Si po mbijeton Babloku në “rrjetë” të amerikanëve?!

0

Edi Rama në “rrjetë”; Berisha e Meta në “derë” të burgut… 

Shkruan Sokol Pepushaj

Vjedhja e shtetit bëhet nga zyrat e shtetit, se s’mund të ndodhë ndryshe, apo jo? Pastaj, çdo zyrtar, nga periferiku poshtë, ku ka ca dyqane, hotele, prona e para, e deri në kupolë lart, ku “sheikët” s’kanë zgjidhje tjetër, veçse të plasen në  “teleferikun” për burg, ka aq pasuri, sa më budallai, të ka arritur, fjala vjen, me 15 dollarë në ditë, të konsumojë 100 e të kursejë 500.

Kur vidhet kaq shumë, i pari që “qëllohet” me dyshime është i pari i vendit, Edi Rama.

Pasi “postulatin” ‘fajin e ka Saliu’, ja prishën amerikanët me nongratën; ky e hëngri karremin dhe ra për vete në “rrjetë” të amerikanëve.

Edi Rama në “rrjetë”; Berisha e Meta në “derë” të burgut…

Këtë panoramë shohin gjithë shqiptarët. Edhe ata me syze partiake.

Ky është refreni i ditë- natës së gjatë, derisa ata që janë zënë duke vjedhur, të lëshojnë zyrat e shtetit e të “rehatohen” qelive të burgut.

Çdo ligj e zakon, shtetëror e shoqëror, njerëzor e kanunor, kasta sunduese 32 vjeçare, e ka dhunuar, prandaj janë zënë në një qoshe, ku s’dalin kurrë më nga aty.

As bunkerët e Enverit, as bandat e Saliut e Ilirit, as pasuritë e Edit, nuk ndryshojnë drejtimin e “shigjetave” të një populli të acaruar ne kufijtë e fundit të durimit njerëzor.

Lavdia e hajdutëve s’ka më jetë…

Vërtetë është hera e parë në historinë tonë, që paria e këtij vendi është “tabelë qitjeje”, por një herë të vetme shigjeta e Paridit gjeti rastësisht zemrën që fshihej në thembrën e Akilit, dhe aq u desh, shkatërrimtari i demonëve, heroi i Trojës së Lashtë, e la këtë Botë u bë libër, histori, Iliadë.

Këta heronjtë e betejave të maleve e fushave, pyjeve e ujërave të fshatit pasanikët që erdhën nga hiçi, budallenjtë me tituj shkencorë, unikalë në historinë njerëzore, pasi lanë popullin e vet pa bukë, po bëhen burg, prandaj sot ky është refreni, bukë për barkun e burg për hajdutët.

Që të kapen hajdutët, u desh zënë në “kurth” kryehajduti.

E mbërthyen vërtetë një kryehajdut në fundshekullin e tretë dhe e çuan para Claudit, perandorit të rreptë të Romës.

Të dënuarit me vdekje, sipas zakonit, i duhej dëgjuar e plotësuar kërkesa e fundit.

E çuan përpara Perandorit…

-Dua kohë të kapë ca “Peshq” Madhëri.

-Çojeni tek inceneratorët se po bëhen edhe të vdekurit me nga 35 milion dollarë.

Pasi shkoi andej e kapi një Lefter e një Bllako nëpër “Oqeanin” e Ndranghetës ku noton Lali Eri, dhe e çuan para Perandorit.

– Çojeni në kryq – foli rreptë Perandori i rreptë.

– Madhëri, nuk ma plotësuat dëshirën, unë dua të zë gjithë peshqit që ka në inventar ambasadorja Yuri Kim. Këtej nga fshati ynë amanetin e mban edhe Toka. M’i ka lënë ambasadori Donald Lu e do i kap me të Rilindjes e Foltores, Saliut, Ilirit, Fatmirit, Skënderit, e deri tek ata të Skënderbeut në e kërkoni ju.

Ja plasën gazit të gjithë, prej tek Perandori romak i shekullit të tretë Claudi, e deri tek Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Ky i fundit, largoi pak në tavolinë non-gratën që e kishte në radhë dhe jo vetëm që ra dakord të mos kryqëzohet këtë vjeshtë, por të mbahet si gaztor afër Belinda Ballukut.

Prandaj kemi këtë skenar. Ambasadorja Yuri Kim nuk po takohet prej ca kohësh me Bablokun.

Pas “perdes” së vjeshtës, ku bëhen gati “kostumet” vija-vija për Reç, hajdutologët janë të shqetësuar pse Babloku u ngjan si gaztor i Belinda Ballukut dhe nuk shihet në takime, përveçse atyre formale.

Po ingranazhet e mekanikës në këtë vjeshtë pune, sikur s’po funksionojnë mirë.

Pyetja do ishte; Si mbijeton Babloku në “rrjetë” të amerikanëve?!/Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu