Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të mbyllë hetimin paraprak ndaj dy prej aktorëve më të mëdhenj të tregut privat spitalor në vend, American Hospital, i njohur ndryshe si Spitali Amerikan dhe International Hospital ose siç njihet më mirë Spitali Hygeia, por mënyra se si është trajtuar ky proces ngre më shumë pikëpyetje sesa përgjigje.
Vendimi për hapjen e hetimit paraprak u mor në prill 2025.
Ndërsa vendimi për mbylljen e procedurës, të cilin e konsultoi ekofin.al është marrë në korrik 2025, por është bërë publik vetëm së fundmi në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës, duke vënë në diskutim serioz transparencën dhe llogaridhënien e këtij autoriteti ndaj publikut dhe tregut.
Komisioni i Konkurrencës pranon qartë se këto dy ndërmarrje kanë një rol dominues në tregun e shërbimeve spitalore private në Shqipëri.
Sipas analizës, ato zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të tregut dhe, më e rëndësishmja, ofrojnë shërbime të avancuara dhe ekskluzive që nuk gjenden as në sektorin publik.
Bëhet fjalë për ndërhyrje të specializuara si trombektomia mekanike, transplantet e veshkave apo teknologjitë e avancuara diagnostikuese si PET-CT, të cilat sipas Komisionit të Konkurrencës përbëjnë “shërbime të domosdoshme” në kuptimin e ligjit për konkurrencën.
Pra, kemi një konstatim të qartë: tregu është i përqendruar, shërbimet janë të diferencuara dhe barrierat e hyrjes janë të larta, qoftë për shkak të kostove teknologjike, mungesës së stafit të kualifikuar apo rregullimit sektorial.
Në kushte të tilla, çdo manual i konkurrencës do të sugjeronte një vëmendje të shtuar ndaj rrezikut të abuzimit me pozitën dominuese.
Megjithatë, në një kthesë që e bën të gjithë analizën kontradiktore, Autoriteti i Konkurrencës arrin në përfundimin se, pavarësisht kësaj pozite dominuese, nuk ka prova për sjellje abuzive.
Argumenti kryesor është se çmimet për shërbimet e mbuluara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë transparente dhe të barabarta për pacientët, ndërsa vetë ndërmarrjet kanë aplikuar edhe politika fleksibile çmimesh dhe zbritje për kategori të caktuara pacientësh.
Madje Konkurrenca shkon edhe më tej me formulimin e mëposhtëm.
Kjo logjikë ngre disa probleme thelbësore. Së pari, fakti që çmimet janë të rregulluara apo të financuara pjesërisht nga shteti nuk e përjashton automatikisht mundësinë e abuzimit në segmentet e tjera të tregut, veçanërisht në shërbimet private apo ato që nuk mbulohen nga skemat publike.
Së dyti, vetë Autoriteti i Konkurrencës pranon se në shumë raste nuk ekzistojnë alternativa reale në tregun vendas dhe pacientët detyrohen të drejtohen te këto struktura, çka e forcon më tej pozitën e tyre dominuese.
Edhe më problematik është fakti se një pjesë e këtyre shërbimeve financohen nga fondet publike përmes kontratave me FSDKSH, duke krijuar një situatë ku një operator privat përfiton nga burimet publike, ndërkohë që konkurrenca reale mbetet e kufizuar.
Vetë dokumenti pranon se ky mekanizëm i siguron një fluks të qëndrueshëm pacientësh dhe të ardhurash të konsiderueshme operatorit dominues.
Edhe pse në raport, Komisioni i Konkurrencës është kujdesur t’i fshehë shifrat, duket qartë se të dy spitalet private janë jo vetëm në pozita doninuese, ofrojnë shërbime ekskluzive, por edhe përfitojnë të ardhura të konsiderueshme, një pjesë e mirë nga buxheti i shtetit, përveç parave të qytetarëve.
Nga ana tjetër, Autoriteti justifikon mungesën e konkurrencës edhe me faktin se tregu është “rajonal”, pasi pacientët mund të zgjedhin të trajtohen në vende të tjera si Turqia apo vendet e rajonit.








