Shkruan Ndriçim Kulla
Para do ditësh ambasadori i BE, zoti Silvio Gonzato dha një intervistë, që u quajt surprizuese, por që nëse shihet me kujdes, nuk është dhe aq e tillë. Nëse do të qe thjesht një rrëfim personal, si për çdo njeri tjetër të këtij komuniteti, unë do të njëjtësohesha me vuajtjet dhe problemet e tij të një jete kur ka qenë dikur i martuar dhe me dy fëmijë, e sot është i martuar me një burrë. Solidariteti dhe ndihma reciproke janë thelbi i përjetshëm i qytetarisë, e akoma më shumë i shqiptarëve që njihen si komb bujar dhe mikpritës, si rrallë kush në historinë e njerëzimit.
Vetëm se gjithçka ndryshon nëse Gonzato këtë rrëfim e bën si ambasador i BE dhe për më tepër në javën kulturore të Evropës. Nga personale rrëfimi i tij bëhet influencial, i qëllimshëm për të ndikuar, duke e fuqizuar këtë qasje dhe qëndrim, me terma të tillë si ” një vizion për Evropën” dhe ” shqiptarët duhet ta ndryshojnë këtë mendësi”.
Është pikërisht kjo pika ku ligjërimi i tij, deri më parë aspak kërcënues, madje solidar, bëhet vërtet kërcënues, imponues dhe del jashtë binarëve miqësorë, duke na futur në binarët e një lufte që ne kemi kohë që e kemi nisur dhe do të donim të kthehej në një lëvizje anti- wokë edhe në Shqipëri, ashtu siç po ndodh në Amerikë e në shumë vende të Evropës.
Në radhë të parë, do të doja të kujtoja që ky nuk është vizioni i etërve themelues të Evropës, përkundrazi rrënjët e themelit mbi të cilat u ngrit BE janë judeo- kristiane, ndaj do të ishte më e udhës të vlerësoheshin dhe priorizoheshin këto lloj vlerash të qëndrueshme, të përjetshme, të forta e solidare, përkundrejt vlerave të një agjende që ka vetëm dy apo tre dekada jetë, që relativizon shumë parime të forta mbi dashurinë njerëzore, duke e pështjelluar vizionin e saj në qindra lloje gjinish që i korrespondojnë qindra lloje të ndryshme dashurish.
Një koncept tipik wokist që na e zhvillon ambasadorin të pozicionuar në një krah të caktuar ideologjik, kulturor dhe politik, pra në një qasje të njëanshme, jo gjithë përfshirëse, evropiane, duke na e bërë detyrimisht kërcënues për idealet tona konservatore, patriote e sovraniste që përfaqësojmë e duam të respektohen pa kushte dhe dallime.
Së dyti, këto ideale konservatore janë identitare dhe pjesë përbërëse e mjaft shteteve dhe shoqërive evropiane, madje mjaft qeverive në fuqi nëpër këto shtete, ndaj na duket si arbitrare dhe e padrejtë, që si ambasador i BE të shqetësohesh dhe të japësh leksione imponuese vlerash e mendësish që ne shqiptarët i paskemi gabim e do të na duhet të ndryshojmë. Je shumë i njëanshëm edhe njëherë ambasador, je i llogores wokiste jo patriote, rrjedhimisht kërcënues për një shumicë shqiptarësh që këto vlera konservatore, të konceptit për jetën dhe familjen i kanë kultivuar në shekuj, dhe kanë provuar që i kanë mbajtur gjallë, ashtu të vegjël e të pafuqishëm përballë armiqve të mëdhenj, por me një superioritet etik dhe moral ndaj tyre, që u bëri të paasimilueshëm nga gjithkush.
Me vjen keq zoti ambasador, të të them që jam krejtësisht i zhgënjyer nga ju, pikërisht sepse ju jeni ndjerë i zhgënjyer ngaqë ekspozita me foto që ju donit te promovonit, gjeti vështirësi të pranohej nga njerëzit, pasi nuk qe e përshtatshme të shihej nga fëmijët. Kjo tregon që ju nuk e njihni thelbin tonë si komb, dhe kërkoni si ” ambasador i kulturës woke” ti shtoni këtij thelbi një mballomë të tillë relativiste. Kjo tregon që nuk e respektoni vendin mikpritës, pasi mendësinë tuaj woke e quani përparimtare, progresiste, dhe parimet dhe vlerat tona etiko- morale prapanike dhe të kaluara nga koha. Nuk është aspak kështu. Wokizmi dhe kultura e tij është thjesht një virus i ri, që kërkon të gërryejë dhe përçajë shoqërinë e vlerave të qëndrueshme të Evropës, është një anomali historike që duhet luftuar dhe jo progresuar, që duhet trajtuar si sëmundje shoqërore e liberalizmit, jo si mendësi e përparuar dhe zhvilluese.
