Shpopullimi “faktohet” nga faturat e ujit/ 137 mijë kontrata për shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve janë mbyllur në 2023-in

0

137 mijë kontrata për shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve janë mbyllur gjatë vitit 2023. Kjo shifër e lartë, ka sjellë debate politike në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese për largimin e shqiptarëve nga vendi.

“Kjo shifër që unë thashë që 127 550 klientë të larguar”, ishte pyetja e deputetit demokrat Lefter Gështenja drejtuar Ndriçim Shanit, kryetar i ERRU.

Ky i fundit tha se: “Janë rezultat i atyre që na raportojnë ndërmarrjet veç e veç”, tha ai.

Sa i takon shifrave për borxhin ndaj OSHE-së të ndërmarrjeve të ujësjellësve ato rezultojnë në rreth 200 milionë euro.

Megjithatë, anë pozitive nga përfaqësuesit raportohet për rënie të nivelit të humbjeve dhe rritje të furnizimit me ujë.

Në fjalën e tij në prezantim të këtij projektligji, Shani u shpreh se, “raporti pasqyron aktivitetin dhe performancën e institucionit të realizuar gjatë vitit te shkuar, përfshirë dhe përmbushjen e rekomandimeve, të cituara në rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë për tu realizuar për ERRU-në gjatë vitit 2023”.

Gjithashtu, tha ai, “raporti pasqyron zhvillimet kryesore në sektorin ujësjellës kanalizime në Shqipëri dhe jep rekomandime për përmirësimin e performancës së sektorit dhe të vetë institucionit”.

Shani, tha se, “aktiviteti i ERRU-së për vitin 2023, ka konsistuar në drejtimet kryesore të mëposhtme, përkatësisht licencimi i Shoqërive UK, analiza dhe miratimi i propozimeve për tarifa të reja nga Shoqëritë UK, monitorimi i Performancës së Shoqërive UK, mbrojtja dhe Trajtimi i Ankesave të Konsumatorëve ndaj shoqërive UK, pjesëmarrje aktive fizike dhe online në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, raportime dhe Analiza mbi Aktivitetin e ERRU-së, etj”.

“Në zbatim të misionit në mbrojtje të interesave të konsumatorëve, përveç zgjidhjes së ankesave të tyre me shoqëritë UK, gjatë vitit 2023, si pjesë e grupit ndërinstitucional, ERRU ka dhënë kontributin e saj në finalizimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Mbikëqyrjen e Tregut 2023 – 2030”, theksoi Shani.

Mbledhja vazhdoi me pyetje dhe diskutime për këtë raport.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, nismë e deputetit Laert Duraj.

Duraj, në fjalën e tij për këtë projektligj, u shpreh se, qëllimi kryesor është kryerja e disa ndryshimeve të cilat synojnë rregullime në ligjin ekzistues, me qëllim aplikimin në mënyrë të drejte, korrekte dhe të dispozitave ligjore, gjë e cila bën të mundur rregullimin dhe përmirësimin e procedurave të ligjit të Koncesioneve.

“Ky projektligj vjen si domosdoshmëri për të përmirësuar procesin e koncesioneve në vend”, tha Duraj.

Relatori i çështjes, Arben Pëllumbi, vuri në dukje se, kjo nismë i vjen në ndihmë biznesit në rastin e kontratave të përbëra koncesionare.

“Këtë nismë e kemi diskutuar dhe ishim në pritje të mendimit edhe të Këshillit të Ministrave, i cili tashmë ka ardhur. Nisma është diskutuar dhe votuar edhe në komisionin e Ekonomisë dhe në komisionin e Ligjeve duke pësuar disa ndryshime”, theksoi Pëllumbi.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi, me ndryshimet të dakordësuara gjatë diskutimit.

Ndërkohë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, përmes një statusi në “facebook”, shkruan se për shkak të reduktimit të humbjeve, sektori ujësjellës-kanalizimi po arkëton shumë më tepër të ardhura gjatë këtij viti.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu