Shkruan Zef Ndreka
– Pas disa vitesh a do të kërkohet sërish reformë e reformës?!
– Po kërkohet një reformë e re territoriale për të përmirësuar shërbimin, apo për të riformatuar hartën elektorale?
Reforma Territoriale është një çështje e rëndësishme, ku politika shqiptare disa herë ka prodhuar më shumë debate emocionale dhe interes elektoral, sesa vizion administrativ afatgjatë. Pikërisht për këtë arsye, diskutimet e fundit po krijojnë përshtypjen se fokusi nuk është më tek qytetari dhe shërbimi, por tek kalkulimet politike dhe interesat e grupeve të caktuara.
Reforma e vitit 2015, pavarësisht kritikave që i bëhet dhe problemeve të ndryshme që vazhdon të ketë, ka sjell një ndryshim të madh në mënyrën se si funksionon pushteti vendor në vendin tonë. Bashkitë e vogla, të copëzuara dhe shpesh të falimentuara financiarisht, u bashkuan për të krijuar një administrim më të qëndrueshëm ekonomik dhe më funksional. Nuk mund të themi se ishte një reformë perfekte, por ishte një reformë që erdhi si nevojë e kohës.
Në shumë raste u ulën kostot administrative, u reduktuan borxhet dhe bashkitë fituan më shumë kapacitete për investime. Shëmbull konkret është Bashkia Lezhë, që për pak vite zeroi borgjet e trashëguara në miliona euro. Dhe sot kjo bashki dhe të tjera në vend, duke i krahasuar me periudhën para vitit 2015, kanë më shumë të ardhura, më shumë projekte infrastrukturore dhe një administratë më profesionale.
Natyrisht, ka ende probleme të mëdha me decentralizimin real, me mungesën e fondeve dhe me pabarazitë mes zonave urbane dhe atyre rurale, por askush nuk mund të mohojë se kthimi tek modeli i vjetër i komunave dhe minibashkive do të ishte një hap mbrapa.
Këtu lind problemi kryesor i debateve aktuale që bëhen për Reformë Territoriale. Shumë propozime nuk kanë asnjë burim nga analiza ekonomike, nga ajo demografike apo administrative, por nga nostalgji politike, nga interesa elektorale dhe llogari lokale pushteti.
Rasti për Mirditën është tipik. Ideja për të rikrijuar kufij “etnikë” ose historikë, duke ndërtuar një super-bashki gjigande nga Vau i Dejës deri në Fierzë, nga Ulza deri në Tale, nuk ka lidhje me standardet moderne të administrimit vendor. Ky qëndrim duket më shumë si një romantizëm politik apo identitar sesa një projekt serioz funksional.
Sot reforma territoriale nuk mund të ndërtohet mbi logjikën e shekullit XIX apo fillimit të shekullit XX. Nuk mund të bëhen bashki duke u nisur nga krenaritë krahinore apo kufijtë fisnorë, por nga densiteti i popullsisë, nga infrastruktura, nga akseset në shërbime, nga
ekonomia lokale, nga distancat reale, nga kapacitetet administrative dhe mundësitë për zhvillim.
Në shumë diskutime publike është vënë re edhe një problem tjetër serioz, mungesa e ekspertizës. Flasin njerëz që nuk kanë administruar kurrë një njësi vendore, njerëz që nuk njohin financat lokale, njerëz që nuk kuptojnë planifikimin territorial dhe nuk kanë asnjë eksperiencë mbi mënyrën se si funksionojnë bashkitë europiane. Kështu, debati gjithnjë është degraduar në militantizëm partiak me pretendimin kush fiton më shumë vota, kush kontrollon më shumë drejtori, kush krijon më shumë vende pune për militantët.
Këtu qëndron dyshimi më i madh, pra a po kërkohet një reformë e re territoriale për të përmirësuar shërbimin, apo për të riformatuar hartën elektorale?
Në vebdin tonë, fatkeqësisht, çdo reformë e madhe rrezikon të shihet si instrument politik. Kur PS dhe PD afrohen për marrëveshje të tilla, qytetarët kanë të drejtë të dyshojnë nëse prapa diskutimeve fshihen interesa për balanca votash, kontroll territori apo ndikim elektoral në zgjedhjet e ardhshme.
Nëse reforma bëhet vetëm për numra elektoralë, ajo do të dështojë, sepse pushteti vendor nuk është vetëm çështje harte. Është çështje funksionaliteti, shërbimi dhe zhvillimi.
Në Europë, reformat territoriale bëhen për të fuqizuar administratën lokale dhe për ta afruar qytetarin me shërbimin. Ndërsa tek ne, rreziku është që ato të përdoren për ta afruar politikën me pushtetin dhe jo qytetarin me shtetin.
Prandaj, çdo ndryshim duhet të kalojë përmes
analizave profesionale, konsultimeve reale me komunitetet, studimeve ekonomike e demografike dhe një vizioni afatgjatë zhvillimi.
Përndryshe, vendi ynë rrezikon të hyjë në një tjetër eksperiment territorial të motivuar politikisht, ku pas disa vitesh do të kërkohet sërish reformë e reformës.







