Kreu Analizë Më shumë se sjellje e pafund patriotike

Më shumë se sjellje e pafund patriotike

0
1

Shkruan Zef Ndreka

Kosova kërkon siguri, zhvillim, integrim dhe stabilitet.
Me daljen në garë të Vjosa Osmanit si kandidate për presidente të Kosovës, më në fun, duket se Albin Kurtit i ka hasur “sharra në gozhdë”.
Sepse ajo po çmonton dita-ditës sjelljet e tij patriotike duke e nxjerrë zbuluar shumë herë përballë SHBA-ve, BE-së dhe qëndrimeve në Rajon.
Sigurisht, këto zgjedhje në Kosovë, janë ndoshta më të rëndësishmet e këtyre viteve që kur u krijua shteti i ri, pasi sot mungon Presidenti de fakto i Kosovës, është thjeshtë në detyre kryeministri Kurti, por mungon Kuvendi. Në një kuptim, këto zgjedhje parlamentare mund të konsiderohen edhe si zgjedhje presidenciale!
Rrjedha e politikës në Kosovë, sigurisht do të ndryshoje duke u ofruar më shumë nga kompromiset dhe marrëveshjet pas zgjedhjeve, që të krijohet stabiliteti i munguar.
Pra, dalja e Vjosa Osmani në një rol më aktiv politik dhe përplasja gjithnjë e më e dukshme me qëndrimet e Albin Kurtit, po krijojnë një realitet të ri në skenën politike të Kosovës. Për herë të parë pas shumë vitesh, debati politik nuk po zhvillohet vetëm mbi boshtin klasik patriotik dhe anti-patriot, por mbi çështjet themelore se si duhet të qeveriset Kosova në raport me aleatët strategjikë dhe me sfidat e brendshme të shtetit.
Albin Kurti ndërtoi për vite një profil politik të bazuar mbi kundërshtimin, sovranizmin e fortë dhe sjelljet e përhershme kundër elitave të vjetra politike. Kjo strategji i dha sukses elektoral, sidomos tek një pjesë e elektoratit që kërkonte një figurë të pakompromis. Por qeverisja është tjetër gjë nga opozitarizmi. Në qeverisje, sidomos në Kosovë, nuk mjafton vetëm mobilizimi emocional dhe patriotik, por më tepër kërkohet koordinim me partnerët ndërkombëtarë, pragmatizëm diplomatik dhe aftësi për të ruajtur stabilitetin institucional.
Pikërisht këtu duket se figura e Vjosa Osmanit ka filluar të krijojë kontrast të fortë. Ajo po paraqitet si një politikane që ruan profilin shtetëror, institucional dhe perëndimor të Kosovës, duke shmangur shpesh gjuhën konfliktuale që ka karakterizuar diskursin e Kurtit.
Në shumë raste, sidomos në raportet me SHBA-të dhe BE-në, Osmani ka qenë më e kujdesshme në ruajtjen e urave diplomatike, ndërsa Kurti ka hyrë në përplasje të panevojshme politike e simbolike me aleatët ndërkombëtarë.
Dhe kjo nuk është një çështje e vogël. Kosova mbetet ende një shtet me sovranitet të brishtë në planin ndërkombëtar. Ajo ka nevojë jetike për mbështetjen amerikane dhe europiane, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në procesin e njohjeve, integrimit dhe përballjes me Serbinë. Çdo tension me aleatët strategjikë krijon pasoja direkte për vetë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Në këtë kuptim, zgjedhjet e ardhshme në Kosovë kanë peshë shumë më të madhe sesa një rotacion i zakonshëm politik. Ato po marrin karakter pothuaj presidencial, sepse Kosova ndodhet në një moment institucional të pazakontë me mungesë stabiliteti parlamentar, me tensione politike të vazhdueshme, me dialog të bllokuar me Serbinë dhe polarizim i fortë brenda shoqërisë.
Në fakt, qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë vetëm për deputetë apo për një qeveri të re. Ata do të votojnë për drejtimin strategjik të shtetit duke vëndosur që të vazhdojë Kosova me politikën e konfrontimit të vazhdueshëm,
apo do të hyjë në një fazë më pragmatike dhe më bashkëpunuese me partnerët ndërkombëtarë?
Kjo është arsyeja pse përplasja Kurti–Osmani ka rëndësi shumë më të madhe sesa rivaliteti personal. Kjo përplasje përfaqëson dy qëndrime politike të ndryshme ku njëra e mbështetur mbi mobilizimin emocional dhe konfliktualitetin politik, ndërsa tjetra mbi institucionalizmin, diplomacinë dhe kompromisin strategjik.
Natyrisht, kompromisi në Kosovë shpesh interpretohet si dobësi, për shkak të historisë së rëndë dhe traumave të luftës. Por shtetet funksionale ndërtohen mbi kompromise institucionale dhe jo mbi kriza të përhershme politike.
Kosova sot ka nevojë për stabilitet të brendshëm, për rikthim të besimit tek institucionet dhe për riparim të marrëdhënieve me aleatët kryesorë.
Pas zgjedhjeve, ka shumë gjasa që askush të mos ketë luksin e qeverisjes së vetme. Kjo do të imponojë marrëveshje politike, koalicione dhe një kulturë të re bashkëpunimi. Kështu këto zgjedhje mund të shënojë fundin e politikës së izolimit dhe fillimin e një faze më të matur shtetformuese.
Sot sfida më e madhe për Kosovën nuk është vetëm kush fiton zgjedhjet, por nëse klasa politike arrin të kuptojë se shteti nuk mund të mbahet gjatë në tension permanent. Kosova ka hyrë në një etapë ku qytetarët kërkojnë më shumë siguri, zhvillim, integrim dhe stabilitet, sesa retorikë të pafund patriotike.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu