Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka nisur mbledhjen ku po prezantohen ndryshimet ligjore lidhur me nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, në një moment kur SPAK ka kërkuar arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në fokus të diskutimit është nisma e propozuar nga kryeministri Edi Rama, e cila synon të ndalojë pezullimin nga detyra të disa funksionarëve të lartë përmes vendimeve gjyqësore.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh se masa e pezullimit nga detyra përbën, sipas tij, një ndërhyrje të tërthortë të pushtetit gjyqësor në pushtetin ekzekutiv dhe në disa raste barazohet me shkarkimin.
“Propozojmë që të shtohet rrethi i subjekteve që nuk mund të pezullohen nga gjykata. Ndryshimi nuk heq përgjegjësinë penale dhe nuk pengon hetimin, por synon të ruajë balancën mes pushteteve”, deklaroi Manja.
Sipas draftit të prezantuar, gjykatat nuk do të kenë më të drejtë të pezullojnë nga detyra ministrat, kryeministrin, zëvendëskryeministrin, Presidentin e Republikës dhe Avokatin e Popullit.
Mazhoranca argumenton se projektligji nuk zgjeron imunitetin penal dhe nuk cenon pavarësinë e prokurorisë apo të sistemit të drejtësisë, por garanton funksionimin normal të institucioneve kushtetuese.
Ndryshimet pritet të depozitohen në Kuvend për shqyrtim, ndërsa çështja ka ngjallur debat të fortë politik në vend.








