Shkruan Azgan Haklaj
NDALË PROVOKIMEVE SHTETËRORE NDAJ SHQIPTARËVE NË PLAVË E GUCI!
FLAMURI KOMBËTAR NUK ËSHTË CRIME, ËSHTË IDENTITET!
Pamjet dhe raportimet nga terreni ku pjesëtarë të Policisë së Malit të Zi ndërhyjnë me forcë mes dasmorëve shqiptarë në Plavë e Guci për t’u hequr flamurin kombëtar kuqezi, përbëjnë një akt të pashembullt provokimi, arbitrariteti dhe fyerje kolektive.
Kjo nuk është një shkelje e radhës apo një tejkalim i kompetencave administrative.
Ky është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj dinjitetit, traditës dhe ekzistencës autoktone të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore.
Harresa e pafalshme e historisë politike!
Autoritetet në Podgoricë po tregojnë një amnezi të rrezikshme historike.
Në vitin 2006, më 21 maj, ishin pikërisht votat e shqiptarëve në Plavë -Guci, Tuz, Ulqin e Rozhajë aty ato që përcaktuan fatin e shtetësisë së Malit të Zi, ku më 3 qershor 2006 u shpall pavarësia.
Vota e shqiptarëve i dha nokdaunin përfundimtar mbetjeve të regjimit shfarosës të Sllobodan Millosheviçit dhe e shkëputi përfundimisht këtë shtet nga nënshtrimi i Serbisë.
Sot, është paradoksale dhe thellësisht e pafalshme që populli që hodhi themelet e pavarësisë së Malit të Zi të trajtohet si element armiqësor vetëm sepse feston gëzimet e veta familjare me simbolin e vet kombëtar.
Nisja e goditjeve ndaj shqiptarëve në çdo cep të rajonit!
Kjo ngjarje nuk është e izoluar.
Ndërsa projeksioni i të ashtuquajturës “Botë Serbe” dhe besëlidhjes së saj po sulmon të drejtat tona, shqiptarët po përballen me goditje sistematike në të gjitha trojet:
Në Maqedoninë e Veriut:
Po goditet dhe po cenohet statusi i Gjuhës Shqipe.
Në Luginën e Preshevës:
Po vazhdon procesi i heqjes dhe pasivizimit të adresave për të zbrazur tokën nga shqiptarët.
Në Kosovë:
Vendi përballet me sfida për formimin e institucioneve të reja dhe stabilitetin politik.
Në Hagë:
Drejtuesit e UÇK-së presin vendimin e proceseve gjyqësore, ndërsa historia jonë çlirimtare vihet në sprovë.
Ku janë shqiptarët sot përballë këtij sulmi të koordinuar?
Besëlidhje Shqiptare përballë “Botës Serbe”!
Më datë 16 shtator, në orën 10:00, të gjithë shqiptarët në të gjitha trojet etnike dhe në Diasporë kudo që ndodhen, duhet të jenë në shesh për të pritur vendimin që ndan epokat!
Një Komb, Një Histori!
Unë jam UÇK!
Hipokrizia e standardeve evropiane!
Mali i Zi trumbeton në Bruksel se është vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Por evropianizimi nuk është një maskë burokratike për të kaluar kapitujt e negociatave, ndërsa në terren ushtrohet represion psikologjik e policor ndaj pakicave autoktone.
Respektimi i simboleve kombëtare në festa familjare është e drejtë universale e garantuar nga çdo konventë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Cenimi i kësaj të drejte është provokim i hapur i paqes sociale dhe bashkëjetesës ndëretnike.
Thirrje absolute për veprim dhe përgjegjësi:
Nga Qeveria dhe MPB e Malit të Zi:
Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë që ndërmorën këtë akt arbitrar, kërkim falje zyrtare ndaj familjes shqiptare dhe lëshimin e një udhëzimi të prerë për ndërprerjen e çdo persekutimi të simboleve tona.
Nga faktorët politikë shqiptarë në Podgoricë:
Koha e deklaratave të buta ka mbaruar.
Kërkohet kushtëzimi i menjëhershëm i çdo bashkëpunimi politik dhe qeverisës deri në garantimin e plotë e me ligj të paprekshmërisë së flamurit kuqezi.
Nga Misioni i BE-së dhe Ambasadat e Perëndimit: Kërkojmë dokumentimin e këtij incidenti si tregues i qartë se si shkelen të drejtat e pakicave në një vend që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane.
Shqiptarët në Plavë e Guci kanë mbijetuar stuhive shumë më të mëdha historike dhe nuk mund të frikësohen apo të nënshtrohen nga patrullat e policisë. Flamuri kuqezi ka valëvitur me dinjitet ndër shekuj dhe do të valëvitë gjithmonë në çdo dasmë e gëzim tonin!







