Vrasja e 3 ushtarëve të SHBA-së në Jordani, senatori amerikan thirrje për sulm ndaj Iranit

0

Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe 25 mbetën të plagosur në një sulm me dron në një bazë amerikane në Jordani.

Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) tha në një deklaratë se viktimat u shkaktuan nga një sulm me dron në një bazë në Jordaninë verilindore, pranë kufirit me Sirinë.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se sulmi u krye nga “grupe militante radikale të mbështetura nga Irani”.

Më i ashpër ka qenë reagimi i senatorit amerikan Lindsay Graham, i cili ka kërkuar që SHBA-ja të nisë sulmet ndaj Iranit.

Në një postim në rrjetet sociale ai akuzon administratën Biden se ka dështuar të frenojë Iranin. “Godisni Iranin menjëherë, goditeni fort”, shkruan ai ndër të tjera.

Vrasja e tre ushtarëve të SHBA-së në Jordani, senatori

Presidenti Biden tha se sulmi me dron që vrau tre trupa amerikane në Jordaninë verilindore ishte kryer nga grupet militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak.

“Sot, zemra e Amerikës është e rënduar. Natën e kaluar, tre anëtarë të shërbimit amerikan u vranë – dhe shumë u plagosën – gjatë një sulmi me dron pa pilot ndaj forcave tona të vendosura në Jordaninë verilindore pranë kufirit me Sirinë.  Ndërsa ne jemi ende duke mbledhur faktet e këtij sulmi, ne e dimë se ai është kryer nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak.

Jill dhe unë bashkohemi me familjet dhe miqtë e të rënëve tanë dhe amerikanëve anembanë vendit – në pikëllimin e humbjes së këtyre luftëtarëve në këtë sulm të neveritshëm dhe tërësisht të padrejtë”, tha Biden.

Ai e përfundoi deklaratën duke thënë se SHBA do të vazhdojë angazhimin për të luftuar terrorizmin. Ky sulm me pasojë humbjen e jetëve të ushtarëve amerikanë, mund të sjellë shumë shpejt përshkallëzimin e luftës në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, televizioni shtetëror jordanez citoi një zëdhënës të qeverisë jordaneze, Muhannad Mubaidin, i cili këmbënguli se sulmi ndodhi jashtë mbretërisë, përtej kufirit, në Siri. Zyrtarët amerikanë këmbëngulën se sulmi ndodhi në Jordani.

Rreth 3,000 trupa amerikane janë të stacionuar në Jordani, një vend që kufizohet me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë. Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara njoftoi se krahas 3 ushtarëve të vrarë, u plagosën edhe 25 pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane.

Sulmi shënon vdekjet e para mes trupave amerikane në rajon që nga fillimi i luftës në Gazë.

Sulmi përshkallëzon edhe më tej situatën tashmë të tensionuar në Lindjen e Mesme si rezultat i konfliktit në Gazë, që u nxit nga sulmi i militantëve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, gjatë të cilit u vranë 1200 persona. Ofensiva izraelite që pasoi në Rripin e Gazës ka shkaktuar vrasjen e mbi 26,000 palestinezëve, sipas ministrisë lokale të shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë mbajtur qëndrimin zyrtar se Uashingtoni nuk është në luftë në rajon, ushtria ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave të lëvizjes jemenase Houthi e cila ka sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq.

Që nga fillimi i konfliktit në Rripin e Gazës, trupat amerikane në Irak dhe Siri janë përballur me sulme me dronë dhe raketa. Sulmi në Jordani shënon rastin e parë që trupat amerikane sulmohen në atë vend.

Muajt e fundit ushtria amerikane ka goditur objektiva në Irak, Siri dhe Jemen në përgjigje të sulmeve nga forcave amerikane në rajon dhe për të penguar rebelët Houthi të mbështetur nga Irani që të vazhdojnë të kërcënojnë transportin tregtar në Detin e Kuq.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu