Zbulohet kush ishte agjenti tjetër i FBI në darkën Rama-McGonigal, mori kontratë të majme nga qeveria

0

Në dosjen hetimore të Departamentit të Drejtësisë për rastin e Charles McGonigal, thuhet se ky i fundit është takuar të paktën katër herë me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

Këto janë takime të dokumentuara nga hetuesit amerikanë.

Në dy raste, Rama është takuar dhe ka darkuar në SHBA më McGonigal. Në një rast ka darkuar në Nju Jork dhe në rastin tjetër në Uashington.

Por në darkën e Uashingtonit më 4 mars të vitit 2018, përveç McGonigal dhe Agron Nezës, i pranishëm ka qenë edhe një ish-agjent special i FBI. Kështu thuhet në dosjen amerikane të Ramës. Eksperti amerikan, Stephen McIntyre, shkruan se me shumë mundësi bëhet fjalë për ish-agjentin special, Lou Bladel. Ky i fundit ka qenë paraardhësi i McGonigal në postin e lartë të kundërzbulimit të FBI.

Më pas krijoi një firmë konsulente, e cila sipas McIntyre mori një kontratë të majme nga qeveria shqiptare në maj të vitit 2018. Vetëm disa muaj pas takimit me Ramën, ai mori kontratën nga qeveria shqiptare.

“Lou Bladel është paraardhësi i Charles McGonigal në postin e shefit të kundër inteligjencës në zyrën e Nju Jorkut. Bladel qëndroi në detyrë deri në 2016, kur u zëvendësua nga McGonigal, për t’u tërhequr në sektorin privat, duke kaluar tek “Ernst&Young”.

Në vitin 2018, qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje me “Ernst&Young” për të luftuar krimin dhe evazionin fiskal. Lou Bladel erdhi të punonte në Shqipëri dhe u emërua nga kryeministri Rama si shefi i strukturës së posaçme, të ngritur pranë qeverisë,” shkruan gazetari Klodian Tomorri.

“I uroj mirëseardhjen në Shqipëri skuadrës së Ernst & Young. Dua ta nënvizoj qysh në fillim se përtej emrit të madh, të njohur botërisht, vlera e kësaj skuadre që vjen në Shqipëri, për të punuar me agjencitë tona kundër krimit ekonomik dhe evazionit, qëndron në faktin se, së pari, është një skuadër gjermano-amerikane, apo amerikano-gjermane si të doni, me dy drejtues, përkatësisht zotin Bladel (Louis) dhe zotin Heissner (Stefan), i pari me një eksperiencë të njohur botërisht si një ndër drejtuesit e FBI-së dhe i dyti me një eksperiencë, po ashtu shumë të vyer, si pjesë edhe pastaj si një person që ka mbuluar pozicione drejtuese në strukturat e shtetit gjerman kundër krimit ekonomik.

Nga ana tjetër është e rëndësishme që kjo marrëveshje nuk është një marrëveshje konsulence, por është një marrëveshje veprimtarie të përbashkët në terren. Një ekip i gjerë gjermano-amerikan ekspertësh do të vendoset këtu në Shqipëri dhe do të punojë ngushtësisht me strukturat e hetimit të Ministrisë së Financave, hetimit tatimor, hetimit doganor dhe strukturën e krimit ekonomik të Policisë së Shtetit, për të mundësuar, nga njëra anë, çeljen e një procesi pune të përbashkët me një metodologji bashkëkohore dhe të sofistikuar dhe nga ana tjetër, rritjen e kapaciteteve të këtyre agjencive në goditjen e një fenomeni me të cilin është koha që të merremi edhe më thellësisht, pasi kemi shënuar disa rezultate të rëndësishme,” pati deklaruar Edi Rama kur nënshkroi kontratën me Bladel.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu