Kreu Editorial Dera e ambasadës amerikane foli më shumë se një mijë fjalime

Dera e ambasadës amerikane foli më shumë se një mijë fjalime

0
1
Shkruan Zef Ndreka
A e kuptuan më në fund demokratët atë që politika amerikane ua ka bërë të qartë prej vitesh?
Mospërfshirja e Sali Berishës në një pritje të organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara nuk është në vetvete vetëm një akt politik që mund të interpretohet si një vendim i ri amerikan ndaj tij. Por bëhet fjalë për një pritje ku janë ftuar figura të tjera politike dhe kryetari i opozitës nuk është përfshirë.
Ky është sinjali diplomatik që demokratët nuk mund ta anashkalojnë më me slogane.
Diplomacia, veçanërisht ajo amerikane, ka edhe gjuhën e heshtjes.
Dhe ndodhi një mungesë në listën e të ftuarve. Kjo mungesë flet më shumë se çdo deklaratë publike.
Problemi i Berishës dhe i Partisë Demokratike nuk fillon me këtë pritje. Ai fillon shumë më herët: më 19 maj 2021, kur Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Berishën publikisht të padëshirueshëm në SHBA, duke e akuzuar për përfshirje në korrupsion madhor.
Që prej asaj dite, demokratëve u është kërkuar vazhdimisht të besojnë se kjo çështje do të zgjidhej politikisht, se koha do ta ndryshonte realitetin, se rikthimi i Berishës në krye të PD-së do të sillte edhe rikthimin e marrëdhënieve të tij me Uashingtonin.
Por këtu qëndron dilema më e madhe.
A u rikthye Berisha në PD apo u rikthye PD-ja tek problemi i Berishës me SHBA-në?
Këto janë dy gjëra krejt të ndryshme por edhe thelbësore.
Berisha dihet si u zgjodh kryetar i PD-së dhe sot, pavarësisht të gjithave mbrapshinave, është lideri parlamentar i opozitës. Kjo është çështje e sovranitetit të demokratëve dhe e strukturave të tyre partiake. Por rikthimi në drejtimin e partisë nuk do të thotë aspak rikthim i marrëdhënieve me Uashingtonin.
Dhe pikërisht këtu duket se është krijuar një keqkuptimi i madh politik.
Për vite me radhë, demokratëve u është përcjellë ideja se “amerikanët do ta kuptojnë”, se “Berisha do të rikthehet”, se “non grata do të bjerë”, se marrëdhënia me SHBA-në do të normalizohet.
Por pretendimi politik nuk bëhet realitet vetëm sepse përsëritet çdo ditë nga w njëjta gojë.
Në politikën ndërkombëtare, veçanërisht në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, duhet parë ajo çfarë bëhet, jo vetëm ajo çfarë thuhet.
Deri më tani, dokumenti zyrtar amerikan që shpalli Berishën “non grata” mbetet pjesë e historisë së marrëdhënies së tij me SHBA-në.
Prandaj pyetja që duhet ti bëjnë vetes demokratët është e thjesht:
Pse nuk u ftua Berisha?
Pyetja tjetër që duhet bërë nga çdo foltorist:
Pse u bindëm se problemi i Berishës me SHBA-në ishte zgjidhur, kur nuk kishte ndodhur asnjë ndryshim zyrtar që ta dëshmonte këtë?
Kjo është shumë më serioze.
Sepse kur PD-ja e ndërtoi strategjinë e saj mbi pritshmërinë që nuk u realizua, atëherë problemi nuk është vetëm tek lideri i tyre Berisha. Problemi kalon tek vetë kultura politike e partisë.
Foltoristëve demokratë tashmë u duhet të dallojnë ndërmjet legjitimitetit të brendshëm dhe legjitimitetit ndërkombëtar.
Berisha mund të jetë “zgjedhur” kryetar nga demokratët. Por kjo nuk e detyron Uashingtonin ta ndryshojë qëndrimin e vet ndaj tij.
PD-ja mund të vendosë kë të zgjedhë kryetar. Por SHBA-ja vendos vetë se me kë takohet, kë fton dhe me kë ndërton marrëdhënie institucionale.
Kjo nuk është ndërhyrje në politikën shqiptare, por eka emrin sovranitet diplomatik.
Pikërisht këtu ndodhet mësimi që PD-ja duhet të nxjerrë, por se nxjerr dot!
PD-ja nuk mund të pretendojë të jetë alternativë qeverisëse euroatlantike ndërkohë që udhëheqja e saj vazhdon të ketë një pengesë të pazgjidhur me partnerin strategjik më të rëndësishëm të Shqipërisë.
Kjo nuk do të thotë se SHBA-ja duhet të përcaktojë se kush duhet të drejtojë PD-në, përkundrazi, vendimin për PD-në duhet ta marrin demokratët.
Por demokratët duhet ta marrin atë vendim duke parë realitetin, jo duke besuar parashikimet e Berishës.
Dhe këtu del në pah një tjetër problem, pikërisht pritshmëritë e krijuara tek baza demokratike.
Më parë, u është deklaruar demokratëve se rikthimi i Berishës në krye të PD-së do të pasohej nga pranimi amerikan, ndërsa sot realiteti diplomatik tregon se kjo nuk ka ndodhur, atëherë pyetja për përgjegjësinë politike është e pashmangshme.
A ishte thjesht një gabim parashikimi, apo ishte vetëbindje? Apo më keq, u përdor shpresa e demokratëve për rikthimin e marrëdhënieve me SHBA-në si argument për të justifikuar rikthimin e një lideri të vjetër komunist?
Këto pyetje mos ti marrin si sulm ndaj demokratëve, por janë pyetje që demokratët duhet t’ia bëjnë vetes.
Sepse asnjë opozitë serioze nuk mund të jetojë me iluzione diplomatike, por të dijë ku qëndron dhe ku dëshiron të shkojë.
Nëse Berisha vazhdon ta konsiderojë çështjen e “non grata”-s si një betejë personale, kjo është një zgjedhje e tij. Por në momentin që ai është kryetar i opozitës, problemi personal është kthyer në problem institucional për të gjithë partinë.
Kjo është pika ku PD-ja duhet të ndalet e të mendojë.
A është Partia Demokratike një parti që kërkon të qeverisë Shqipërinë, apo një parti që vazhdon të organizohet rreth fatit politik të një njeriu?
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një opozitë që kundërshton Edi Ramën.
Ka nevojë për një opozitë që bind shqiptarët se mund të qeverisë ndryshe.
Dhe për ta bërë këtë, PD-ja duhet të jetë më e madhe se çdo kryetar, më e madhe se çdo histori personale dhe më e madhe se çdo konflikt individual.
Edhe Sali Berisha duhet ta kuptojë këtë.
Si lider historik mund të ketë meritat e veta në historinë e një partie. Por historia nuk është pronë private. Partitë politike nuk mund të mbahen peng pafundësisht nga një konflikt i së shkuarës.
Gjithsesi, çështja nuk është nëse Berisha u ftua apo nuk u ftua në një pritje.
Çështja është se çfarë mesazhi po merr sot PD-ja nga realiteti ndërkombëtar dhe çfarë do të bëjë me të?!
Nëse demokratët vazhdojnë të thonë se gjithçka është në rregull, ndërsa faktet tregojnë një realitet tjetër, atëherë ata nuk po mashtrojnë amerikanët, por po mashtrojnë veten.
Kjo është shumë më e rrezikshme, sepse PD-ja mund të humbasë një zgjedhje dhe të rikthehet, mund të humbasë një mandat dhe të fitojë tjetrin.
Por kur humbet aftësinë për të parë realitetin dhe për t’ia thënë të vërtetën vetes, atëherë fillon humbja e saj më e madhe.
PD-ja nuk ka nevojë për një tjetër betejë personale rreth Berishës. Ajo ka nevojë për një debat të sinqertë mbi të ardhmen e saj dhe këtë demokratët duhet të kuptojnë sot:
Amerika nuk është kundër PD-së. Por kjo nuk do të thotë se çdo drejtues i PD-së është i pranuar nga Amerika.
Kjo është diferenca, e vogël në dukje, por vendimtare për të ardhmen e opozitës shqiptare.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu