Gjykata Kushtetuese nuk e kaloi në seancë plenare padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj, i cili u ankua për vendimmarrjen e një gjyqtari paraprak që e dërgoi të përballet me SPAK si i pandehur në gjykimin e themelit.
Duke këmbëngulur për papajtueshmëri me Kushtetutën, kryebashkiaku tentoi shfuqizimin e vendimit të 9 shkurtit 2026 të gjyqtares paraprake, e cila aprovoi hetimet e SPAK dhe vendosi vazhdimin e gjykimit të hapur ndaj 30 të akuzuarve, mes tyre edhe funksionari lokal. Gjyqtarët kushtetues vlerësuan moskalimin e çështjes në seancë plenare.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, gjithashtu, kryebashkiaku kishte kërkuar në këtë gjykatë edhe pavlefshmërinë e çdo seance të mëpasshme prej momentit kur gjyqtari paraprak ia kaloi një trupe gjyqësore të GJKKO-së, procese që vazhdojnë të mbahen vetëm me praninë e avokatit të tij, duke qenë se Veliaj vazhdon të insistojë për barazinë e armëve, që është dalja nga kafazi dhe ulja në sallë përkrah mbrojtjes.
Edhe kjo pikë nuk kaloi në seancën plenare, ndërkohë që kërkesa të tjera lidheshin edhe me kompetencat e SPAK, siç është përpjekja e Veliajt për të shfuqizuar një pikë të këtij ligji që i jep kompetenca prokurorit të posaçëm të hetojë, kur ka dyshime të arsyeshme, kolegët dhe gjyqtarët antikorrupsion.







