Shkruan Zef Ndreka
– cironka e tymosur…
Për ta konkretizuar e për të mos e lënë abstrakte këtë temë që lidhet me situatën aktuale që po kalon vendi ynë, sidomos me rastin e fundit të arrestit të drejtoreshës së SHIK-ut, analizën do ta mbaj rreth metaforës së “cironkës” si bosht dhe duke reflektuar në rrugë institucionale.
Raportet e fundit të Komisionit Evropian e kanë vendosur theksin pikërisht tek nevoja për institucione të pavarura, tek kontrolli dhe balancat, tek luftë efektive ndaj korrupsionit dhe forcim të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Sot analiza lidhet me relativizimin e fajit.
Në fakt, këtë e kanë bërë të gjitha sistemet autoritare, sidomos kur përgjegjësia bëhet e madhe për tu përballuar, atë e copëtojne, e relativizojne dhe ia servirin turmës si një histori me shumë fajtorë, ku në fund askush nuk është realisht përgjegjës.
Në Shqipëri këtë skemë e kemi parë prej dekadash.
Aroma e cironkës së tymosur e humb erën aty ku fshihet lepuri.
Dhe si gjithmonë, aroma e cironkës i jepet turmës, ndërsa lepuri fshihet diku tjetër.
Kjo është edhe një nga tragjeditë tona më të mëdha politike ku ështëi investuar për dekada tek lideri, jo tek institucionet. Lideri është parë si “mbi njeriun”, si shpëtimtari, si garantuesi i rendit, i drejtësisë, i sigurisë dhe madje i vetë shtetit. Ndërsa institucionet janë trajtuar si dekor i pushtetit.
Por demokracia nuk ndërtohet mbi njerëz të pazëvendësueshëm.
Ajo ndërtohet mbi institucione që duhet të funksionojnë edhe kur pushtetari ndryshon.
Prandaj, sa herë shpërthen një skandal i madh shtetëror, ne pyesim gabim: “Kush e bëri?”!
Në fakt duhet pyetur:
Kush duhej ta parandalonte?
Kush duhej ta kontrollonte?
Kush e dinte?
Kush heshti?
Kush përfitoi?
Dhe pse mekanizmat shtetërorë nuk funksionuan?
Sepse kur dështimi është institucional, nuk mjafton të gjesh një person për ta vendosur në qendër të gjithë fajit dhe pastaj të shpallësh çështjen të mbyllur.
Kjo është pikërisht relativizimi i fajit.
Edhe sot, përballë krizave që prekin sigurinë, drejtësinë, administratën dhe besimin publik, rreziku është që debati të kthehet në një luftë partish, individësh dhe deklaratash televizive. Secili mundohet të tregojë gishtin nga tjetri, ndërsa pyetja thelbësore humbet në zhurmë.
Komisioni Evropian vazhdon ta lidh forcimin e Shqipërisë si shtet demokratik me pavarësinë e drejtësisë, mekanizmat kundër korrupsionit dhe kontrollet e balancat institucionale.
Po ashtu, Komisioni Evropian vëren përparim në disa fusha, por kërkon forcim të mëtejshëm të zbatimit dhe të institucioneve.
Ky është thelbi.
Shqipëria asnjëherë nuk ka patur nevojë për një lider më të fortë, megjithse nuk i ka munguar.
Perkundrazi, Shqipëria ka nevojë për institucione më të forta se lideret.
Shqipëria nuk ka nevojë për një pushtet që na bind se gjithçka është nën kontroll, por për institucione që të mund ta kontrollojnë pushtetin.
Sepse në shtetet demokratike normale, askush nuk është mbi ligjin, as kryeministri, as ministrat, as drejtuesi i një institucioni të sigurisë, as opozita, as mazhoranca.
Në shtetin ku institucionet bëhen “gjethe vjeshte” përpara pushtetit, gjithçka mund të duket në rregull deri në momentin kur del në dritë ajo që ishte fshehur.
Atëherë cironka nuk mjafton më.
Sepse aroma e cironkës së tymosur mund ti humbasë nuhatjen edhe qenit, por nuk mund ta zhdukë erën e së vërtetës.
Dhe Shqipëria nuk ka më nevojë për tym.
Ka nevojë për dritë e zhvillim.
Shqipëria ka nevojë për përgjegjësi individuale, por edhe për përgjegjësi institucionale.
Sepse një shtet nuk rrëzohet vetëm kur një individ shkel ligjin, por fillon të rrëzohet kur institucionet që duhet ta ndalojnë shkeljen e ligjit pushojnë së funksionuari.
Dhe kjo është ajo që duhet të na shqetësojë më shumë se çdo cironkë e tymosur.
Compose
Shkruaj te Zef Ndreka







