Shkruan Zef Ndreka
Ky është mesazhi i vazhdueshëm që i ofrohet opinionit publik edhe gjatë këtyre ditëve të garës për kreun e PD-së.
Për ta analizuar më tej, duhet theksuar se PD-ja gjatë gjithë historisë së saj, është dëmtuar më shumë nga brenda sesa nga kundërshtarët politikë, nga konfliktet personale të cilat kanë zëvendësuar parimet për një forcë politike që mësyn pushtetin, nga riciklimi i figurave të vjetra e të konsumuara të cilët kanë bllokuar zhvillimin e kësaj force politike.
Ndërkohë, shpresa reale dhe e vetme qëndron tek brezi i ri, i cili jo se është inekzistent, por të trysnuar dhe në heshtje.
Pra, problemet në PD, nuk janë më çështje individësh. As vetëm i Sali Berishës satelitëve rreth tij. Tashmë problemet serioze në PD janë sëmundjet që ka kapur të gjithë trupin e PD-së.
Prej vitesh, kjo parti po ha vetveten. Ata që kanë dështuar në qeverisje, që u ndëshkuan nga vota maksimalisht në 2013-ën, sot dalin të shihen sërish në skenë si shpëtimtarë. Ata që e kanë përçanë PD-në, sot bëjnë moral. Ata që e dobësuan atë, sot kërkojnë ta drejtojnë përsëri.
Siç dihet, pas 9 shtatorit, maskat kanë rënë. Filloi një luftë e shëmtuar për pushtet, ku parimet u hodhën në kosh të plehrave dhe gjithçka u kthye në sulm personal, në shpifje dhe në etje të pangopshme për kontroll.
Dhe sot, pas çdo zhvillimi, dalin radhë-radhë “kandidatët”, “liderët”, “shpëtimtarët”!
Të gjithë në garë, të gjithë me të njëjtin hall, vetëm karrigen.
Pamja është vërtetë e trishtë, njerëz që shtyhen me bërryla, që japin ultimatume, që flasin në emër të demokratëve, ndërkohë që kanë vite që i kanë zhgënjyer ata.
Në përpjekje për tu dukur të rëndësishëm, Berisha, Noka, Bardhi, Paloka, Jozefina, Vokshi, Këlliçi, Gjekmarkaj etj po ribëhen qesharakë.
E vërteta është përsëri e hidhur, pikërisht për faktin se problemi i PD-së nuk është kundërshtari që kanë përballë, por janë ata brenda saj që nuk dinë të largohen, që nuk dinë të reflektojnë dhe që nuk pranojnë të hapin rrugë të rinjëve.
Kështu, pa një ndarje të qartë me të shkuarën, pa largimin e figurave të konsumuara, pa hapjen ndaj një brezi të ri, çdo “garë” është vetëm një farsë.
Dhe çdo “lider” i ri, do të jetë një përsëritje e dështimit të vjetër.








