Shkruan Albert Vataj
Për 30 vite ajo u refuzua. Dyer që mbyllën, nuk e ndaluan atë të ndiqte rrugën për tek ëndrra. “Na vjen keq t’ju informojmë…”, ishte ai formalitet përjashtues që nuk e nënshtroi atë. Çdo herë që rrëzohej, ngrihej më e vendosur për të vazhduar. Thellë brenda saj ishte një zë që kërkonte të dëgjohej. Fjala e saj kishte diçka për të përçuar edhe pse nuk ju dha leje. Një shpirt që kërkonte komunikim me njerëzit dhe botën, që shtypej nën peshën e ndalimit. Por Zora Raeburn nuk lejoj që dielli brenda saj të shuhej në një botë të ngërthyer në terr mospranimi.

Zora Raeburn është një prej atyre grave që u shndërrua në fenomen qëndrese përmes këmbënguljes. Ajo nuk ishte emër i kanonit letrar, as ikonë e suksesit editorial; megjithatë, ajo mishëron një nga aktet më të pastra të besimit në vetvete dhe në thirrjen krijuese. Qëndresa e saj nuk u ndërtua mbi lavdi, por mbi refuzime; jo mbi duartrokitje, por mbi heshtjen e gjatë dhe shurdhuese të institucioneve kulturore. Dhe pikërisht aty, në këtë zonë të errët ku shumica dorëzohen, Zora vendosi të mos tërhiqej.
Pyetja e parë, “çfarë po bën një grua e moshuar në një shkallë rrugore, përballë një muri të mbuluar me fletë letre?”, është thelbësore, sepse përgjigjja e saj nuk është e thjeshtë. Ajo po ngjit Golgotën e vet. Fletët e bardha, të radhitura si dëshmi, janë letrat e refuzimit, një arkiv i dështimit sipas standardeve të botës, por një monument i besnikërisë ndaj ëndrrës sipas standardeve të shpirtit. Ato nuk janë turp; janë certifikata të përpjekjes.
Ëndrra e Zorës u formësua herët, por guximi për ta shpallur publikisht erdhi vonë, rreth të dyzetave, kur jeta kishte bërë tashmë punën e saj për ta vënë në provë. Ajo iu drejtua botuesve, bibliotekave, studiove të filmit, producentëve të radios, me letra që bartnin të njëjtën shpresë dhe merrnin pothuajse gjithmonë të njëjtën përgjigje: “Na vjen keq t’ju informojmë…”. Kjo formulë, e ftohtë dhe standarde, u bë refreni i jetës së saj për tridhjetë vjet. Për shumëkënd, një refuzim i tillë është fund; por për Zorën, ishte vetëm një ndalesë e përkohshme.
Kushtet materiale nuk i dhanë asnjë favor. Në moshën 72-vjeçare, kur shoqëria pret dorëzim dhe qetësi, ajo zgjodhi rrugën, fjalë për fjalë. Luajti violonçel në të ftohtë, në acar, duke kthyer artin e saj në mjet mbijetese. Më pas, një punë si daktilograf-stenografi, e kombinuar me pensionin e pleqërisë, i dha mundësinë minimale për të bërë atë që sistemi ia kishte mohuar për dekada, të botonte romanin e saj. Kjo nuk ishte thjesht një arritje editoriale; ishte një akt drejtësie ndaj vetes.
Fotografitë e Ken Russell, pjesë e serialit “Zora e pamposhtur”, janë më shumë se dokumentim. Ato janë interpretim. Russell, me ndjeshmërinë e tij të rrallë, e sheh Londrën e pasluftës jo si sfond, por si bashkëpersonazh, një qytet i lodhur, por i gjallë; një shoqëri që rindërton muret, por jo gjithnjë shpresat. Çdo shkrepje është një kapitull vizual ku dokumentarja dhe poetika bashkëjetojnë. Zora, e rrethuar nga refuzimet e saj të ngjitura në mur, nuk shfaqet si viktimë, por si akuzuese e heshtur e një sistemi që shpesh ngatërron vlerën me tregun.
Aktin e ekspozimit publik të refuzimeve, një gjest që do të dukej vetëposhtërues për shumëkënd, Zora e kthen në performancë etike. Ajo i heq refuzimit fuqinë për të plagosur, duke e shndërruar në dëshmi. Në vend që ta mbajë dështimin si barrë private, ajo e bën publike, e vë në mur, e fton botën ta shohë. Ky është një akt subversiv: refuzimi, i menduar për ta mbyllur gojën e autorit, kthehet në zë.
Qëndresa e Zorës është epike jo sepse fitoi kundër të gjithëve, por sepse refuzoi të humbiste kundër vetes. Ajo e kuptoi se humbja e vërtetë nuk është mosbotimi, por braktisja e thirrjes. Në këtë kuptim, Zora Raeburn i përket një galerie të rrallë njerëzish që nuk e matin jetën me rezultatet e menjëhershme, por me besnikërinë ndaj asaj që e ndjejnë si të domosdoshme.
Historia e saj është një paralajmërim dhe një ngushëllim njëkohësisht. Paralajmërim, sepse tregon sa lehtë mund të vriten ëndrrat nga indiferenca. Ngushëllim, sepse dëshmon se ëndrra mund të mbijetojë edhe kur gjithçka tjetër dështon, madje edhe përtej jetës së atij që e mbarti. Zora luftoi deri në fund jo vetëm për të fituar, por për të lejuar që ëndrra e saj të vazhdojë të marrë frymë, si një testament i vullnetit njerëzor që nuk pranon të mbyllet në kornizat e refuzimit.








