Disa orë para se të shfaqej në emisionin ‘Fiks Fare’ duke ndjekur nga pas ish zv/kryeministren Belinda Balluku, me stilin dhe zellin kur ishte tek ‘Piranjat’, gazetarja Kamila Xhakaj ka pësuar një aksident të rëndë me motorr, duke përfunduar në Spitalin e Traumës, me thyerje gjymtyrësh.
E pasionuar pas motorrave dhe për manovra stoppie (ngritja e motorrit në gomë të parë dhe anasjelltas), gazetarja e ka pësuar aksidentin e rëndë pasi i doli në befasi Ballukut te zona e njohur si Kompleksi Nobis, duke akuzuar për kanosjen e një dëshmitareje të pretenduar të SPAK, madje duke aluduar edhe për ‘eliminimin’ e burrit të saj me metoda të KGB-së si helmim afatagjatë, goditje me valë apo hedhje nga ballkoni inskenuar si vetëvrasje.
Dyshimet për një ‘dorë të zezë’ shtohen kur më parë, Kamila Xhakaj, ka qenë gazetare pranë Syrit Tv, televizionit të Familjes Berisha, më konkretisht pjesë e emisionit ‘Piranjat’, duke ndjekur nga pas përfaqësues të pushtetit, madje duke kapërcyer gardhe, roje dhe shtyrë dyer si të ishte pjesë e ‘RENEA’.


Belinda Balluku akuzohet se ka dorë në arrestimin e Gys Agasit, në arrestimin e Veliajt, në lotët e Mirlinda Karçanajt, në goditjen e Vlora Hysenit, në shkarkimin e Elisa Spiropalit, në hakerimin e videove të Adi Hilës, në rënien dhe ngritjen e shumë ministrave, në kopsitjen e dosjes Bankers, madje zonja Balluku dyshohet se ka gisht edhe në luftën në Gaza, arrestimin e ish shefit të shërbimit sekret gjerman, tek disa aeroplanë spiunë të zbuluar nga rusët deri tek ndryshimi i drejtimit të një komete. Në këto rrethana pse mos të ketë gisht edhe në aksidentin e gazetares që e ndoqi nga pas?!








