Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen, e gatshme të bashkëpunojë me Kinën: Të ruajmë paqen

0

Presidentja e Tajvanit Tsai Ing-wen ka deklaruar se nuk ka vend për kompromis mbi sovranitetin e ishullit të vetëqeverisur.

Por ka theksuar se është e gatshme të bashkëpunojë me Kinën për të gjetur “mënyra reciprokisht të pranueshme” për të ruajtur paqen përgjatë ngushticës së Tajvanit.

“Konsensusi i popullit tajvanez … është të mbrojmë sovranitetin tonë dhe mënyrën tonë të lirë dhe demokratike të jetesës. Nuk ka vend për kompromis për këtë“, tha Tsai gjatë një fjalimi me rastin e Ditës Kombëtare të Tajvanit, mbajtur ndërsa tensionet midis Taipeit dhe Pekinit ‘ziejnë’ në pikën më të lartë në dekadat e fundit.

Tajvani, shtëpia e 23 milionë njerëzve, shtrihet më pak se 177 kilometra nga brigjet e Kinës. Për më shumë se 70 vjet, të dyja palët janë qeverisur veçmas, por kjo nuk e ka penguar Partinë Komuniste në pushtet të Kinës të pretendojë ishullin si të vetin, pavarësisht se nuk e ka kontrolluar kurrë.

Udhëheqësi kineze Xi Jinping ka thënë se “ribashkimi” i Kinës dhe Tajvanit është i pashmangshëm dhe refuzoi të përjashtojë përdorimin e forcës. Por në fjalimin e saj të hënën, Tsai u kërkoi udhëheqësve kinezë të mos ecin në atë rrugë.

“Unë u bëj thirrje autoriteteve të Pekinit që lufta nuk duhet të jetë opsioni”, tha Tsai.

“Vetëm duke respektuar këmbënguljen e popullit tajvanez për sovranitetin, lirinë dhe demokracinë, ne mund të rifillojmë ndërveprimet pozitive në ngushticën e Tajvanit.”

Pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan në fillim të gushtit, Kina rriti taktikat e presionit ushtarak në ishull, duke dërguar avionë luftarakë përgjatë vijës së ngushticës së Tajvanit, që ndan dy vendet.

Për dekada të tëra, ka shërbyer si një vijë demarkacioni jozyrtare midis tyre, me inkursione ushtarake të cilat ishin të rralla.

Javën e kaluar, Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit paralajmëroi se avionët luftarakë kinezë ose dronët që ndërhyjnë në hapësirën ajrore territoriale të Tajvanit, të përcaktuar si 22.2 kilometra nga brigjet e ishullit, do të konsiderohen si një “goditje” dhe Taipei do rrisë mbrojtjen e saj në përgjigje të presionit ushtarak të Pekinit.

Tsai tha në fjalimin e saj të hënën se Tajvani është një “simbol i rëndësishëm” i demokracisë në botë dhe njerëzit e tij janë të vendosur për të mbrojtur ishullin.

“Komuniteti ndërkombëtar është shumë i qartë se mbrojtja e sigurisë së Tajvanit është e barabartë me mbrojtjen e stabilitetit rajonal dhe vlerave demokratike. Nëse liritë demokratike të Tajvanit shkatërrohen, kjo do të jetë një pengesë e madhe për demokracitë në mbarë botën”, tha ajo.

Ajo përsëriti se Tajvani ka forcuar ndërgjegjësimin e mbrojtjes kombëtare, si dhe ka përvetësuar dhe rritur prodhimin e armëve precize për të rritur aftësitë luftarake asimetrike (një term për strategjitë ushtarake për të kundërshtuar ushtritë më të fuqishme).

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu