Kreu Hapësirë MANIFEST REAGIMI DHE PROTESTË E HAPUR NGA UNIONI ARTISTIK I KOMBIT SHQIPTAR!

MANIFEST REAGIMI DHE PROTESTË E HAPUR NGA UNIONI ARTISTIK I KOMBIT SHQIPTAR!

0
1

Shkruan Azgan Haklaj

​NDALË PROVOKIMEVE SHTETËRORE NDAJ SHQIPTARËVE NË PLAVË E GUCI!
FLAMURI KOMBËTAR NUK ËSHTË CRIME, ËSHTË IDENTITET!
​Pamjet dhe raportimet nga terreni ku pjesëtarë të Policisë së Malit të Zi ndërhyjnë me forcë mes dasmorëve shqiptarë në Plavë e Guci për t’u hequr flamurin kombëtar kuqezi, përbëjnë një akt të pashembullt provokimi, arbitrariteti dhe fyerje kolektive.
Kjo nuk është një shkelje e radhës apo një tejkalim i kompetencave administrative.
Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, traditës dhe ekzistencës autoktone të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore.
​Harresa e pafalshme e historisë politike!
​Autoritetet në Podgoricë po tregojnë një amnezi të rrezikshme historike.
Në vitin 2006, më 21 maj, ishin pikërisht votat e shqiptarëve në Plavë -Guci, Tuz, Ulqin e Rozhajë aty ato që përcaktuan fatin e shtetësisë së Malit të Zi, ku më 3 qershor 2006 u shpall pavarësia.
Vota e shqiptarëve i dha nokdaunin përfundimtar mbetjeve të regjimit shfarosës të Sllobodan Millosheviçit dhe e shkëputi përfundimisht këtë shtet nga nënshtrimi i Serbisë.
Sot, është paradoksale dhe thellësisht e pafalshme që populli që hodhi themelet e pavarësisë së Malit të Zi të trajtohet si element armiqësor vetëm sepse feston gëzimet e veta familjare me simbolin e vet kombëtar.
​Nisja e goditjeve ndaj shqiptarëve në çdo cep të rajonit!
​Kjo ngjarje nuk është e izoluar.
Ndërsa projeksioni i të ashtuquajturës “Botë Serbe” dhe besëlidhjes së saj po sulmon të drejtat tona, shqiptarët po përballen me goditje sistematike në të gjitha trojet:
​Në Maqedoninë e Veriut:
Po goditet dhe po cenohet statusi i Gjuhës Shqipe.
​Në Luginën e Preshevës:
Po vazhdon procesi i heqjes dhe pasivizimit të adresave për të zbrazur tokën nga shqiptarët.
​Në Kosovë:
Vendi përballet me sfida për formimin e institucioneve të reja dhe stabilitetin politik.
​Në Hagë:
Drejtuesit e UÇK-së presin vendimin e proceseve gjyqësore, ndërsa historia jonë çlirimtare vihet në sprovë.
​Ku janë shqiptarët sot përballë këtij sulmi të koordinuar?
​Besëlidhje Shqiptare përballë “Botës Serbe”!
​Më datë 16 shtator, në orën 10:00, të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet etnike dhe në Diasporë kudo që ndodhen, duhet të jenë në shesh për të pritur vendimin që ndan epokat!
​Një Komb, Një Histori!
Unë jam UÇK!
​Hipokrizia e standardeve evropiane!
​Mali i Zi trumbeton në Bruksel se është vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Por evropianizimi nuk është një maskë burokratike për të kaluar kapitujt e negociatave, ndërsa në terren ushtrohet represion psikologjik e policor ndaj pakicave autoktone.
Respektimi i simboleve kombëtare në festa familjare është e drejtë universale e garantuar nga çdo konventë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Cenimi i kësaj të drejte është provokim i hapur i paqes sociale dhe bashkëjetesës ndëretnike.
​Thirrje absolute për veprim dhe përgjegjësi:
​Nga Qeveria dhe MPB e Malit të Zi:
Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë që ndërmorën këtë akt arbitrar, kërkim falje zyrtare ndaj familjes shqiptare dhe lëshimin e një udhëzimi të prerë për ndërprerjen e çdo persekutimi të simboleve tona.
​Nga faktorët politikë shqiptarë në Podgoricë:
Koha e deklaratave të buta ka mbaruar.
Kërkohet kushtëzimi i menjëhershëm i çdo bashkëpunimi politik dhe qeverisës deri në garantimin e plotë e me ligj të paprekshmërisë së flamurit kuqezi.
​Nga Misioni i BE-së dhe Ambasadat e Perëndimit: Kërkojmë dokumentimin e këtij incidenti si tregues i qartë se si shkelen të drejtat e pakicave në një vend që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane.
​Shqiptarët në Plavë e Guci kanë mbijetuar stuhive shumë më të mëdha historike dhe nuk mund të frikësohen apo të nënshtrohen nga patrullat e policisë. Flamuri kuqezi ka valëvitur me dinjitet ndër shekuj dhe do të valëvitë gjithmonë në çdo dasmë e gëzim tonin!

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu