Detaje tronditëse kanë dalë këtë të enjte nga seanca gjyqësore që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt.
I akuzuari për këtë vrasje, Granit Plava, e ka ndryshuar deklaratën e tij, duke pohuar para gjykatës se vrasja u krye në bashkëpunim me bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli.
Gjatë seancës së ditës së sotme, Plava u tërhoq nga deklaratat e bëra më herët, teksa ka pretenduar se tani është duke treguar të vërtetën. Ai theksoi se deklaratat e mëparshme i kishte bërë në bazë të marrëveshjes që kishte me Murselin.
Teksa iu përgjigj pyetjeve të avokatit të tij, Skënder Gojani, Plava pranoi se kishte marrëveshje me Naim Murselin dhe ishte në dijeni të veprës për të cilën po akuzohet.
“Asnjëherë nuk më ka treguar kush do ta kryente veprën, vetëm më tha se do të marrësh përgjegjësinë ti. Pa u bë dy vjet të nxjerr nga burgu, e di çfarë pushteti kam,” tha Plava, duke theksuar më tej një tjetër detaj tronditës.
Sipas asaj që ai ka deklaruar në sallë dhe raportimit që mediat vendase i kanë bërë, mësohet se lidhur me këtë ngjarje ka qenë në dijeni edhe biznesmeni Behgjet Pacolli.
Kujtojmë se pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në nëntor të vitit 2023, Pacolli përmes një njoftimi zyrtar sqaroi raportin që kishte me Naim Murseli dhe Liridona Ademajn. Asokohe ai hodhi poshtë aludimet se Murseli kishte mbajtur postin e këshilltarit të tij, duke theksuar se me të njihej që kur ishte adoleshent dhe se e ka ndihmuar disa herë për punë biznesi. Madje biznesmeni bëri me dije se së bashku me bashkëshorten e tij janë kumbarë të një prej djemve të çiftit.
“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019.
Gjatë mandatit tim si MiPJ, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre. Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpuntor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri. Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”, ka deklaruar më herët Pacolli








