Shkruan Kim Mehmeti
Plot metropole të botës kanë më shumë prostituta e kriminelë seç ka Shqipëria banorë, por kjo fare nuk i bënë ato të duken ashtu siç duket në masë të madhe sot mëmëdheu ynë: si e lënë në duart e makrove të shtëpive publike!
Ku ta dish, mbase edhe s’kishte si të ndodhte ndryshe në një vend ku koka të mençura dolën dhe paturpshëm i thanë popullit se shtet mund të ndërtosh edhe me ‘qelbësira’ – edhe me muratorët e gropave septike!
Ku ta dish pra, e marr peng nga ‘vëllazëria e qelbësirave’, Shqipëria mbase edhe nuk mund të arrinte më larg se këtu ku ndodhet sot: të jetë vend ku ka shumë media, por pak vërtetësi dhe ku televizionet e shumta të ngjajnë në dritare të muruara nga gënjeshtrat e ‘Rilindjes’.
Kur jemi te TV-të e shumta të Shqipërisë nuk mund njeriu të mos shprehë keqardhje për sulmin barbar mbi Top Channel. E ku humbi jetën rojtari fatkeq me pesë lekë në xhep, i cili kurrë nuk do e kuptojë se ‘Topi i Tanit’, me të cilin mburrej e tërë shqiptari dhe, ky i sotmi ku kryetari i Bashkisë së Tiranës i transmeton videot që ai vet i regjistron, ‘Për’puthen’ vetëm në një pikë: aty ku ky i sotmi që lufton për ‘klikueshmëri’, përgjithmonë u nda nga ai i dikurshmi që mburrej me shikueshmëri e shqiptari!
Po pra, shumë metropole të botës kanë më shumë televizione ku reklamohen ‘kurvat’’ e qytetit se saç ka Shqipëria shkolla të mesme, por kjo fare nuk të bënë të ndjehesh ashtu siç ndjehesh posa arrin në Tiranë: se mediat janë varre ku kalbet e vërteta, e klikimet krimba që e hanë kufomën e saj.