Zgjedhjet në Amerikë, si garë mes Ramës e Berishës

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Zgjedhjet në Amerikë, shqiptarët e thjeshtë, i shohin më shumë si garë mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, se sa si zhvillim i demokracisë moderne.

Është aty-aty, si të thuash, se lufta e Trojës është edhe e shqiptarëve aq sa e grekëve, meqë bëhej përleshje mes fiseve.

Edhe në zgjedhjet afatmesme të Amerikës garojnë dy “fise”, republikanët e demokratët, ndaj ka ankth nga palca e pasurive të vjedhura e deri në detajet metodike brenda kangjellave të ambasadës këtu në Tiranë. Themi kangjellave, pasi ende asnjë zë i pritshëm nga “melodia” e viktimave, nuk ka “trembur” një hajdut, kriminel apo vrasës të veshur me pushtet.

Edhe demokracia, nganjëherë “rebelohet”   

Ja, në “mesjetën” e 6 janarit 2021, një “fis” vrau 5 persona nga “fisi” tjetër, vetëm se demokracia nuk duronte “kapistër”.

Në Kapitol, në Kongres të “Shtëpisë së Bardhë”, gjakrat u nxehën se kush e kap për “brirësh” kafshën “demokraci” .

Po vuan kjo botë, ta “zbutë” pjesën e tmerrshme të egërsisë. Në këtë betejë, edhe ne kemi “heronjtë” tanë.

Në zgjedhjet e fundit, Pjerin Xhuvani, ra në krye të detyrës partiake, duke u përpjekur për votat në Elbasan.

Ndodhin këto, pasi ende themelet e historisë moderne të demokracisë dhe lirisë njerëzore, nuk i mbajnë peshat e rënda të interesave.

Prandaj i gjurmojmë shpresat, edhe kur janë të frikshme.

Ja, hajdutët, non-gratat, kriminelët, diplomatët, janë me veshë të ngritur e sytë katër, për orientimin filozofik të politikës dhe ekonomisë amerikane pas zgjedhjeve afatmesme.

Afatet dhe fatet tona, por edhe të Veriut të Kosovës, non-gratës Sali Berisha, Ukrainës, Ilir Metës, Rusisë dhe Edi Ramës, janë të lidhura rreth Amerikës, si ajo kulpra në trup të shelgut.

Rezultatet e para po bëjnë zhurmë.

Atmosfera në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin a SHBA-ve ,mund të “asgjësojë” jo vetëm legjislativin e vijës së demokratëve, por edhe të ngrejë “dallgë” deri në përplasje “tonesh” fizike e tonalitetesh financiare, pse jo edhe hetime partiake, e deri shkarkim të Presidentit Joe Biden.

Telekomandimi mbi krimin në Ballkan, me “bateri” të reja, nuk dihet ku i “stacionon” Sali Berishën e Ilir Metën, se ta pranojmë, formacionin e skuadrës politike e kemi, si në fillim të “thesit” ashtu edhe në fund të tij.

Rezultatet e para të republikanëve, “lindën” dy lajme që mbështjellën Botën me shpresë e ankth.

Shumë pjesëve të Globit, Rusisë, Ukrainës, Botës Arabe, Kinës, etj., u ra për shtat lajmi nga përfaqësuesi republikan Kevin McCarthy, që fitorja e afatmesmeve nuk  përjashton mundësinë e shkarkimit të Presidentit Joe  Biden, pavarësisht mungesës së ndonjë prove se ai mund të ketë vjedhur vota.

Po ç’do ndodhë?

Balancat biologjike, në mes të pushtetit, mund të shkruajnë të tjera histori në rendin modern të demokracisë. Shumë të ndjeshme janë bllokimi i të drejtave të abortit, ndryshimet klimaterike, piketat për borxhet, bllokimi i ndihmave në Ukrainë e deri tek hetimi për administratën dhe familjen e Presidentit Joe Biden, që nënkupton edhe shkarkimin e tij.

Strategjia e ish presidentit Donald Trump se votat ja paska vjedhur një i paaftë para dy viteve, për disa është cinizëm i programuar, për të tjerë podium shprese për drejtësi.

Po të mos i pranonte Amerika këto dominanca, këto frekuenca që ndikojnë shërbimet informative dhe legjislative, botëkuptimi politik dhe ekonomik do dilte keq, aq sa do të veniste edhe shpresat.

Se zgjedhjet atje janë shpresë, është mirë që lidhen e zgjidhen fatet e Botës në afatmesmet e Amerikës.

Edhe hajdutët tanë, kanë arsye t’i shohin Zgjedhjet në Amerikë, si garë mes Ramës e Berishës./Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu