Ooo SPAK, ja momenti i atentatit ndaj Salvador Kaçit në maj 2023! Dy makina i presin rrugën në aksin Lezhë-Milot

0

Pas rreth 5 muajsh, është publikuar video e atentatit të ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, Salvador Kaçi. Ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha që ka ndarë videon, ndërsa siç shihet Kaçi ka shpëtuar falë manovrës që shoferi i tij ka bërë.

Në video shihet se si dy makina i presin rrugën në aksin Lezhë-Milot. Pasi i pritet rruga, atentatorët zbresin nga makina dhe qëllojnë në drejtim të mjetit të Kaçit. Më pas makina e Kaçit është kthyer mbrapsht duke i shpëtuar kështu këtij atentati ndaj tij më 14 maj, ditën e zgjedhjeve vendore.

Ndërkohë, Berisha sërish ka mbajtur të njëjtin qëndrim për atentatin ndaj përfaqësuesit të opozitës, duke thënë se pas kësaj ngjarje fshihet Edi Rama. Sipas Berishës, ishin bandat e Pjerin Ndreut që i bllokuan rrugën me makina dhe i ndoqën me armë për t’i qëlluar. Sipas Berishës, Rama i ka mbrojtur ata që organizuan atentatin.

“Aktet horror në farsën elektorale të 14 majit mbeten dëshmi flagrante e asaj që domethënë se në këtë farsë krimi u shndërrua në votë dhe vota u shndërrua në krim. Më datën 14 maj këtu së bashku kam denoncuar atentatin e dështuar të organizuar nga bandat kriminale ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Shëngjinit, njërit prej futbollistëve më të shquar të vendit, demokrati Salvador Kaçaj, i cili po kalonte, së bashku me të birin po udhëtonte dhe banditë të armatosur i dalin përpara për ta ekzekutuar, por një manovrim i shpejtë i shoferit e bëri të pamundur aktin e tyre kriminal.

Edi Rama reagoi menjëherë me një cinizëm, me një tallje ndaj këtij akti, se ky akt ishte një shpikje e Salvador Kaçajt dhe s’kishte ndodhur kurrë. U desh kohë që të siguronim videon e këtij akti kriminal, dhe unë jam sot këtu për të paraqitur para jush këtë video në të cilën tregohet qartë se si i zunë rrugën makinës së tij, dhe se si kriminelët i zunë rrugën dhe të armatosur dolën për të kryer krimin makabër, por dështuan. Kjo ishte mbrojtja që kreu i organizatës kriminale qeveritare iu bëri atentatorëve, mbrojtja publike.

Mos u çudisni që vrasësit me pagesë, të kenë qenë të pranishëm në sallë duke duartrokitur bosin e krimit shqiptar, Edi Ramën. Një gaz të veçantë, siç e patë në fytyrë, kishte Pirini, siç po e thërrasin zakonisht Pjerinin, i cili e dinë që mandati i tij qendron mbi krimin. E dinë që nuk ka asgjë me vullnetin e qytetarëve të Bashkisë së Lezhës. Paraqita këtë akt, paraqita këtë moment, sepse u desh shumë e shumë kohë që ne të mund të siguronim këtë video, aktakuzë e rëndë për Edi Ramën, Pjerin Ndreun, procesin zgjedhor, farsën elektorale të 14 majit 2023. Kjo video, ky dokument vërteton edhe njëherë se mandatet e krimit kurrë nuk duhet të pranohen dhe kurrë nuk duhet të njihen”, tha Berisha.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu