Avokati Idajet Beqiri thotë se ish kryeministri Sali Berisha e ka shkelur masën e vendosur ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pasi për të disatën herë ka mbajtur fjalime në ballkonin e banesës së tij dhe ka komunikuar, diçka që nuk i lejohet.
Në një intervistë për “Ora e Fundit’ në ABC News, Beqiri u shpreh se SPAK duhet të veprojë.
Sipas Beqirit, krimet e kryera nga Berisha janë të dukshme, teksa shtoi se edhe disa nga mbështetësit e tij që mblidhen poshtë ballkonit të tij, kanë kryer krime.
“Është duke e shkelur dhe po e shkel rëndë madje, shikoj vonesë nga SPAK për të vepruar nga ana jurdiike. Në situata të tilla, nëse do të ndodhte me një qytetar tjetër të Republikës së Shqipërisë, vetëm një herë mund të lejohej dalja me mikrofon dhe komunikim me njerëz, kurse herën e dytë do e kishin arrestuar dhe do e kishin futur në burg.
Pse? Vetë SPAK në kërkesën që i ka bërë gjykatës dhe vendimi i gjykatës është që të mos komunikojë me asnjë përveç anëtarëve të familjes. Ai bën një sulm, hedh në veprim kundër SPAK-ut. Në vende të tjera do i ishte mbyllur goja menjëherë.
Ai në çdo lloj pikëpamje e ka tepruar dhe i ka kaluar vijat e kuqe. Nga dita që ai është shpallur non grata, ndërmorri veprime të tilla që askush tjetër, madje edhe qeni, ka pjellën e vet, por kurrë nuk e mbyt pjellën e vet, ky e mbyt pjellën e vet.
Ai në 8 janar do donte të merrte Partinë Demokratike për ta kthyer në një akuzë politike, mori vare, mori bombolat e gazit, derisa bëri luftë civile brenda partisë së vet. Krimet e tij janë tepër të dukshme, po bëhet qesharak. Do që të bëhet ai, e gënjen mendja. Në fakt, edhe mënyrën sesi e ka zgjedhur këtë masë, duket që është i dyzuar. Mbështetësit e tij kanë kryer krime”, theksoi ai.