Kreu Politikë Ekuivoke me aletatin kryesor, SHBA-të

Ekuivoke me aletatin kryesor, SHBA-të

0
1

Shkruan Zef Ndreka

Raportet mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, prej kohësh nuk janë më ato të një aleance të natyrshme politike.
Ato tashmë duken si dy vizione të ndryshme politike për mënyrën se si duhet të sillet Kosova ndaj aleatëve strategjikë, veçanërisht ndaj SHBA-ve dhe administratës amerikane.
Albin Kurti kërkon kohë, shfaq rezerva dhe bën kalkulime politike përballë iniciativave ndërkombëtare, ndërsa Vjosa Osmani ka zgjedhur qartësisht të japë sinjale të menjëhershme besnikërie strategjike ndaj Perëndimit dhe sidomos ndaj SHBA-ve. Pikërisht këtu duket, deri më tani, se qëndron edhe thelbi i përplasjes së tyre.
Deklaratat e Kurtit për “nevojën e kohës”, “analizës” apo “qartësimit të dilemave” lidhur me nisma të mbështetura nga administrata e Donald Trump-it, e rrjeshtuan në anën e një lideri që përpiqet të ruajë distancë politike ndaj çdo projekti që nuk e kontrollon vetë. Kjo sjellje, është parë edhe më herët në raportet me SHBA-të, ku disa qëndrime të tij janë trajtuar si sfiduese ose të ftohta ndaj kërkesave amerikane për koordinim në veri të Kosovës apo në dialogun me Serbinë.
Në anën tjetër, Vjosa Osmani gjatë mandatit të saj, e ndërtoi profilin si politikane institucionale dhe qartësisht pro-amerikane. Prandaj, vendosja e menjëhershme e Kosovës në një strukturë apo Bord të sponsorizuar nga SHBA-të, sidomos kur shihet si platformë strategjike për paqe dhe siguri, ishte një mesazh i fortë politik.
Sot Kosova nuk ka luksin të krijojë ekuivoke me aleatin e saj kryesor. Dhe kjo nuk ka të bëje me diferencat e karaktereve mes dy liderëve. Më tepër se karaktere, është diferencë filozofie politike.
Kurti gjithnjë ka tentuar të ndërtojë një profil më autonom, me tone sovraniste dhe me idenë se Kosova duhet të sillet si shtet që nuk merr urdhra nga askush. Në teori kjo tingëllon patriotike dhe e pranueshme. Por problemi është se realiteti gjeopolitik i Kosovës nuk është ai i një fuqie të madhe apo i një shteti të konsoliduar ushtarakisht, po ashtu edhe nga pikëpamja diplomatike.
Kosova ekziston sot si shtet edhe falë ndërhyrjes historike të NATO dhe rolit vendimtar të SHBA-ve në vitin 1999. Po ashtu, mbijetesa ndërkombëtare e Kosovës vazhdon të lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen amerikane në organizatat ndërkombëtare, në sigurinë ushtarake dhe në pengimin e ambicieve destabilizuese të Serbisë dhe aleatëve të saj lindorë.
Prandaj, duke parë këto sjellje, shqetësohemi kur shohin tensione të vazhdueshme mes qeverisë së Kurtit dhe faktorëve amerikanë. Sepse vetë historia ndër vite na ka mësuar dje na ka treguar se në Ballkan, shtetet e vogla që humbasin mbështetjen amerikane, mbeten të ekspozuara ndaj pazareve rajonale dhe presioneve gjeopolitike.
Edhe fakti që Serbia nuk është pjesë e një strukture të tillë, ndërsa Kosova po, ka një domëthenjie të fortë politike. Kjo tregon se Perëndimi ende e konsideron Kosovën si projekt strategjik të vetin dhe dëshiron ta mbajë të lidhur fort me orbitën euro-atlantike.
Por njëkohësisht, kjo rrit përgjegjësinë e lidershipit kosovar që të mos krijojë përplasje të panevojshme me aleatët.
Shtrohet pyetja për këtë rast:
A është kjo realisht ndarja e madhe mes Kurtit dhe Osmanit?
Mbase jo formalisht, por politikisht po shihet gjithnjë e më qartë një distancim. Ndryshimi është se Vjosa Osmani po pozicionohet si garancia institucionale e marrëdhënieve të palëkundura me SHBA-të dhe Perëndimin. Ndërsa Kurti duket se kërkon të ndërtojë një profil ideologjik dhe të pavarur nga ndikimet tradicionale amerikane.
Sikur Kosova të ishte një shtet normal, këto diferenca do të ishin pjesë normale e pluralizmit politik. Por në rastin e Kosovës, ku siguria kombëtare lidhet drejtpërdrejt me aleancën amerikane, çdo krisje me SHBA-të perceptohet si rrezik strategjik.
Kosova sot pa mbështetjen amerikane mund të rrezikoje dobësim nga njohjet ndërkombëtare. Mund ti bllokohet integrimi euro-atlantik.
Mund ti rritet presioni në veri të saj.
Mund të forcohet ndikimi serbo-rus në rajon dhe të futet në izolim diplomatik.
Këto janë arsye përse udhëheqësit kosovarë duhet të konkurrojnë mes tyre për zhvillim ekonomik, sundim ligji dhe mirëqenie qytetare, por jo për të testuar durimin strategjik të SHBA-ve.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu