Kreu Kulturë “O sot o kurrë, o Flamur o dekë” – rikthimi i një...

“O sot o kurrë, o Flamur o dekë” – rikthimi i një figure të lënë në harresë

0

Shkruan Zef Ndreka

Promovimi i librit “O sot o kurrë! O Flamur o dekë” të Pjetër Logorecit në ambientet e Pallatit të Kulturës në Lezhë shërben si një shtysë për të rikthyer në vëmendje një nga figurat më të rëndësishme, por jo mjaftueshëm të vlerësuara të historisë shqiptare, atë të Dom Nikollë Kaçorrit.

Libri nuk e pashë aspak si një biografi, por si një rrëfim të dyfishtë, atë të jetës dhe atë të harresës. Kaçorri paraqitet si një figurë shumëdimensionale, shumë aktive si në periudhën para shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë, ashtu edhe në momentet kyçe të shtetformimit. Pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit dhe në Kongresin e Elbasanit, ai ishte ndër ata intelektualë dhe klerikë që e kuptuan herët rëndësinë e gjuhës, arsimit dhe identitetit kombëtar.
Përfshirja e tij në lëvizjen kombëtare nuk kaloi pa pasoja. Burgosja në Durrës në vitin 1911 nga autoritetet osmane e dëshmon qartë profilin e tij si një figurë e rrezikshme për status quo-në e kohës. Ndërhyrja austriake për lirimin e tij dhe më pas përfshirja në qeverinë e parë shqiptare në Vlorë, si zëvendëskryeministër, e vendosin Kaçorrin në qendër të zhvillimeve politike të kohës.

Një nga aspektet më interesante që sjell libri është qëndrimi i tij i prerë politik, si anti-italian dhe kundër linjës së Esad Pashë Toptanit, çka e bën atë një figurë aktive me integritet të fortë kombëtar.
Por ndoshta pjesa më e fortë e librit nuk lidhet me jetën, por me “jetën pas vdekjes”. Rrugëtimi i eshtrave të Kaçorrit nga Vjenë drejt Shqipërisë është një metaforë e fuqishme e harresës dhe rikujtesës selektive. Kontrasti mes ceremonisë mortore të vitit 1917 në Vjenë, me pjesëmarrjen e diplomatëve dhe nderime shtetërore dhe ceremonisë së vitit 2012 në Durrësin e vakët dhe pa përfaqësim institucional, flet më shumë se çdo analizë.

Pyetja që ngre autori është legjitime dhe e pakëndshme:
pse disa figura të rëndësishme të historisë kombëtare, si Isa Boletini, marrin vëmendje të madhe institucionale, ndërsa të tjerë si Kaçorri apo Luigj Gurakuqi mbeten në hije?
Kjo nuk është thjesht çështje historie, por reflektim mbi mënyrën se si ndërtohet memoria kombëtare.
Në këtë kuptim, libri i Logorecit është më shumë se një rikonstruksion historik, është një akt rehabilitimi moral. Ai kërkon që figura e Kaçorrit të mos mbetet një emër në faqe arkivash, por të zërë vendin që i takon në vetëdijen kombëtare.
Rrugëtimi i tij i dytë, nga Vjena në Shqipëri, nuk ishte më për të ndërtuar shtetin, por për të rikujtuar se historia nuk e fal harresën.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu