Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë të gjitha ndihmat për Shqipërinë për njlë periudhë 90 ditore, pas Urdhrit Ekzekutiv të Donald Trump lidhur me ndihmën në vendet e huaja.
Kjo konfirmohet nga një notë diplomatike që Ambasada Amerikane në Tiranë iu ka dërguar të gjithë institucioneve më të larta shqiptare, ku njoftohet ndërprerja me efekt të menjëhershëm e mbështetjes dhe fondeve.
Partnerët e programit dhe zbatuesit e programeve të asistencës të financuara nga SHBA-të në Shqipëri janë duke u njoftuar për këtë veprim.
Fondet amerikane do të jenë të ndërprera deri në një vendim të dytë, pasi administrata e Trump të ketë vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkon që ky njoftim të ndahet me të gjitha Ministritë, institucionet dhe entitetet e tjera qeveritare përkatëse që bashkëpunojnë përmes programeve ekzistuese të ndihmës së huaj të SHBA-ve, duke përfshirë:
Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare
Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
Ministria e Mbrojtjes
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX)
Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit
Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij
Këshilli i Lartë Gjyqësor
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Gjykata Kushtetuese
Gjykata e Lartë
Të gjitha gjykatat, përfshirë gjykatat e apelit, gjykatat administrative të apelit dhe gjykatat e shkallës së parë
Struktura e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit
Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm
Inspektori i Lartë i Drejtësisë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Dhoma e Posaçme e Apelimit
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK)
Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI)
Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit
Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)
Të gjitha pushtetet komunale
Kujtojmë që Departamenti i Shtetit i SHBA-së, më 24 janar, urdhëroi ngrirjen e financimeve të reja për pothuajse të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare amerikane si pjesë e përpjekjes së presidentit Donald Trump për t’i përshtatur këto programe me qëllimet e tij të politikës së jashtme. Këto programe zbatohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, u dërgoi një mesazh ambasadave amerikane në mbarë botën duke sqaruar zbatimin e një urdhri ekzekutiv që Trump e nënshkroi më 20 janar, ku thuhej se “asnjë ndihmë e mëtejshme ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara nuk do të shpërndahet në një mënyrë që nuk është plotësisht e përputhur me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Ky urdhër i prek shpërndarjet e reja të fondeve për vendet e huaja, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët, deri në përfundimin e rishikimeve të programeve.
Kujtojmë se dy ditë më parë, një prej përfaqësueseve të shoqërisë civile në Shqipëri, Iris Luarasi, gjatë një interviste konfirmoi ndërprerjen e fondeve për organizatësn e saj, por ndërkohë mohoi që fondet të ishin ndërprerë për SPAK-un, gjë që rezultoi e pavërtetë.