Vazhdimësi, autorësi dhe përgjegjësi artistike

0

Shkruan Zef Ndreka

Arti i madh shqiptar gjendet i mbyllur në një periferi institucionale.

(Refleksione në galerinë private të pikturës Lezhë).

Pamjet e mëposhtme të fotove të Galerisë së pikturave në Lezhë flasin më shumë se çdo njoftim. Këto foto janë dhe do të mbetën akte simbolike kujtese, por edhe denoncimi njëkohësisht.

Shetitja në “Pervathi Galeri” me vepra ndërmjet viteve 1984–2025, më lë veç të tjerave, shijen e një ironie të hidhur. Pamjet nuk janë thjeshtë shëtitje estetike e zakonshme, por mbi të gjitha janë udhëtimi i një trashëgimie artistike që endet sot mes mosvëmendjes nga shteti, harresës nga Ministria e Kulturës.

Është krijuar një kontrast i fortë me godinën e heshtur, të pastër, gati anonime nga jashtë, pikërisht në mes të Lezhës, me përballjen e pasurisë shpirtërore që ruhet brenda saj. Kështu, mund të themi me zë të lart se arti i madh shqiptar gjendet i mbyllur në një periferi institucionale.

Pikturat e Pashk Pervathit, portrete njerëzish të thjeshtë, peizazhe me dritë të brendshme, natyra të qeta me një melankoli të përmbajtur, dëshmojnë një vazhdimësi të ndershme artistike përtej regjimeve, modave dhe politikave kulturore. Këto piktura të kësaj galerie, janë fytyra e Shqipërisë reale, jo asaj të retushuar shumë dimensionale.

Kolazhi i veprave më bën të shtroj një pyetje publike:

Si është e mundur që një galeri me 40 vite jetë të trajtohet si një stacion i përkohshëm nga Ministria e Kulturës?

Në fakt, sot kjo është një akuzë e heshtur dhe harresa institucionale është forma më e butë, por më e rrezikshme e shkatërrimit të kulturës, pavarësisht se më shumë se për vizitorët, kjo “shëtitje” në këtë galeri është për ndërgjegjen tonë kolektive.

Duhet theksuar se “Përvathi Galeri” nuk është vetëm një hapësirë ekspozimi, por një institucion i krijuar nga vepra, një arkiv i gjallë i pikturës shqiptare përgjatë dekadave.

Kanë lindur disa galeri dhe kanë vdekur me projekte afatshkurtëra, por kjo galeri përfaqëson vazhdimësi, autorësi dhe përgjegjësi artistike.

Janë pikërisht këto tre nocione që mungojnë thellësisht në politikat zyrtare kulturore në Shqipëri.

Si ngjarja kulmore e artit për vitin 2025, por që anashkalohet nga Ministria e Kulturës, nuk mund ta konsideroj si fakt neglizhence, por si simptomë të një modeli të gabuar. Institucionet shtetërore, sidomos në Ministrinë e Kulturës, sot investojnë tek spektaklet kalimtare, tek eventet që prodhojnë vetëm imazhe dhe jo tek veprat që prodhojnë kujtesë.

Harresa e “Përvathi Galeri” është veçanërisht e pakuptimtë, sepse kemi të bëjmë me një autor të kanonizuar të pikturës shqiptare, me një galeri unike në tipologjinë e saj, të ndërtuar mbi një opus të plotë e koherent, me një akt kulturor privat që kryen funksion publik, pa asnjë barrë për shtetin.

Faktikisht, heshtja institucionale tregon një krizë kriteresh, ku rëndësitë artistike nuk përkthehen më në prioritete kulturore.

Kështu, kur Ministria e Kulturës nuk njeh ngjarjet reale të artit, sigurisht që rrezikon të kthehet në ministri të administrimit të zbrazëtisë.

Gjithsesi, “Përvathi Galeri” do të mbetet, pavarësisht kësaj harrese, një pikë referimi për çdo artdashës dhe për turistët. Por duket se institucionet do të mbeten jashtë historisë që po shkruhen nga vetë artistët…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu