Shkruan Prof Gjergji Gusho
Ekerman.
Ekermani thotë për Gëten: “Shpirtin dhe mendimin e këtij njeriu të jashtzakonshëm mund ta krahasojmë me diamantin shumëfaqesh, i cili nga çdo anë që ta kthesh, ndriçon me dritë tjetër. Me fjalët e Gëtes e ndjen veten disa vjet më të madh e më të mençur”.
Disa shprehje të Gëtes:
Pjesa 1.
– Egoizmi dhe zilia, si dy demonë të së keqes, do të bëjnë gjithmonë lodrën e tyre, dhe lufta e partive s’do të ketë fund kurrë.
– Dihet, kush futet nëpër ferra do të shpohet nga gjembat.
– Siç thuhet se nuk gjen dy gjethe të një peme që të jenë krejtësisht njëlloj, edhe në mes të një mijë njerëzve vështirë është të gjesh dy vetë me mendime dhe pikëpamje plotësisht të njëjta.
– Piktori duhet të dijë të bëjë dallimin se cili objekt vlen për tu pasqyruar e cili jo. Kjo është kërkesa e artit të tij.
– Bota fillon të ndikojë tek ne në çdo drejtim që nga çasti që ne lindim deri sa vdesim.
– Sado absurde tu duken të moshuarve, fëmijët mbeten fëmijë dhe janë të ngjashëm në të gjitha kohrat.
– Sa më lart të jetë njeriu, aq më tepër ai është nën pushtetin e demonëve, ndaj duhet të hapë sytë mirë që vullneti që e drejton të mos marrë shtrembër.
– Bimësia e një vendi ka pjesën e vet në formimin e botës shpirtërore të banorëve të tij. Ai që gjithë jetën e tij e ka kaluar mes aheve të gjatë e të vrëjtur do të ketë një natyrë krejt tjetër nga ai që çdo ditë ka jetuar në mes të mështeknave lëkurëndritura gazmore. Përveç vetive të lindura racore, karakteri i një populli formohet edhe nën ndikimin e tokës e të klimës, të ushqimit e të punës me të cilën merret.
– Vetveten njeriu e njeh vetëm kur gëzon e kur vuan.
– Kur njeriu plaket, i shikon gjërat e kësaj bote ndryshe nga koha kur ishte i ri.
– Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm, aq më tepër të punojë vetëm. Për të arritur diçka duhet nxitja dhe fjala e mirë e shokut.
– Kryesorja është të mësosh të zotërosh vetveten.
– Kur njeriu, si bie fjala unë, i kalon të tetëdhjetat, ai thuajse nuk ka të drejtë të jetojë. Çdo ditë ai duhet të jetë gati për vdekjen dhe të mendojë që të mos lerë pas punë të pakryera.
Ditët që më kanë mbetur në jetë mund t’i shikoj si një dhuratë.
– Asgjë nuk e dëmton më shumë arkën e parave, se kursimi në gjërat kryesore.
– Fati i njeriut përbëhet nga shuma e çasteve të ndritura dhe të zymta të tij.
– Atdheut nuk i shërbejnë të gjithë në të njëjtën mënyrë, por secili bën atë që di, atë që i ka dhënë natyra.
– Bota është e mbushur aq shumë me mendjelehtë e budallenj, sa nuk ka nevojë t’i kërkosh ata në çmendinë.
– Fëmijëve jeta e përditëshme u mëson shumë më tepër se sa libri më i goditur.
J.V.Gëte.- Kryesorja është të mësosh të zotërosh vetveten








