Përgatiti: Albert Vataj
Kur Fridrih Niçe hyri në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë në prill të vitit 1882, ai nuk ishte aty për t’u lutur. Ai ishte drejtuar kah një rrëfimtoreje ku miku i tij, filozofi Paul Rée, po rrinte ulur, duke punuar mbi shënimet e kërkimit nën dritën që hynte nga dritarja. Dhe pranë Rée-së ishte një grua e re.
Emri i saj ishte Lou Salomé. Ishte njëzet e një vjeçe, e lindur në Rusi, e etur për dije dhe krejt ndryshe nga kushdo që Niçe kishte takuar ndonjëherë.
Fjalët e para që ai i tha, me atë që Lou më vonë do ta përshkruante si një solemnitet të qëllimshëm, ishin këto:
“Prej cilave yje kemi rënë që të takohemi këtu?”
Nuk ishte një flirt. Ishte një rrëfim. Fridrih Niçe besoi që në çastin e parë se kjo përballje mbante një peshë përtej çdo biografie të zakonshme. Më vonë do ta quante “ëndrra më e bukur e jetës sime”.
Lou Salomé kishte ardhur në Romë me nënën e saj. Ajo kishte lindur në Shën Petersburg më 1861, e vetmja vajzë në një familje me pesë vëllezër. U rrit duke folur rusisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Që fëmijë u përthith nga librat dhe idetë. Ndërsa bota përreth këmbëngulte se qëllimi i një gruaje ishte martesa dhe amësia, Lou nuk kishte asnjë interes për asnjërën. Ajo donte të mendonte, të studionte, të kuptonte botën sipas kushteve të veta.
Në Romë ajo njohu Paul Rée-n në një sallon letrar. Ai ra në dashuri me të pothuaj menjëherë dhe i propozoi martesë. Ajo refuzoi. Në vend të kësaj, bëri një kundërpropozim të pazakontë, të jetonin dhe studionin bashkë si shokë intelektualë, si vëlla e motër, pa detyrim romantik. Ajo dëshironte të krijonte një lloj komune akademike, një jetë të përbashkët të mendjes. Rée pranoi dhe sugjeroi të ftonin mikun e tij brilant, Fridtih Niçe që t’u bashkohej.
Niçe mbërriti në Romë i përflakur nga pritja. Madje para se të takoheshin, ai i kishte shkruar Rée-së me një intensitet tronditës: “Përshëndete këtë ruse nga ana ime. Jam i pangopur për këtë lloj shpirti.”
Pas takimit në Shën Pjetër, të tre udhëtuan së bashku në Itali dhe Zvicër.
Fridrih Niçe ishte i mahnitur. Besonte se më në fund kishte gjetur atë që ai e quante një shpirt binjak, dikë që mund ta ndiqte mendimin e tij deri në qoshet më të errëta e më të vetmuara.
Sipas rrëfimit tradicional, ai i kërkoi Rée-së t’i propozonte martesë Lou-s në emër të tij. Ajo refuzoi. Më vonë, kur mbetën vetëm në Lucernë në maj, Niçe thuhet se i propozoi vetë. Ajo refuzoi sërish. Disa historianë kanë vënë në dyshim nëse këto propozime ndodhën realisht, pasi nuk përmenden në letrat e Niçes. Por ajo që është e padiskutueshme është thellësia e lidhjes së tij emocionale dhe ndikimi shkatërrues i asaj që pasoi.
Lou nuk e refuzoi Niçen nga mosdashja. Ajo e admironte jashtëzakonisht mendjen e tij. Por ajo kuptonte diçka që shumica e njerëzve të shekullit XIX nuk e kuptonin, për një grua, martesa nuk ishte partneritet, por dorëzim. Nënkuptonte të bëheshe pronë ligjore e dikujt. Lou refuzoi të shkëmbente lirinë e saj intelektuale me cilindo burrë, sado brilant të ishte.
Ajo që ndodhi më pas prodhoi një nga fotografitë më të famshme në historinë e filozofisë. Ishte Fridrih Niçe ai që e konceptoi idenë. Pavarësisht hezitimit të Rée-së për t’u fotografuar, Niçe këmbënguli. Organizoi gjithçka me fotografin zviceran Jules Bonnet, karrocën e vogël bujqësore që Bonnet mbante në studio, pozicionimin e figurave, madje edhe degën e vogël të jargavanit të lidhur pas kamxhikut. Në imazhin përfundimtar, Niçe dhe Rée qëndrojnë përpara karrocës si dy kafshë tërheqëse, ndërsa Lou gjunjëzohet brenda saj, duke mbajtur kamxhikun.
Imazhi synohej si një shaka e hareshme mes miqsh, por tronditi këdo që e pa. Nëna dhe motra e Fridrih Niçe u tmerruan. Rrethi i tyre shoqëror e konsideroi skandal. Një grua e re paraqitej si ajo që drejtonte dy nga mendimtarët më të respektuar të kohës. Qëllimisht apo jo, fotografia kapte diçka reale në dinamikën mes tyre. Lou Salomé nuk e shihte veten poshtë këtyre burrave. Ajo ishte e barabartë me ta. dhe në atë çast aventure të përbashkët intelektuale, ata të tre e dinin këtë.
Miqësia nuk zgjati. Motra e Niçes, Elisabeth, punoi pareshtur për të shkatërruar marrëdhënien e tij me Lou-n, duke shkruar letra plot akuza dhe shpifje. Xhelozia mes Niçes dhe Réesë u thellua. Në fund të vitit 1882, Lou dhe Rée u larguan bashkë, dhe Niçe mbeti vetëm.
Dhimbja që pasoi ishte e thellë. Fridrih Niçe ra në një nga periudhat më të errëta të jetës së tij. Shkroi letra të mbushura me dëshpërim, vetmi dhe hidhërim. Vuri në pikëpyetje nëse mund ta përballonte shkatërrimin emocional. Por nga ajo vuajtje lindi diçka e jashtëzakonshme. Në vetëm pak ditë, në fund të janarit 1883, ai shkroi pjesën e parë të “Kështu foli Zarathustra”, vepër që shumëkush e konsideron kulmin e tij. Vetmia, refuzimi dhe humbja e njeriut që ai besonte se mund ta kuptonte, u shndërruan drejtpërdrejt në filozofinë që do të riformësonte mendimin modern.
Ndërkohë, Lou vazhdoi të jetonte pikërisht siç kishte vendosur gjithmonë. U zhvendos në Berlin me Réen dhe jetoi me të për disa vite, përpara se të hynte në një martesë me Fridrih Carl Andreas, profesor i gjuhëve perse. Por kjo nuk ishte një martesë e zakonshme. Sipas të gjitha dëshmive, ajo mbeti e pakonsumuar për vite me radhë dhe funksionoi më shumë si një marrëveshje formale që i siguronte Lous respektabilitetin shoqëror, duke ruajtur lirinë që ajo kërkonte. Qëndruan të martuar deri në vdekjen e tij më 1930, por Lou jetoi jetën e saj sipas vullnetit të vet.
Kjo jetë e çoi drejt poetit të ri Rainer Maria Rilke. Kur u takuan, Rilke ishte i brishtë emocionalisht dhe në kërkim drejtimi. Lou dalloi talentin e tij të jashtëzakonshëm. U bë mentore, shoqe dhe ndikim transformues në veprën e tij. E shoqëroi në dy udhëtime në Rusi, ku takuan autorin legjendar Leo Tolstoy. Këto udhëtime formësuan zërin dhe vizionin poetik të Rilke-s në mënyra që jehuan në krijimtarinë e tij më të madhe. Edhe pasi marrëdhënia romantike përfundoi, ata mbetën të lidhur thellë për gjithë jetën. Rilke vazhdoi t’i shkruante Lou-s në momentet më të vështira, duke i besuar asaj më shumë se pothuajse kujtdo tjetër për të kuptuar botën e tij të brendshme.
Në vitin 1912, në moshën pesëdhjetë e një vjeçare, Lou takoi Sigmund Freud-in. Ai u impresionua thellë nga intelekti i saj dhe ajo u bë një nga nxënëset dhe korrespondentet e tij të afërta. Lou u bë një nga psikoanalistet e para femra në histori, duke trajtuar pacientë dhe duke shkruar për ëndrrat, fenë, seksualitetin dhe mekanizmat e fshehtë të mendjes njerëzore. Ajo eksploroi tema që shoqëria e sjellshme i konsideronte të ndaluara, me të njëjtën pavarësi të patrembur që kishte përkufizuar gjithë jetën e saj.
Gjatë gjithë kësaj, Lou Salomé u gjykua, u keqkuptua dhe u kritikua. Motra e Niçes e quajti grabitqare. Të tjerë pëshpëritnin se manipulonte burrat brilantë përreth saj. Por e vërteta ishte më e thjeshtë dhe më e fuqishme se çdo thashethem. Lou Salomé refuzoi të jetonte sipas rregullave që nuk i kishte zgjedhur vetë. Refuzoi të zvogëlonte veten për t’iu përshtatur pritshmërive të të tjerëve. Refuzoi të besonte se të qenit grua do të thoshte të qenit më pak.
Ajo nuk ishte një hije pas burrave të mëdhenj. Ishte një dritë që i tërhiqte drejt vetes, dhe në shumë raste, forca që i ndihmoi të bëheshin ata që ishin të destinuar të ishin.
Lou Andreas-Salomé vdiq më 5 shkurt 1937, në moshën shtatëdhjetë e pesë vjeçare. Ajo la pas një krijimtari që shtrihej nga filozofia te psikologjia, nga proza artistike te kujtimet. Por mbi të gjitha, la pas një jetë që dëshmoi diçka për të cilën bota ende nuk ishte gati.
Mendja e një gruaje nuk është e brishtë. Ajo është e pakufishme.
Dhe akti më radikal që një njeri mund të kryejë është të jetojë sipas kushteve të veta, pavarësisht çfarë kërkon bota.








