Shkruan Zef Ndreka
Lider që po bie nga maja e moralit për shkak të arrogancës politike.
Kjo është shumë e vërtetë.
Dhe kjo nuk mbetët thjeshtë për të një kritikë politike, por një pasqyrim real i një transformimi personal e ideologjik që ka ndodhur me Albin Kurtin gjatë dekadës së fundit, nga idealisti rebel në politikanin institucional.
Të gjithë e kujtojmë në vitet e para pas luftës, Albin Kurti ishte figura e studentit rebel, i burgosur politik, i përballur me strukturat ndërkombëtare dhe vendore që ai i konsideronte si “paternaliste dhe koloniale” ndaj Kosovës. Ai fliste me gjuhën e “Vetëvendosjes”, të një sovraniteti absolut, të një ideali për drejtësi sociale, për bashkim kombëtar, për shtet të pastër moral dhe për barazi shoqërore.
Por, me ardhjen në pushtet, ai u përball me realitetin e qeverisjes, një terren që kërkon kompromise, durim dhe bashkëpunim institucional.
Këtu ndodhi edhe thyerja e Kurtit si figurë ideologjike, nga tribuni protestues ai u kthye në administrator të pushtetit.
E bashkë me administrimin, mori përsipër edhe
mitin e moralitetit dhe vetëidentifikimi me shtetin e Kosovës!
Kështu, Kurti ka ndërtuar një markë politike mbi moralin. Ai nuk flet për pushtet si instrument, por si mision moral, duke u shfaqur shpesh si i vetmi që nuk është korruptuar, i vetmi që e do vendin sinqerisht.
Ky diskurs ka fituar shumë zemra, por edhe ka krijuar një iluzion personalist. Ai fillon ta shohë veten jo më si përfaqësues të Kosovës, por si vetë mishërimin e saj. Prandaj, çdo kritikë ndaj tij, në perceptimin e Kurtit, është kritikë ndaj Kosovës.
Ky është një rrezik i madh për çdo lider kudo qoftë, pra të ngatërrojë identitetin e tij me identitetin e kombit. Historia e Ballkanit është plot me shembuj të tillë, sidomos me shqiptarët.
Tani, Kosova gjendet në një krizë politike dhe institucionale. Kjo krizë aktuale është produkt i vetëbesimit absolut të Kurtit.
Kriza politike në fakt ka rrënjë në refuzimin për kompromis me opozitën, me ndërkombëtarët, madje edhe me partnerët institucionalë, e cila tregon një tendencë autokratike në rritje te Kurtit.
Ai nuk është më antisistemi që sfidon, por është bërë sistemi që nuk pranon sfidë!
Në vend të bashkëqeverisjes, Kurti preferon konfrontimin. Dhe në vend të diplomacisë, preferon moralizimin.
Ky stil, që dikur e bënte tërheqës si opozitar, sot e izolon si Kryeministër si në arenën e brendshme, ashtu edhe në raport me ndërkombëtarët, sidomos me BE-në dhe SHBA-në.
Ftohja me aleatët perëndimorë është një nga problemet kryesore të qeverisjes së tij.
Kurti shpesh shihet nga Brukseli dhe Uashingtoni si partner i vështirë, që përpiqet të diktojë terma në dialogun me Serbinë dhe që nuk e njeh realpolitikën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Në arenën ndërkombëtare, idealizmi pa pragmatizëm është luks dhe Kosova, fatkeqësisht, nuk ka luksin të përballet vetëm me Serbinë e Vuçiçit.
Cila do jetë e ardhmja politike e tij?
E ardhmja e Albin Kurtit do të varet nga aftësia e tij për tu ndryshuar pa e humbur thelbin.
Nëse ai kupton se të qeverisësh nuk është ta sundosh moralin publik, por të ndërtosh institucione funksionale, ai mund të mbetet faktor dominues për një dekadë tjetër.
Por nëse vazhdon me logjikën “unë jam Kosova”, atëherë rrezikon të pësojë fatin klasik të liderëve që bien nga maja e moralit për shkak të arrogancës politike.
Kur idealisti e përvetëson pushtetin, ai rrezikon ta humbasë idealin.
Albin Kurti, me gjithë inteligjencën, karizmën dhe historinë e tij, po lëviz pikërisht në këtë vijë të hollë, mes idealizmit që e ngriti dhe pushtetit që po e gllabëron.
E ardhmja e tij politike do të përcaktohet nga mënyra se si ai do ta trajtojë këtë kontrast.


