10 vite “reformë” në drejtësi / I premtuan qytetarëve shtet të së drejtës, sollën zvarritje, poshtërim dhe funeralin e vetë drejtësisë

0

Shkruan Avokat Arben Llangozi

Për një dekadë me radhë publikut i është shitur si triumf një reformë që supozohej të pastronte sistemin, të garantonte pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, të përmirësonte aksesin në gjykatë, të shkurtonte afatet e gjykimit dhe t’i kthente besimin qytetarit. Por realiteti i përditshëm është krejt tjetër. Sot qytetari përballet me zvarritje pa fund, me mungesë aksesi real në gjykatë, me procese që shtyhen vazhdimisht, me mungesë infrastrukture, me mbingarkesë ekstreme dhe me një klimë të rëndë mosllogaridhënieje që e ka kthyer sistemin në një strukturë të mbyllur, të lodhur dhe shpeshherë të pandjeshme ndaj halleve të njerëzve.
Askush nuk mund të mohojë se edhe para vitit 2016 drejtësia shqiptare kishte probleme serioze. Kishte korrupsion, kishte ndikime, kishte gjyqtarë e prokurorë që nuk e meritonin funksionin. Por, pavarësisht të gjitha këtyre, qytetari kishte ende ndjesinë se sistemi lëvizte, se çështjet gjykoheshin, se procesi ecte dhe se afatet, në shumë raste, ishin të përballueshme. Seancat nuk zvarriteshin pafundësisht, distanca midis një seance dhe tjetrës ishte më e arsyeshme dhe nuk e kalonin 30 ditw dhe ekzistonte të paktën një lloj frike nga ligji, nga kontrolli institucional dhe nga përgjegjësia publike. Ishte një drejtësi me shumë mangësi, por jo një drejtësi e paralizuar. Sot, pas dhjetë vitesh “reformë”, kemi përfunduar përballë një sistemi që në shumë raste nuk të jep më as shpresën minimale se do të marrësh drejtësi në kohë dhe me standard.
Dhe kjo nuk është më thjesht perceptim publik, as ankesë e avokatëve, as nervozizëm i palëve në proces. Këtë e pranon vetë sistemi me dokument zyrtar. Mjafton të lexohet shkresa e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, nr. 2578/1 Prot, datë 10.03.2026, për të kuptuar se pas një dekade reformë, bilanci real nuk është forcimi i drejtësisë, por rrënimi i saj funksional. Vetë kjo shkresë pranon se në këtë gjykatë aktualisht ushtrojnë detyrën vetëm 39 gjyqtarë, ndërkohë që organika e miratuar është 78 gjyqtarë. Pra, gjykata funksionon me gjysmën e trupës gjyqësore dhe me 39 vakanca të paplotësuara.
Ky nuk është thjesht një problem administrativ. Ky është portreti i qartë i një drejtësie të gjymtuar. Sepse kur pas dhjetë vitesh reformë gjykata e apelit funksionon me gjysmën e kapacitetit njerëzor që duhet të kishte, atëherë nuk kemi të bëjmë me sukses, por me një dështim të rëndë shtetëror. Edhe më tronditëse është se vetë shkresa pranon se kjo situatë nuk është as e rastësishme dhe as e përkohshme. Për vite me radhë gjykata ka funksionuar me organikë të paplotë, duke zbritur në nivele alarmante: në vitin 2019 kanë ushtruar funksionin 18 gjyqtarë, në vitin 2020 vetëm 12, në vitin 2021 vetëm 6, në vitin 2022 sërish 12, ndërsa mesatarisht 23 në vitin 2023, 26 në vitin 2024 dhe 27 në vitin 2025. Kjo do të thotë se për vite të tëra qytetarit i është shitur miti i “drejtësisë së re”, ndërkohë që vetë sistemi pranon se ka qenë në gjendje pothuajse kolapsi.
Pra, zvarritja e proceseve, shtyrjet pa fund, pritjet e pafundme dhe humbja e aksesit nuk janë as rastësi, as ekzagjerime. Janë pasojë direkte e një strukture të shkatërruar nga brenda. Po vetë shkresa e thotë shprehimisht, zvarritja e proceseve gjyqësore është ndikuar kryesisht nga numri i kufizuar i gjyqtarëve, nga volumi i lartë i çështjeve në shqyrtim dhe nga vakancat e krijuara ndër vite. Pra, sistemi e pranon me dorën e vet se vonesat nuk janë devijim i rastit, por produkt i drejtpërdrejtë i dështimit institucional.
Dhe kur hyn te shifrat, tabloja bëhet edhe më e rëndë. Në fund të vitit 2025, sipas po kësaj shkrese, stoku i çështjeve të pagjykuara ishte 45.876 çështje, ndërsa ngarkesa mesatare për çdo gjyqtar ishte rreth 1700 çështje. Kjo nuk është statistikë që flet për drejtësi funksionale. Kjo është statistikë që flet për mbytje të sistemit, për asfiksi institucionale, për një mekanizëm që mezi mbahet në këmbë. Sepse kur një gjyqtar ka mesatarisht 1700 çështje mbi tavolinë, askush nuk mund të flasë seriozisht për gjykim cilësor, të shpejtë dhe efektiv. Në atë pikë, procesi nuk është më garanci; procesi bëhet barrë. Nuk është më mjet zgjidhjeje, bëhet instrument lodhjeje. Nuk është më mbrojtje e së drejtës, bëhet kalvar.
Por dështimi nuk ndalet vetëm te mungesa e gjyqtarëve dhe te stoku monstruoz i dosjeve. Vetë shkresa pranon se gjykata ushtron veprimtarinë vetëm në 8 salla gjyqi. Po ashtu, për shkak të mungesës së infrastrukturës, zyra e informacionit shërben në ambientet rrethuese të godinës, me dy sportele me shërbim nga jashtë e cila sherben nw shi e breshwr. Dhe më e rënda, në gjykatë nuk ekziston një ambient i posaçëm për takimin konfidencial ndërmjet avokatit dhe klientit të arrestuar, duke u pranuar se ky takim realizohet vetëm në momentin e zhvillimit të seancës gjyqësore. Kjo është goditje e drejtpërdrejtë ndaj standardit minimal të mbrojtjes efektive, ndaj barazisë së armëve dhe ndaj vetë kuptimit praktik të procesit të rregullt ligjor.
Këtu bie maska e të gjithë propagandës. Për dhjetë vjet qytetarëve u është thënë se reforma do të sillte standard europian, dinjitet institucional, efikasitet dhe garantim real të të drejtave. Në të vërtetë, vetë dokumenti zyrtar i sistemit tregon të kundërtën, mungesë gjyqtarësh, vakanca masive, ngarkesë çnjerëzore, stok të frikshëm çështjesh, kapacitete të pamjaftueshme, mungesë ambientesh dhe kufizim praktik të së drejtës së mbrojtjes. Kjo nuk është reformë që ka ngecur. Kjo është reformë që ka prodhuar deformim.
Sot problemi nuk është më vetëm korrupsioni në kuptimin klasik të fjalës. Problemi është më i thellë, drejtësia është bërë e paarritshme për qytetarin e zakonshëm. Një proces gjyqësor nuk perceptohet më si mjet për të zgjidhur një konflikt apo për të mbrojtur një të drejtë, por si një rrugë e gjatë lodhjeje, shpenzimesh, vonesash dhe pasigurie. Në vend që reforma të prodhonte efikasitet, ajo ka prodhuar stoqe masive çështjesh. Në vend që të sillte standard, ka sjellë ngadalësim kronik. Në vend që të rriste besimin, ka thelluar mosbesimin. Në vend që të forconte përgjegjshmërinë, ka krijuar një kastë funksionarësh që në shumë raste sillen me arrogancën e pushtetit, të shkëputur nga realiteti i qytetarit dhe nga vuajtja konkrete që sjell çdo vonesë gjyqësore.
Ky është thelbi i tragjedisë së sotme, drejtësia nuk po perceptohet më si garanci kushtetuese, por si mur burokratik. Qytetari nuk hyn më në gjykatë me bindjen se do të dëgjohet, por me frikën se do të humbasë vite të tëra në korridore, në sportele, në shtyrje, në mungesa trupash gjykuese dhe në procedura që zvarriten pa mbarim. Kjo është goditja më e rëndë që mund t’i bëhet shtetit të së drejtës, sepse drejtësia nuk vdes vetëm kur korruptohet; drejtësia vdes edhe kur bëhet e paarritshme, kur bëhet e ngadaltë deri në absurd, kur qytetari lodhet para se të marrë një përgjigje dhe kur vetë procesi shndërrohet në dënim.
Dhjetë vite më pas, bilanci është i pamëshirshëm. Në vend të një drejtësie më të afërt me qytetarin, kemi një drejtësi më të largët. Në vend të një drejtësie më të shpejtë, kemi një drejtësi më të ngadaltë. Në vend të një drejtësie më të përgjegjshme, kemi një drejtësi që shpesh nuk jep llogari. Në vend të një drejtësie më dinjitoze, kemi një sistem që jep shenja të qarta rrënimi institucional, organizativ dhe funksional. Dhe kur këtij realiteti i shtohet mungesa e etikës, klientelizmi, militantizmi dhe degradimi i standardit institucional, atëherë kemi përpara jo thjesht krizë, por një krizë të rëndë besimi dhe legjitimiteti.
Dhjetë vite reformë në drejtësi kanë prodhuar një paradoks të hidhur, sa më shumë u fol për drejtësi të re, aq më shumë qytetari ndjeu mungesën e drejtësisë reale. Sot kemi më shumë lodhje se shpresë, më shumë pritje se zgjidhje, më shumë propagandë se rezultate dhe më shumë pushtet të pambajtur nën kontroll sesa shërbim ndaj publikut. Dhe kur vetë shkresa zyrtare e sistemit pranon një tablo të tillë, atëherë duhet thënë troç: kjo nuk është fitore e reformës, por dëshmia më e qartë e dështimit të saj historik.
Mbaj mend se në një çështje në Elbasan, vetëm sepse gjyqtari Bujar Musta kishte shtyrë seancën me dy muaj, iu drejtova Gjykatës Kushtetuese dhe 9 gjyqtarë konstatuan shkelje të procesit të rregullt ligjor; sot, përkundrazi, jemi përballë një sistemi ku zvarritja është bërë normë, patronazhizmi ka hyrë deri në palcë, prokurorë arrogantë sillen sikur janë mbi ligjin, gjyqtarë që në vend të jenë gardianë të paanshmërisë kthehen në noterë të prokurorisë, ndërsa reforma që iu shit publikut si pastrim i drejtësisë është katandisur, në sytë e qytetarëve, në një mekanizëm degradimi institucional e moral, ku zyrat e drejtësisë nuk perceptohen më si tempuj të ligjit por si tempuj orgjish.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu