Pleqnitë kishtare e laike në Albaninë e shekullit XVI

0

Shkruan Florian Hoti

“Në vjetin 1578 – pleqtë e Lezhës miratojnë ipeshkv të Priskës*, Aleksandrin. Dishmia u vulos me vulën e Shën Gjergjit pajtorit të Lezhës, dhe u shkrue me 10 gusht 1578 prej Nikolla Çaushit (në këte rast me çaush, asht dhanë funksioni i tij) me urdhën të pleqve të Lezhës”.
Priska ishte nji prej qendrave të Ipeshkvisë së Shtjefnit (Stefanikës) e njohun si dhe e Shtjefnit dhe e Bendës. Kjo ipeshkvi giatë mesjetës shtrihej në zonën e Matit, në malsinë në lindje të Krujës e Tiranës dhe në veri të Elbasanit. Ipeshkvi i i saj i fundit ishte Nikoll Mekajshi. Mbas dekjes së tij u emnue Gjon Kolesi, i cili mori titullin e ipeshkvit të Arbnit. Kjo ndikoi që emni i Ipeshkvisë së Shtjefnit të harrohej dhe juridiksionin mbi te ta kishte Ipeshkvia e Arbnit.
Giatë pushtimit turk organizimi kishtar, në kushtet e vështira të funksionimit dhe presionit islamizues, pëson mjaft ndryshime. Ndryshojnë disa prej qendrave ipeshkvnore, disa suprimohen e të tjera bashkohen si dhe ndryshojnë kufijtë ndërmjet tyne apo dhe zhvendosen selitë e tyne. Ipeshkvia e Arbnit, që nuk ban përjashtim prej këtyne dukurive, takohet në dokumentacionin historik deri tek ipeshkvi i fundit Mark Skura (vjeti 1644). Ndërkohë, në vjetin 1638, kishat e dikurshme të Mirditës, Vatikani ja kalon nen juridiksion Ipeshkvisë së Lezhës. Por mesa duket disa juridiksione dhe të drejta i kishin kalue Ipeshkvisë së Lezhës para suprimimit përfundimtar, siç asht rasti i miratimit të peshkopit Aleksandër prej pleqnisë së saj.
Po kështu ndeshim edhe nji letër të pleqve të Arbnisë, dërgue papa Klementi VIII, në vjetin 1593. Sigurisht që këtu bahet fjalë për të njajtën strukturë pleqsh, dhe përcaktimi të Arbnisë ka të bajë me Ipeshkvinë e Arbnit, ku këta pleq kishin tagër dhe në pushtetin laik. Diçka të ngjashme, por jo tansisht e shohim ma vonë edhe në Malin e Zi ku vladikët kishin pushtet fetar e laik, apo dhe Princninë Kishtare të Kurbinit për të cilën kam folë në nji postim tietër.
Nji fragment prej letrës së pleqve të Arbnisë po e sjell ma poshtë.
“I Lumnueshmi Atë!
Na të tanë së bashku, populli i Arbnisë, ka feja katolikë romanë, tue dëshirue ti lirojmë të tana këto vendet tona, e t’i kthejmë të lira si dikur motit, për me damtue Sulltanin sikurse ishte ba në kohën e Princit tonë Gjergj Kastriot Skanderbegut, jemi bashkue me shpirt, fshehtas jemi marrë vesht për me lajmnue Shejtninë tuej, sikurse po e bajmë me këte letër, se kur Shejtnia e juej t’a shohë se tash asht koha e mirë që ne të tanë me u çue e mu bashkue kundra tuqve.
Prej Arbnie me 1 qershuer 1593.
Shejtnisë tuej, Pleqt e Arbnisë.
letra e fundit gjindet në Fondo Borghese Serie IV, nr.287, marrë prej meje nga revista Leka.


(në foto vula e pleqve të Arbnisë dhe atyne të Lezhës)

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu