Në privatësi dhe pa ceremoni zyrtare. Ishte ky amaneti i fundit që akademiku Rexhep Qosja u la familjarëve të tij për lamtumirën mortore.
Edhe njoftimi për ndarjen nga jeta të akademikut erdhi pas përcjelljes së tij në banesën e fundit, ku siç shkruan edhe nipi i tij, Valjet Rexhepi, në rrjetet sociale, varrimi u zhvillua në prani vetëm të anëtarëve të ngushtë të familjes.
“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes. Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”, njoftoi nip i tij.
Akademiku Rexhep Qosja u shua në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme në kulturën shqiptare. Ai konsiderohet një nga intelektualët më të shquar shqiptarë, me një kontribut të madh në letërsi, kritikë letrare dhe studime historike.
I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikën letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.