Ti nuk mund ti relativizosh qëllimet e tua për të ndikuar shoqërinë shqiptare me termin dashuria është njësoj, është thelbi i njerëzimit apo duke thënë se tek e fundit janë thjesht foto. Përkundrazi, nën moton ” të bashkuar në diversitet” na prano dhe na respekto diversitetin tonë anti-wokist, që në fakt është qasja e shumicës, pikërisht sepse është qasja e gjykimit të shëndoshë, është qasja e të vërtetave të mëdha e të qëndrueshme historike njerëzore, jo qasjeve kohë- shkurta e relativiste që ti mbështet.
Patjetër që ndihemi të shqetësuar dhe të kërcënuar kur në javën evropiane të kulturës, na imponohet një ideologji jo e vërtetë dhe për më tepër ndaj fëmijëve tanë. Është pikërisht ky thelbi i gjithë luftës sonë: të mos e lëmë shoqërinë e ardhme shqiptare, shoqërinë e fëmijëve tanë të ndikohet nga ky virus woke, që ti dhe shumë fije e kanale të agjendës sorosiane në Evropë, kërkoni të impononi në Shqipëri, me bekimin e ushtarit të regjur të kësaj agjende, Edi Rama.
Lufta do të jetë e vështirë, por ne ndihemi të fortë, sepse mbështetemi në të vërtetat e mëdha e të pandryshueshme që të përgjigjen pikërisht kështu: zoti është real, zoti Gonzato, ka vetëm dy gjini, burrë edhe grua, dhe janë prindërit ata që determinojnë dhe vendosin per edukimin e fëmijëve të tyre, sepse bërthama e familjes, kjo shoqëria më e vogël dhe e vërtetë në botë, është forma më e fortë e qeverisjes qe ka njohur njerëzimi. Prandaj, ne ndihemi të zhgënjyer dhe të kërcënuar nga ju, që me anë të shoqërisë që doni të promovoni, të arrini të ndikoni mbi edukimin e fëmijëve tanë. Aq më tepër që familja shqiptare ka qenë djepi i qytetërimit shqiptar në shekuj. Ky është thelbi i njerëzimit, zoti Gonzato, solidariteti njerëzor, jo dhunimi i i të drejtave tona për ti edukuar fëmijët tanë me vlerat dhe etikën e së vërtetës.
Megjithatë, zhvillimi i mendësisë suaj woke, si kulturë dhe ideologji, na bën të shqetësuar e të kërcënuar edhe që kjo mendësi, të shtrihet edhe në fushën politike, si pjesë përbërëse e agjendës sorosiane, që ju mund të përfaqësoni, përderisa kjo agjendë wokizmin e ka si bazë të vet themelore. Aq më tepër që dyshime të arsyeshme të sjelljes suaj për tu imponuar edhe në realitetin zgjedhor në Shqipëri, janë hedhur me të drejtë, nisur nga fshirja dhe mohimi i disa mesazheve komunikuese me vëzhgues të OSBE.
Realiteti shqiptar zgjedhor duhet të përshkruhet me vërtetësi objektive, me emra e mbiemra të njerëzve të administratës dhe të bandave që ndërhyn në to, duke mos përsëritur gabimin dhe njëanësinë e rezolutave të mëparshme. Ndoshta qasje të tilla mund të jenë ndikuar nga eprorët e tu në Evropë, ose ndoshta nga presioni i fortë i regjimit të Edi Ramës, këtu në Shqipëri, por në emër të lirisë dhe të drejtës së qytetarëve të vendit tim, aq të dashura për liberalët, ju të jeni sa më të drejtë e objektivë, duke u ngritur mbi njëanshmërinë dhe mendësinë tuaj, ashtu siç e meriton një ambasador i Evropës së vlerave të lirisë, për të ndihmuar në zbulimin dhe legjitimimin e farsës zgjedhore që ka ndodhur. Mos na zhgënjeni edhe kësaj here, ambasador, kjo është një pikë kthese historike për popullin shqiptar, më europianistin në kontinent, respektojeni kësaj here atë dhe gjithë mikpritjen e tij proverbiale.