Frikë nga SPAK? Bëri miliardat këtu, oligarku Samir Mane po tërhiqet gradualisht nga Shqipëria

0

Pas shitjes së rrjetit të supermarketeve SPAR te kosovarët e Viva Fresh për 44 milionë euro, grupi Balfin i Samir Manes ka finalizuar edhe një tjetër transaksion të rëndësishëm largimi nga Shqipëria. Këtë herë bëhet fjalë për kompaninë Fashion Group Albania, e cila i është shitur kompanisë Albi Holding, pjesë e grupit të fuqishëm kosovar Albi Group.

Lajmin e konfirmoi zyrtarisht Autoriteti i Konkurrencës, sipas të cilit është depozituar njoftimi paraprak për përfitimin e kontrollit të Fashion Group Albania SHPK nga shoqëria ALBI HOLDING SHPK sipas kapitali.al.

Fashion Group Albania ka mbajtur ekskluzivitetin e disa prej markave më të njohura ndërkombëtare të veshjeve dhe aksesorëve në tregun shqiptar, përfshirë Prenatal, Springfield, Geox, Aldo, Women’Secret, Okaidi, Mango, Parfois, Carpisa dhe Cortefiel. Në vitin e fundit financiar, kjo kompani raportoi një qarkullim vjetor prej 11 milionë eurosh dhe fitim neto prej 1 milion euro, me 154 të punësuar aktivë. Vlera e aktiveve arrin në 5.5 milionë euro, ndërsa detyrimet në 3.3 milionë euro.

Edhe pse shuma e këtij transaksioni nuk është bërë ende publike, fakti që Balfin po shitet për të dytën herë radhazi brenda një periudhe të shkurtër ka hapur diskutime mbi strategjinë e re të grupit të Manes. Ky divestimi i vazhdueshëm nga segmentet e shitjes me pakicë në Shqipëri ushqen spekulimet se Samir Mane, i cili u bë miliarderi i parë shqiptar pikërisht falë biznesit të zhvilluar këtu, po zhvendos gradualisht kapitalet dhe interesat e tij jashtë vendit.

Vitet e fundit, Balfin ka zgjeruar dukshëm investimet në Austri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke krijuar për herë të parë një profil ndërkombëtar të dukshëm, krahas aktiviteteve tradicionale në rajon. Tërheqja graduale nga Shqipëria mund të lexojë si një sinjal paraprak që Mane po diversifikon rrezikun ekonomik, në një kohë kur klima e biznesit në Shqipëri vazhdon të përballet me sfida të shumta strukturore, pasigurira ligjore dhe perceptime për risk politik.

A është ky fillimi i largimit të ngadaltë të një prej figurave më të suksesshme të biznesit shqiptar nga vendi që e bëri miliarder? Apo Samir Mane thjesht po e riorienton strategjinë drejt tregjeve më të mëdha e më të qëndrueshme? Përgjigja mbetet e hapur, ndërsa lëvizjet e fundit e konfirmojnë një kurs të ri të grupit Balfin.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu