Shkruan Naim Noka
Në mandatin e katërt qeverisës, Rama dhe Balluku janë “ftof n’tajare”! Qytetarët e juglindjes së vendit, për të udhëtuar drejt kryeqytetit, ose duhet t’i bien nga Maqedonia–Kosova–Tiranë, ose Balluku me Gysin duhet të vënë një linjë ajrore për Korçë “Tajare RamsBalluku”. Mirë do të ishte të ngjante me modelin e vjetër të avionëve “Tajare”. Tironsit nuk e shpikën kot shprehjen: “je ftof n’tajare”! E gjithë qeveria është ftof n’tajare! Belinda u bë tre muaj që nuk i ka hipur “tajares”, se e ka bllokuar SPAK-u, ndërsa kryeministri prej vitesh ka tajare private.
Por, ndërsa “tajaret” private fluturojnë mbi retë e propagandës, në Librazhd e Qukës duket si front lufte. Qeveria e ftof n’tajare na e shiti si revolucionin e madh infrastrukturor – rrugën që do ta bënte Tiranë–Korçë vetëm 1 orë e gjysmë – por sot ajo është kthyer në simbol të dështimit monumental.
Aksi përmes Librazhdit praktikisht nuk ekziston më. Segmentet janë të mbyllura, të çara, të gjymtuara nga punime të zvarritura dhe nga ndërhyrje që duken më shumë si eksperimente sesa si projektim serioz inxhinierik. Pamjet në terren i ngjajnë një zone pas konflikti, ku askush nuk mban përgjegjësi dhe askush nuk jep llogari.
Projekti Qukës–Qafë Plloçë, i reklamuar si arteria shpëtuese e juglindjes, sot numëron të paktën shtatë pika kritike me shembje të vazhdueshme të dherave dhe dëmtime të asfaltit. Një investim me miliona euro që nuk garanton as minimumin e sigurisë rrugore. Në vend të një “korridori të NATO-s”, kemi një korridor pasigurie.
Ironia bëhet edhe më therëse kur sheh itinerarin që u imponohet kamionëve të mallrave: Qafë Thanë – Shkup – Prishtinë – Kukës – Tiranë. Një devijim absurd që e zgjat rrugën nga 3 orë në mbi 12 orë. Për t’u lidhur me kryeqytetin, juglindja duhet të dalë jashtë territorit të vet. Qeveria e ftof n’tajare detyron ekonominë e vet të bëjë xhiro nëpër “Ballkanin e Hapur” për të hyrë në Tiranë.
Belinda Balluku arriti me sukses të plotë që investimet strategjike t’i kthejë në gropa financiare, ku miliarda lekë u tretën, ndërsa qytetarët paguajnë me kohë, karburant dhe rrezik për jetën.
Në fund, metafora e “tajares” nuk është thjesht humor tirons. Është përshkrimi më i saktë i një qeverie që fluturon me tajare private, ndërsa qytetarët mbeten rrugëve, nëpër rrugë të çara dhe të shembura. Kjo është infrastruktura e mandatit të katërt, sepse ne që votojmë këtë qeveri “Ballukesh” jemi ftohur me kohë n’tajare!








