Vetëm dënimi me vdekje mund t’i ndalojë vrasjet brenda shoqërisë dhe kombit shqiptar!

0

Shkruan Rexhep Elezaj

Mjerisht, nuk ka ditë që shqiptarët kudo që janë, të mos zgjohen në mëngjes e të mos lexojnë si lajm të parë në medie, se në këtë dhe atë qytet shqiptar, në këtë dhe atë lokal, në këtë rrugë dhe atë lagje, në shtëpia dhe banesa, filan-fisteku e paska vra gruan, tjetri e paska vra axhën, kushëririn, dhëndrin, vëllain, se ky biznesmen dhe e ai politikan qenkan vrarë nga banditë dhe grupe kriminale, se në Vlorë janë likuiduar mizorisht tre veta, se në Tiranë, Tetovë, Prishtinë, Pejë, Drenicë dhe Llap, qenkan ekzekutuar dy-tre persona, se një person u vra sot në këtë ose atë banesë, se burri vrau gruan, se gruaja e mbyti burrin në gjumë, se dy të rinj therën njëri tjetrin me thikë, se filani privoi nga jeta të dashurën apo gruan e tij, se në këtë apo atë lokal u vranë dhe u plagosën disa veta, rasti në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, se një i panjohur me maskë në kokë hyri dhe vrau një person dhe plagosi disa njerëz, siç ishte rasti i sotëm në Runik të Skenderajt, dhe kështu vrasje pas vrasjeje, ku vetëm brenda vitit 2021 në Kosovë janë vrarë 19 veta, ndërsa në Shqipëri në vitin 2022 janë vrarë mbi 27 shqiptarë, shumica njerëz të pafajshëm..!?

Pra, sipas Policisë së Kosovës në katër mujorin e parë të vitit 2023 janë raportuar tetë vrasje, katër prej të cilave vrasje të rënda, ndërsa gjatë vitit 2021 në Kosovë ndodhën 19 vrasje, në vitin 2018 u kryen 34 vrasje, në vitin 2019, 20 vrasje, në vitin 2020, 27 vrasje, në vitin 2021, 19 vrasje, që i bie se nga viti 2016 e deri në gusht të vitit 2021, në Republikën e Kosovës kanë ndodhur 154 vrasje, prej të cilave 79 janë cilësuar si vrasje të rënda, ndërkaq 75 si vrasje. Kurse, brenda dhjetë viteve në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës kanë ndodhur 419 vrasje.
Një bilanc tragjik të vrasjeve e kemi edhe në Shqipëri, ku vetëm në vitin 2023 janë regjistruar në total 27 vrasje, ku 10 nga viktimat janë gra, ndërsa numri i vrasjeve në Shqipëri nga viti 2017 deri në vitin 2021 kapë shifrën prej 272 personave të vrarë me dashje, gjë që kjo dukuri kriminale në Kosovë dhe Shqipëri do duhej të nxiste alarm të madh brenda shoqërisë dhe kombit shqiptar, e cila si një akt hakmarrjeje primitive dhe si murtajë e zezë brenda qenies kolektive shqiptare, përveç humbjes së njerëzve më të dashur në familjet shqiptare, në fakt kjo dukuri e shëmtuar po e shkatërron rënd imazhin e kombit shqiptar në Evropë dhe botë, duke bërë që të tjerët të na cilësojnë si njerëz të egër dhe si shoqëri anti-civilizuese.

edhe pse dënimin me vdekje e kanë hequr me ligj shumë shtete në botë, mendoj se në rastin tonë, si popull dhe njerëz që ende bartin mentalitet arkaik dhe tradita të Kanunit të Lekë Dukagjinit, sidomos motiveve të ulëta për hak dhe gjakmarrje, i vetmi mekanizëm dhe mjet për ndalimin e vrasjeve brenda-shqiptare, do të ishte aprovimi me ligj i dënimit me vdekje për secilin person i cili vret një qenie njerëzore, siç është njeriu, pa marrë parasysh motivet, shkaqet dhe llojin e nxitjes së akteve kriminale kundër jetës së njeriut, si qenia më fisnike e shoqërisë dhe e njerëzimit.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu