriten njerëz.

*   *   *

            satelite politike historike; Në Bosnjë dhe Hercegovinë e ka Republikën Serbe të udhëhequr nga prorusi Millorad Dodik (1959-); në Mal të Zi e ka një kolonë të pestë të përbërë prej malazezëve proserbë dhe prorusë; qarqe proruse ka pasur edhe në Maqedoninë e Veriut. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski (1970-) fare nuk ishte properëndimor. Nuk u vendos rastësisht në Hungarinë e kryeministrit Viktor Orban (1963-), të afërt me Moskën.

*   *   *

Agresionin rus ndaj Ukrainës, shqiptarët e dënuan në shkallë kombi, duke mbështetur njëherazi luftën çlirimtare të popullit ukrainas. Dënimin e invadimit rus dhe luftën çlirimtare të ukrainasve, Kosova në asnjë çast nuk e ndërlidhi me mbylljen e statusit politik të vet. Shqiptarët, në shkallë kombi, në asnjë mënyrë nuk duan të përfitojnë në kurriz të tragjedisë së të tjerëve. Lidhur me ekspansionin e Rusisë ndaj fqinjit të saj – Ukrainës, shqiptarët u rreshtuan në anën e drejtë të historisë.

Serbia ndërkaq, gjakderdhjen në Ukrainë e ndërlidhte dhe vazhdon ta ndërlidhë me aspiratat e veta hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste ndaj Kosovës. Serbia është ndër vendet e rralla të Evropës e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

Serbi! Është johumane të bësh llogaritje për aspiratat e tua anakronike ndaj Kosovës, duke tentuar të përfitosh nga tragjedia e popullit martir të Ukrainës. Ku e ke inteligjencien, Serbi?!

Fuqitë e Mëdha të Perëndimit duhet të pushojnë ta ledhatojnë dhe ta përkëdhelin Serbinë. Në dy dekadat e fundit në Serbi kanë bërë investime të mëdha: Gjermania, Franca, Italia, ShBA-ja. Katër fuqitë e sipërthëna të Perëndimit duhet t’u japin fund investimeve ekonomike në Serbi. I mjaftojnë Serbisë investimet nga Rusia e Putinit, nga Kina, nga Turqia dhe nga ndonjë vend arab.

Ndaj Serbisë proruse, Perëndimi duhet të marra masa të caktuara:

– t’i vihen Serbisë sanksione;
– të përjashtohet Serbia nga Këshilli i Evropës;
– dyert e BE-së, t’i mbyllen Serbisë përgjithmonë.

Qendrat filoserbe të BE-së, ka kohë që e lusin Serbinë t’i vërë sanksione Rusisë. Këto qendra, influente, lodhen kot. Serbe është me Rusinë, sot e mot. Ajo është përçuese historike e interesit rus në gadishull dhe e tillë do të mbetet. Ajo dëshiron t’i përkasë zonës ruse të interesit dhe sferës ruse të ndikimit. Deklaratat e kryekriminelit të rajonit Aleksandar Vuçiqit se midis Rusisë dhe Perëndimit, Serbia dëshiron të qëndrojë asnjanëse – janë gënjeshtër e kulluar. Serbia militarizohet me armë ruse dhe kineze.

*   *   *

Miliona njerëz vijnë nga bota në Evropë, ndërsa qendrat filoserbe të BE-së nuk janë në gjendja t’ia njohin Kosovës demokratike liberalizimin e vizave. Turp! Angela Merkeli gjashtëmbëdhjetë vjet ishte timonierja kryesore e BE-së, nuk ia doli ta mbyllte statusin e Kosovës. Mëkat! Evropë! Kosova është dhimbja e përjetshme e një kombi të tërë, e kombit që ia dha Evropës kryezotin e mesjetës, Gjergj Kastriotin (1405-1468) dhe nobelisten, Të Shenjtën Nënë Terezë (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1907).

ShBA-ja, një ditë e më parë duhet ta pranojë Kosovën në NATO dhe të ushtrojë ndikimin e vet, për ta pranuar në Këshillin e Evropës, përkatësisht në BE.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu