Shkruan Av Arben Llagnozi
Një zhvillim i rëndë për besimin publik te drejtësia u bë publik sot më 20 janar 2026. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka përfunduar verifikimin e thelluar për gjyqtaren e GJKKO-së Irena Gjoka dhe ia ka përcjellë raportin Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), organit që pritet të vendosë për vijimin ose jo të detyrës.
Sipas raportimeve mediatike për përmbajtjen e këtij verifikimi, Gjoka rezulton e dënuar në Greqi (viti 2005) për çështje të lidhura me dokumente/“falsifikim vize”, ndërkohë që në formularët e vetëdeklarimit është raportuar se ka dhënë përgjigje negative për dënime nga autoritete të huaja.
Ky është momenti kur çështja nuk është më debat politik apo “përplasje kampesh”, por test real i shtetit të së drejtës, a zbatohet ligji njësoj për çdo funksionar, sidomos për ata që gjykojnë të tjerët?
Është provuar plotësisht se gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, rezulton e dënuar në shtetin grek me vendim penal të formës së prerë, si dhe e debuar nga territori i Greqisë. Po aq e provuar është edhe dijenia e plotë e vetë subjektit, pasi ajo ka lëshuar prokura për përfaqësim ligjor në lidhje me këto vendime dhe çështje penale në shtetin grek.
Skandali shpërtheu në mënyrë të pakontrollueshme dhe i “plasi në dorë” ish-anëtares së vetingut Valbona Sanxhaktari, e cila ka favorizuar këtë subjekt gjatë procesit të rivlerësimit.
Burime serioze nga brënda KPK konfirmojnë se, përveç vendimmarrjes favorizuese, janë hequr akte nga dosja e rivlerësimit të subjektit të rivlersimit Irena Gjoka në bashkëpunim me Genta Bungo, duke e kthyer procesin e vetingut nga instrument pastrimi në mekanizëm mbrojtjeje politike.
Çfarë pazari, premtimesh apo garancish janë shkëmbyer, sa para ka paguar Irena Gjoka për të kaluar vetingun mbetet një çështje që vetëm drejtësia nëse ekziston ende mund ta zbardhë.
Skandali u ekspozua edhe para ndërkombëtarëve, të cilët erdhën për të “mësuar” se si ndërtohet drejtësia, por që përpara këtij rasti kanë mbyllur sytë, duke i dhënë Shqipërisë shembullin më të keq të standardeve të dyfishta. Heshtja e tyre është po aq e rëndë sa edhe shkelja e Irena Gjokës.
Një tjetër dështim flagrant para këtij rasti është ai i Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili jo vetëm që nuk e evidentoi këtë skandal madhor, por u mbulua nga ekspozimi publik në rrjete sociale të bashkëpunëtorëve të tyre, ku u përmend publikisht edhe anëtarja e KPA-së, Ina Rama si bashkëpuntore e SHISH.
Skandali thellohet edhe më tej me SPAK, i cili ka prodhuar më shumë show mediatik sesa hetim real. Ironia më e madhe, puna e prokurorëve kontrollohej dhe vlerësohej nga një gjyqtare që nuk plotëson kriteret ligjore për të ushtruar funksionin.
Ndërkohë, heshtja e plotë e gjumashit Artur Metani, kreu i ILD-së, nuk është surprizë pavarsisht se përbën një skandal më vete. Asnjë hetim disiplinor, asnjë reagim, pavarësisht se shkelja është publike, e dokumentuar dhe flagrante. E dëgjuat besoj në parlament se deklaroi publikisht se nuk ka hetim për Irena Gjokën.
Ligji nr. 96/2016, neni 28, pika “d”, është i qartë: nuk mund të pranohet dhe nuk mund të ushtrojë funksionin e gjyqtarit një person i dënuar me vendim penal të formës së prerë, pavarësisht rehabilitimit. Në këto kushte, qëndrimi i Irena Gjokës në detyrë është i paligjshëm, dhe për pasojë çdo vendim i dhënë prej saj është juridikisht i cenueshëm dhe i pavlefshëm.
Kjo vlen jo vetëm për çështjen e Sali Berisha, por për çdo masë sigurimi, sekuestro apo vendim gjyqësor të dhënë prej saj. Procesi nuk ka qenë i rregullt, nuk ka qenë i ligjshëm dhe nuk ka qenë i paanshëm.
Dyshimet se Këshilli i Lartë Gjyqësor është ndikuar janë të forta. Ky institucion është shndërruar në simbol nepotizmi, ku promovimet familjare dhe interesat personale kanë zëvendësuar meritën. Rasti i antares së KLGJ, irena Plaka e cila promovoi nusen e vëllait të saj Ema Shaholli është vetëm një nga shembujt e kësaj praktike promovimi familjar. Ajo u promovua në Administrative Gjirokastër më pas në Vlorë në Lushnje dhe destinacioni final gjykata Administrative Tiranë.
Skenari që po përgatitet është i njohur, do të pranohet ekzistenca e vendimit penal, por do të pretendohet se “dosja është asgjësuar” apo se “vendimi nuk është ekzekutuar”.
Ky justifikim bie ndesh me ligjin dhe praktikën, siç e provon rasti i Kreshnik Hajdari, ku mungesa e dosjes për shkak të ligjit arkivor grek nuk e pengoi konstatimin e dënimit dhe ai u dënua nga gjykata e posaçme me vendim të formës së prerë.
Ky nuk është një debat politik dhe as një konflikt individual. Ky është kolaps institucional, i lejuar me dashje nga struktura që duhej të garantonin ligjin. Heshtja, manipulimi dhe mbrojtja e paligjshmërisë e kanë kthyer drejtësinë në një instrument pushteti dhe pazari.
Kjo çështje nuk mund të mbyllet. Çdo tentativë për ta relativizuar është bashkëpunim me shkeljen. Drejtësia ose vepron, ose pranon publikisht se ka dështuar.








