Kulti dje dhe “Naltmadhënia” e sotme

0

Shkruan Shefqet Meko

Në fëmijërinë tonë, ne nuk kishim shumë “heronj që t’u ngjanim”. Nuk krahasohet me sot. Çdo gjë me pakicë, si “mielli dhe sheqeri”. Edhe fjala me pakicë. Ato që na pëlqenin ishin përrallat e bukura që rrëfeheshin netëve të vona, nën ndriçime të vagëta kandili apo llambe vajguri. Ato sikur na rritën. Kur provuam të flisnim, ne shumë raste ne “kafshonim gjuhën”.

Po sot? Sa shumë “heronj” të çuditshëm krijon ekrani. Në sekondë shpërthen lajmi dhe lavdia: Kryeministra, opozitarë, shpëtimtarë të torollepsur, kriminelë, vrasës, trafikantë, përdhunues, të marrë, të gjithë këta e plot idiotë janë “menyja e bollshme” e ekranit. Mungon vetëm njeriu. Mungon puna. Ëndrra e vërtetë dhe “virgjëria” e saj. Në vend të tyre sheh “njerëz pa dhëmbë” që bëhen heronj sepse kanë marrë “miliona pickime” nëpër qelqe. Të pështirë që pushtojnë ekrane. Venozë që veremosin çastin tënd…

Në rininë time ekrani ishte “virgjëria e virtytit”: Nuk dilnin të gjithë. Në vitet tona, edhe diktatori nuk dilte kurrë në ekran më shumë se 3-4 herë në vit së shumti. Por “hija” ishte kudo. Natyrisht ne “marroseshim” pas fjalës së tij dhe “bënim jehonë” sipas porosive. Shkonim në rrethe, pyesnim, intervistonim dhe nuk kishin “nevojë të dëgjonim”. Ne i kishim “përgjigjet në xhep”. Ne ishim kalemxhinj “të stërvitur” aq sa shpesh nuk njihnim as veten tonë. Por prap, ne kishim “kodin e ndershmërisë”. Nuk pështynim. Nuk tërboheshim. Nuk çmendeshim. Ishim të matur. Ishim njerëz. Dinim pak. Lexonim atë që gjenim. Respektonim njeriun. Udhëtonim në të njëjtin autobus apo tren. Por nuk e shitëm veten. Edhe fjalët e “të madhit” i përdornim me pikatore…”Kujdes” i thoshim vetëdijes sonë, sa herë uleshim të shkruanim një shkrim…Ne nuk kishim lirinë që ka sot gazetari, por kishim karakterin që të fal jeta e mundimshme.

Ne dje dhe ju sot. Sa ndryshim. Çfarë përmbysje! Nuk ka “kandar” as logjika, as dija. Ka vetëm verbëri. Dashuri dhe urrejtje. Pazare dhe kulisa. Pagesa nëpër qoshe të errëta. Dje ne “bënim kujdes”, sot “lëshoje pa frena fjalën”…Dje ne kishim frikë, sot “mos e rruaj…”. Dje nuk fyenim, sot vërsulu. Dje qorroheshim mbi libra, sot “të gjithë akademikë”…

A kam nostalgji për të djeshmen? Hiç fare, por është kujtesa ime. Dje mbase besoja verbërisht, sot “pikëpyetje mbi këdo”! E di që nuk jam ai që kam qenë, por sërish jam “ai që isha”: Njeri. E di që pata “dashuri politike”, por nuk u verbova. Unë isha, si shumë të tjerë: “i ngopur” me kultin e Njëshit. Atë kishim. Laj e thaj. Një ishte. Kulti nga lart. Nuk ishte faji ynë. Ishte “koha e tillë”: Ai dhe askush… Ne ishim “të helmuar”. Fati ynë që nuk vdiqëm pa provuar lirinë.

Po sot që dimë aq shumë e njohim çdo gjë? Po sot që secili është “kulti i vetes”, ku t’i kërkojmë vlerat tona? Sot, kultet dhe festivët e panumërt, kanë mbytur ekranet. Sot kultet e shteteve të mëdha janë bërë “djathë bebe” që na hapin sytë. Sot media ka krijuar kulte të neveritshme. Zgjohemi dhe flemë me “kultet në ekran”. Ata flasin, ata dinë, ata bëjnë deklarata, ata parashikojnë, ata kanë forcën e pushtetit dhe shpalosin “fatet tona”…Në çdo sekondë flasin ata: “natlmadhënitë” me pushtet dhe pa pushtet, me mjekër dhe pa mjekër, me syze dhe pa syze…Ata flasin. Janë bërë “lugetër” pa vdekur ende. Zot na ruaj, i themi vetes.

Kultet ose kulme-fyryfyçkë! Nuk di pse më erdhi kjo shprehje. Kulte fyryfyçkë! E pakuptimtë!… Fyryfyt. Fyçkë! Kuçkë! Ndjesë lexuesi im. Erdhi si “diarreja” mediatike e kulteve të botës sonë. Erdhi si frikë dhe çlirim. Si thashë? “Kulte dhe kulme-fyryfyçkë. Desha me thënë kulte-fyçkë. Ishte lajthitje. Kulti dje dhe kulti sot. Fjala dje dhe dërdëllitma sot. Nuk di se ç’të them. Unë jam një “xhambaz” i fjalës. Me të kam jetuar gjithë jetën. Kam shkruar artikuj për “ ditët e lavdishme”, për “lumturinë socialiste”, për “të ardhmen e ndritur” që nuk erdhi kurrë…Por më besoni, unë thjesht zbukuroja me fjalë. Mua më dukej se “beja punë time” fisnike… Po tani a mendoj njësoj? A do të shkruaja të njëjtat reportazhe dhe jehona për “Fjalimin e të madhit”?…Kurrë më. Unë jam përfundimisht i lirë për të mos besuar askënd. Por sa keq. Sa e dhimbshme, sa e tmerrshme. Mu deshën aq vite të arrija këtu dhe të jem ky që jam… Tani kultet më duken “shashka në Feken” dhe qesh. Kur më dalin në ekran, shkoj tek “stacioni tjetër” ose mbyll ekranin për të lexuar një libër. E keni vënë re? Libri është “liria që zgjedh”: Ai nuk duartroket, nuk bërtet, nuk ngre zërin, nuk të tall, nuk mërzitet. Libri bëhet “shoku jot” dhe është çlirimi më i mirë apo “antihelmi” nga kultet neveritëse të ekraneve të mëdhenj…

Mos jam marrosur edhe unë? Po tradhtoj “ekranin e madh” që vdes çdo njeri me titull president, kryeministër apo kryetar opozite? Ky lloj njeriu, që shfaqet në çdo ekran që hedh sytë, nuk di pse më kujton skllavopronarin e djeshëm. Ky lloj njeriu çdo sekondë është kudo dhe ngado. Fjala e tij bëhet “zinxhiri ynë”. Ai. Vetëm Ai. Di çdo gjë, duke thënë asgjë. Pyetje idiote. Përgjigje “tra-la-la”. Mungon drita e fjalës. Mungon magjia e mendimit. Hiç frymëzim. Pse na duhen presidentët e kryeministrat në krye? A e dinë misionin e tyre?…A ulen të shkruajnë një fjalim me dorën e vet? A e vrasin mendjen udhëheqësit e sotëm para se të flasin? A mundet të qeverisin edhe në heshtje, pra pa shumë zhurmë e ditirambe? Pyes dhe hesht. Nuk di si të platit dhimbjen. Dua të bërtas, por jam i pa zë. Nuk kam as kamera, as gazetarë përballë… Ata vijojnë dhe bëjnë të njëjtat pyetje idiote udhëheqësve dhe kryetarëve, jo mua . Unë hesht. Unë kujtoj tjetër gjë dhe jam gati të bëj vetëvrasje…

…. Jam marrosur. Nuk dua të vdes. Dua veten time. Asnjë kult nuk më hynë në sy. Të gjithë më duken “filma me kartonë”, të këqij, shpirtzinj, aventurierë, të pabesë, abuzivë, shtypës barbarë të njeriut…Të gjithë luajnë me fatin tonë. Ata shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin. Puthen me njëri tjetrin si dikur “buzë më buzë” komunistët e Lindjes. Shkelin në qilima të kuq. Zgjedhin fjalët e lëmuara. Ah sikur ata qilima të ishin fluturues, si përralla e bukur e fëmijërisë dhe të fluturonin diku larg tokës, duke marrë me vete gjithë presidentët, kryeministrat dhe mbretërit e botës. E pse na duhen? Mbase vetëm atëherë do kishim paqe, kur bota të mos kishte presidentë, kryeministra, pushtet-njëshi, por thjesht njerëz si unë dhe si ty…Njerëz që nuk dinë të zbrazin një armë…

Çfarë ëndrre e çmendur në këtë fillim viti 2026.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu