Xhafaj i përgjigjet Klodian Brahos: Kuvendi ka të drejtë të kontrollojë
Fatmir Xhafaj zgjodhi të presë disa ditë përpara se t’i përgjigjej publikisht refuzimit të SPAK për ta pritur në një vizitë të ashtuquajtur “monitoruese”.
Sot, nga salla e komisionit parlamentar që ai drejton, ish-ministri i Brendshëm foli gjatë për kompetencat e Kuvendit, për dialog institucional dhe për praktika parlamentare, duke tentuar të shfaqë forcë politike përballë një institucioni që po heton edhe deputetë të mazhorancës.
Edhe pse pa e përmendur drejtpërdrejt emrin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, mesazhi ishte i qartë dhe i drejtuar për Klodian Brahon. Xhafaj u përpoq të relativizojë refuzimin e SPAK, duke argumentuar se mbikëqyrja parlamentare nuk përbën ndërhyrje dhe se vizitat monitoruese janë “praktikë e konsoliduar”.
“Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin kurrsesi funksionin kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura dhe sidomos ndaj veprimtarisë së tyre, dhe ndaj nuk kanë aspak karakter ndërhyrës të çdo natyre qofshin ato. Vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe në legjislaturën e kaluar”, u shpreh Xhafaj në mbledhjen e komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Por pikërisht këtu qëndron paradoksi dhe shqetësimi. SPAK është një institucion i pavarur kushtetues, i ngritur për të hetuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, përfshirë politikanë dhe deputetë. Në këtë kontekst, insistimi i një komisioni parlamentar për “vizita monitoruese” ngre dyshime për kufijtë realë mes bashkëpunimit institucional dhe presionit politik.
Xhafaj këmbënguli se komisioni që ai drejton e ka të sanksionuar në ligj kontrollin parlamentar dhe se ky kontroll, sipas tij, shërben për bashkëpunim e jo për ndërhyrje.

“Shqipëria është republikë parlamentare. Kuvendi, në ushtrimin e kompetencave të tij kushtetuese, shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional”, deklaroi ai.
Por faktet flasin për një përplasje konkrete. Pikërisht ditën kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit të SPAK, komisioni i drejtuar nga Xhafaj kërkoi të përfshihej në axhendën e Prokurorisë së Posaçme. Kërkesa kishte të bënte me një vizitë monitoruese mbi rezultatet e SPAK në luftën kundër pastrimit të parave, e mbështetur, sipas shkresës, edhe në një kërkesë të Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
SPAK iu përgjigj prerë “jo” këtij takimi, i sugjeruar për datën 6 shkurt 2026, duke e cilësuar vizitën monitoruese si tejkalim të ligjit dhe cenim të pavarësisë së institucionit.
“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në shkresën zyrtare të SPAK, ku theksohet se pavarësia nuk është thjesht formale, por kusht themelor për hetime të paanshme dhe efektive.
Megjithatë, SPAK la të hapur derën për bashkëpunim ligjor, duke sqaruar se mund të informojë komisionin sipas parashikimeve ligjore, por jo të pranojë monitorim.
Përplasja Xhafaj–SPAK nxjerr në pah një tension të vjetër mes politikës dhe drejtësisë së re: ndërsa SPAK pretendon pavarësi reale dhe refuzon çdo formë monitorimi politik, një pjesë e klasës politike vijon të kërkojë hapësira kontrolli, edhe kur bëhet fjalë për institucione që po hetojnë vetë politikën.








